Bedrie Selimit i bjeshknon kanga

Kultura

Bedrie Selimit i bjeshknon kanga

Nga: Ramiz LUSHAJ Më: 19 qershor 2018 Në ora: 20:39
Kangtarja e valltarja Bedrie Selimi

1.

Ishte mbasdite e 7 tetorit 1973 kur në kalanë e gurtë të Argjirosë, në  ditën e dytë të Festivalit Folklorik Kombëtar (FFK) të Gjirokastrës, doli në skenë kangtarja e re 20 vjeçare, Bedrie Selimi e Kasaje, e cilësuar asokohe si një “zbulim”, “risi”, “kangtare e valltare me të ardhme”… Ajo ishte e treta në repertorin 55 minutësh të konkurimit elitar të Ansamblit “Valbona” të Tropojës. Debutoi mes duartrokitjeve e urimeve me “Kënga e Bareshës”, e cila e bani atë të famshme në motmote. Nji kangë e bukur e tipike e Alpeve Shqiptare, e ojnes “Hoj, dado, hoj”, të cilat këndoheshin ndër kohëna në vrri e në bjeshkët alpine, në kanagjeçe e dasma nga çikat e nuset tropojane. Zëri i rrallë i Bedrie Selimit, kanga e saj e veçantë, ende jehojnë në radio, televizione, kaseta, you tube, në shtete e treva shqiptare në Ballkan e ndër diaspora shqiptare në botë - tash nji gjysëm shekulli, bash si atëherit në të dytin FFK të Gjirokastrës (1973) e në Festivalin Ballkanik të Ohrit (1974).

“Kjo këngë më jep në shpirt kënaqësi e mërzi, pasi sa herë e dëgjoj më kthen shumë vite pas, kur kjo këngë dëgjohej shpesh nëpër bjeshkët e vendlindjes time, Vuthaj”- shprehet  Fadil Vuçetaj (FB, 20.05.2016, ora 12.26 min.). Poeti me libra, tashma i ndjerë, Zog Hysenaj (Kalbaj), pjesmarrës si valltarë e instrumentist në disa festivale folklorike të Gjirokastrës, në poemën e tij folklorike-etnografike “Në sofrën e artit” (Tiranë, Alpaper, 2013) me vargjet “Kan’ metë çikat me kang’ n’gojë/Tuj këndue “hoj dado hojë”/I kan’ k’ndue çiks’ e djalit/…/I k’nduen bardhokës n’der’ të stanit/I k’nduen deles, u g’zue kingji/ I k’nduen bjeshkës e ka ndie vrrini/I k’ndoi bardhoks’ Bedrie Selimi”/e sjell e përcjell një tjetër dëshmi të jetnimit lartnor e bashkëkohor të kësaj kange alpine e të kangtares tropojane Bedrie Selimi në folkun shqiptar të traditës sonë kombëtare.

“Kanga e Bareshës” ka një tekst të bukur, siç janë të bukura vet kangët e popullit. Them se kjo kangë ka një autoktoni mirëfilli burimore tropojane, pasi tekstualisht ka për vendndodhje e vendngjarje bjeshkën e Sylbicës në të bekuarat bjeshkë të Tropojës, në Alpet Shqiptare. Populli në kangët e tij për bjeshkët e veta e açikon Sylbicën: “N’cilën bjeshkë don me dalë/Cila bjeshkë t’duket ma e mira/Dobërdoli a Koshutica/Ma shumë vjamë po ndon Sylbica!/Ndoshta poeti-popull e ka përzgjedh mes bjeshkëve Sylbicën për ta bá “Kangën e Bareshës” edhe ma të bukur, siç është në të vërtetë kjo kangë me motivet e saj baritore e të dashurisë, me plot romantikë, me trishtim e optimizëm, me flladim e ripërtëritje, etj. Baresha e bjeshkëve, dhe kur “e lenë çikninë”, dhe kur i vjen nusëria,  është e lidhun me tufën e dhenve, si bjeshka alpine me malet e larta, pyjet e gjelbra e ujërat e kaltra të saj, si bjeshka me vrrinin. E thotë vet kanga me amanetet e bareshës, të dadës bareshë, prej tek dasma e saj në lëndinën e kullotës së dhenve: “Moj bardhok, bardhok lum dada/Rritmi mirë ata sugará”…“Për pak ditë amanet/Vjen ju sheh dada apet/:

“Kënga e Bareshës”, tekstuale, origjinale: “Çka ka delmja që blegrin,/Tufa nuk kullotë./hoj dado hoj./ Pse s`po bjen fyelli tingllim,/Kumona nuk lot./hoj dado hoj./ Atje poshtë në mes të fshatit./Dasem bahet në lendin./hoj dado hoj./ Tupanxhia i bjen tupanit,/Çobanesha lenë çiknin./hoj dado hoj./ Moj bardhok, bardhok lum dada,/Rritmi mirë ata sugará./hoj dado hoj./ Në Sylbicë kur të ngjiten gjája / Bashkë me ju po vjen dhe dada./ hoj dado hoj./ Për pak ditë amanet,/ Vjen ju sheh dada apet./ hoj dado hoj/.”

 Në Festivalin e Gjirokastrës (1973) “Kanga e Bareshës”, e kënduar nga Bedrie Selimi, u shoqërua me fyell nga Ramiz Bardhec Gjyriqi i Llugajve të Tropojës, ashtu siç á shoqërue tevona me vegla muzikore të familjes së fyejve dhe kanga “O moj Fushë e Korabit” e dibranes Liri Rashës-Mjeshtër e Madhe e të tjera kësisoj e gjithandej në hapësirat shqiptare. Specialistë të muzikës më thonë se këto kangë (e të tjera të këtilla) tregojnë se asnji instrument tjetër, as nga grupe instrumentash, nuk mundet ta zëvendësojnë nji instrument të vetëm, si në këtë rast me fyell (familjen e fyejve), kur aty ka gjetje apo zbulime artistike.

Mendoj se, ndoshta, kanë qënë me fat kanga e kangtarja që i shoqëroi me fyell Ramiz Bardhec Gjyriqi, ky mjeshtër virtuoz i interpretimit në instrumenta popullorë, të cilin e gjejmë emër përveçëm dhe në tre numra foklorik të repertorit konkurues zyrtar të Tropojës në Festivalin e Gjirokastrës (1973), si: me zumare te “Mozaik të instrumentave popullorë”(e me Muhamet Secin me fyell, Zog Hysenaj me gjethe, Mustaf Ukën me çifteli); me fyell te “Melodi baritore me fyej” (e me M. Secin, Isuf Halilin- Mjeshtër i Madh e Ahmet Haxhinë); te kanga “Nina-nana, more bir” e kënduar nga Shkurte Marku (e shoqëroi Fatime Sokoli me çifteli).

Ansambli Folklorik (AF) “Valbona” shkoi në Festivalin e 1973-shit në Gjirokastër dhe me dy numra të tjerë me motive baritore, të shoqëruara me kangë e valle, si: “Te Mrizi i Dhenve” (Pjellja e bardhokës. Dhënia e krypës. Dhentë për ujë. Melodi baritore me fyej. Trembja e gurit, kanosja e ujkut. Vallja e bariut) dhe me “Idil baritor”, çka tregon se kishte një traditë të mirë folklorike tropojane në pasurim e rrezatim, nga e cila doli dhe “Kanga e Bareshës” e kangtares së rrallë Bedrie Selimi, e cila ishte e mbetet një ndër kangët perla folklorike ndër kohëra.

“Kanga e Bareshës”,- më kumton fjala-shkrim kompozitori i kangëve-hit, Kolë Susaj–Mjeshtër i Madh, është “e familjes së kangëve “hoj dado hoj”, një kangë pastorale dypjesëshe. Pjesa e parë apiacere (kohë e lirë, pa ritëm) dhe pjesa e dytë (me ritëm karakteristik të kërcyeshëm, ashtu siç mirëdijnë tropojanet)…Ngrohtësia vokale, timbrika, lulet apo zbukurimet e joneve zanore, interpretimi dhe përcjellja e vlerave te publiku artdashës, bënë që kangtarja Bedrie Selimi, qoftë dhe me një kangë të tillë të veçantë të mbetet në kujtesën tonë kaq gjatë. Ndoshta disa kangë të mëvonshme kanë pasë si referencë këtë kangë të bukur të atyre viteve…”.(Tiranë, 01.12.2016)

2.

“Këndojnë dhe vallëzojnë: Valbona” ishte kryetitulli emblemë i Koncertit përfaqësues e konkurues i Ansamblit Folklorik “Valbona” të Tropojës në FFK të Gjirokastrës (6-12 tetor 1973). Kjo ishte logo dhe e njëzet vjeçares Bedrie Selimi, pasi ajo ishte aq sa kangëtare dhe valltare e talentuar.

“Kishte një zá brilant si kangtare, ishte një valltare e rrallë”- më thonë njëzeshëm koreografët e mirënjohur të Malësisë së Gjakovës e të Kombit, Skënder Haklaj e Deli Metaliaj – Mjeshtër i Madh (Tropojë, 06.06.2018).

Në Programin (repertorin) dhe Listën e kangtarëve, valltarëve e instrumentistëve të Ansamblit Folklorik “Valbona” (miratur nga Ministria e Arsimit e Kulturës) emri i Bedrie Selimit figuron me dy mbiemrat e saj artistik: “kangtare dhe valltare”.

Si ky rasti i Bedrie Selimit në listën zyrtare të Tropojës në Festival (1973) shembujt janë të pakët: veç Sabrie Haklaj ishte kangtare e valltare, ndërsa Fatime Sokoli, Mark Mitri, Isuf Halili, Ahmet Haxhia, Shkurte Marku instrumentistë e kangtarë, kurse Zog Hysenaj (Kalbaj) instrumentist e valltar. Ndaj, dhe për këtë fakt dyplanësh, Bedrie Selimi ishte një nga emblemat e AF “Valbona” në Festivalin e Gjirokastrës: edhe për këngët, edhe për vallet.

Selim Matoshi, ish përgjegjës zyrtar i AF “Valbona në FFK të Gjirokastrës (1973), ndërvite shef i Seksionit të Arsimit e Kulturës të Tropojës, studiues e autor i tre monografike për arsimin, kulturën e sportin e Tropojës, skedon e portretizon: “Bedrie Selimi, fshati Kasaj. Është valltare e afirmuar brenda e jashtë Tropoje, si dhe këngtare, mjeshtre në interpretimin e këngëve popullore, e veçanërisht të këngëve lirike në “ojnen hojdadohoj”.(S. Matoshi. “Tropoja–djep kulture”. Monografi. Tiranë, 2008. f. 279).

Kangtarja e valltarja Bedrie Selimi në FFK të Gjirokastrës ishte një nga shtyllat dhe pasqyrat e AF “Valbona”. Pse e themi këtë?

Së parit, Bedrie Selimi në repertorin e Koncertit të Tropojës me 20 numra folklorik gjithsej, i këndoi si soliste tri kangë. Ma e para, “Kënga e Bareshës”, pastaj: “Tri këngë dasme: a-Lumjane, b-Hasjane e c-Malësia e Gjakovës: me soliste Vjollca Hoxha (Susaj), Sabrie Haklaj, Bedrie Selimi e kompleksi i vajzave dhe, tjetra: “Në vlagën e tokës” a-Prashitje me shprehje thirrëse gjatë punës; b-Kositja c-Mbjellja e grurit: soliste Nurie Mulosmani, Bedrie Selimi e Sabrie Haklaj, këndojnë e vallzojnë grupi i vajzave.

Vetëm  këngtarja Fatime Sokoli –Artiste e Merituar e Mjeshtër e Madhe, ishte me katër kangë në Koncertin konkurues të Tropojës: “Maxharr Pasha hyp në kodër”, “Për Fierzën këndojnë e vallëzojnë”, “Moj e mira që more bjeshkën” e “N’drrasë të vekut kush po kánë”. Edhe Sabrie Haklaj kishte tre kangë, si: “Mori nuse që erdhe pramë” (kangë me tepsi), etj. Pastaj, me nga dy kangë, ishin vetëm Isuf Halili në hapje të koncertit, te numri folklorik “Valbona përshendet” me “Kangë Maje-krahu” e “Kah po del kjo flakë e verdhë” si dhe Riza Zymeri i Dragobisë, te “Kanga maje-krahu” e “Kangë për Bajram Currin”.

Së dyti, Bedrie Selimi në repertorin e koncertit të Tropojës me 20 numra gjithsej, ishte valltare në “Vallja e Bytyçit”; te “Rituali i Natës së Kangjeçit”; te “Ceremoniali i “Dasmës së Grave në Malësinë e Gjakovës” (a.-“Tvetja” e çikave me nusen dhe njerëzit e saj –Bedrie Selimi në rolin e nanës e atë të çikës-Shpresa Basha; b.-“Ani po bjen defi kajde-kajde”, c.-“Unë jam një tek i vetëm”, d.-Tana gratë me renë i këndova”); te “Për Fierzën këndojnë dhe vallëzojnë” (soliste Fatime Sokoli, interpreton grupi i vajzave, shoqëron orkestra me drejtues Ali Mulaj); te “Loja kosh”– argëtim koreo-panatonimik; te numri folklorik përmbyllës: “Vallëzojnë çikat e Valbonës”(grupi i vajzave, në daulle Malush Shabani).

Bedrie Selimi, në ma shumë se gjysmën e numrave folklorik të Koncertit të Tropojës, ishte në skenë si kangtare e talentuar dhe si valltare e talentuar, çka do të thotë se edhe ajo kishte peshën e rolin e saj të madh në marrjen e Çmimit të Dytë të FFK të Gjirokastrës (12 tetor ‘73) nga AF “Valbona” në mes 26 grupeve folklorike të Shqipërisë e 1.370 pjesmarrësve të Festivalit.

3.

“Kanga e Bareshës”, nji nga prurjet e kulmet artistike të repertorit folklorik të AF “Valbona” në FFK të Gjirokastrës, nuk u këndua nga kangtarja e re Bedrie Selimi vetëm në kalanë e Argjirosë, po përgjatë atyre “katër ditëve të lira” dhe në sheshin kryesor të qyteteve të Jugut shqiptar: Tepelenë (9 tetor), Gjirokastër (10 tetor),  Sarandë (11 tetor) dhe në Kosinë të Përmetit (8 tetor); në Sinanaj të Tepelenës (9 tetor), në Kakavi–skej kufinit shtetëror me Greqinë (10 tetor), në Vrisera të Dropullit të Sipërm, për minoritetin grek të atyshëm (11 tetor).

Kjo “Kanga e Berishës” e Bedrie Selimit u këndua përgjatë viteve 1973-’74 dhe në skena të shfaqjeve të Ansamblit “Valbona” në qytetin alpin të Bajramcurrit,  në veprën e madhe energjitike të Fierzës së dritës, në qëndra e fshatra të krahinave të rrethit të Tropojës. Pra, “Kanga e Bareshës” nuk ishte kangë e nji dite në skenën e Festivalit të Gjirokastres, as e nji viti, po një kangë që arriti lartësinë e saj, shënoi epokën e vet, jetnon si vlerë artistike e historike ndër kohëra në këta dy shekujt e fundit.

Tradita e kohës së atëherit ishte që në pasmbyllje finale të FFK të Gjirokastrës të jepej në kryeqytet, në Tiranë, një herë në çdo pesë vjet, një Koncert Qeveritar në mesin e tetorit, në ditëlindje të kryeudhëheqësit Enver Hoxha nga Gjirokastra. Përzgjidheshin numrat foklorikë më të mirë nga të gjitha ansamblet folklorike të rretheve pjesmarrëse në këtë event kombëtar panshqiptar. AF “Valbona” pati një privilegj, një përjashtim, një trofe tjetër, suksesi i rradhës: u përfshi në Koncertim e madh Qeveritar me të gjithë numrat e saj folklorik konkurues në Gjirokastër. Aty, në atë Koncert të madh kulmoi dhe “Kanga e Bareshës” e Bedrie Selimit,  dhe interpretimet e saj në valle e kangë të tjera, të cilat u mirëpritën nga të pranishmit, nga udhëheqësit e lartë të kohës e populli artdashës në atë Koncert e në ekranin e të vetmit televizion publik shtetëror kombëtar, TVSH.

Në skenën e FFK të Gjirokastrës (1973) dhe në skena shfaqjesh në Jugun e Shqipërisë,  në Koncertin e madh Qeveritar në Tiranë, në Festivalin Ballkanik të Ohrit (1974) çikat e nuset artiste tropojane si Bedrie Selimi, Hajrie Haklaj, Nurie Mulosmani, Sabrie Haklaj, Vjollca Hoxha (Susaj), Mire Hysenlekaj, Bubë Mici, Fatime Sokoli, Xhevahire Gashi, Shkurte Marku (Mëhilli), Shpresa Basha, Aishe Biberi e të tjera si këto, ishin përfaqësuese tipike të Alpeve Shqiptare, të trevës së vet–Malësia e Gjakovës. Për to fjala shkruante tekst e foto shtypi i kohës gjatë e pas FFK të Gjirokastrës: përkohorja “Festivali’, gazeta e revista të përditshme e periodike të Shqipërisë e ato për Shqiptarët jashtë Shqipërisë, për Botën e Jashtme. Ato ishin të gjitha tropojane shtatlarta dardane, malësore, alpine. Ato ishin të pashme si ato, të bukura si zanat e legjendave, ishin një nga bukuritë e çmuara alpine. Shtojzovalle. Një “dekor” i pazakontë madhështie e bukurie tropojane, alpine, shqiptare. Mbi të gjitha, ato ishin dhe kangtare, valltare e instrumentiste të rralla, të jashtëzakonshme, “diamante kulturore” të pasurisë kombëtare të trashëgimisë folklorike shqiptare. Ato dëshmonin lartësisht e mrekullisht emancipimin e qytetërimin bashkëkohor të tyre dhe të vendlindjes së vet, Tropojës, pasi ato përbanin mbi një të tretën e numrit të përgjithshëm të kangtarëve, valltarëve e instrumentistëve të AF “Valbona” (1973).

Në suksesin e madh të Ansamblit Folklorik “Valbona” në FFK të Gjirokastrës (1973), në Koncertin e madh Qeveritar të Tiranës, në Festivalin Folklorik të Ballkanit (Ohër, 1974) e në Dibër të Madhe, kishin rolin e kontributin e tyre të ndjeshëm specialistët e arsimuar në Tiranë, në Institutin e Lartë të Arteve, të gjithë me arsim të lartë, që kishin ardhur asokohe në Shtëpinë e Kulturës e Krijimtarisë Popullore (Pallati “Dardania”) në Tropojë si: Bashkim Gjyriqi (shef i muzikës) e Kolë Susaj – muzikant, Mjeshtër i Madh; koreografi emblematik Skënder Haklaj që po përpiqet tokaqiell me e ba me punë e sfida “Kcimin” (Vallen e Tropojës) një ”Trashëgimi Kulturore të UNESCO-s” në Paris; regjisori e aktori i talentuar e i përkushtuar Sali Doçi (tashma i ndjerë), aktori e regjisori Sokol Progni; drejtori Hysni Prengëzi (autor tekstesh të kangëve, skenarist, aktor, regjisor, prezantues, njohës i mirë, vizionar e organizator i kulturës e arteve). Edhe krijuesit tropojanë dhanë kontribute letrare si poeti i mirënjohur Hamit Aliaj, poeti Skënder Buçpapaj e të tjerë.

Peshë të dukshme elitare në AF “Valbona” kishin majemalet e legjendat e folkut tropojas: i gjithanshmi Ali Mulaj – Mjeshtër i Madh, instrumentist virtuoz e drejtues profesional i orkestres popullore; Agë (Agush) Rrustemi (Haklaj) – veglat muzikore popullore lindnin e këndonin në duart e tij, ishte një “familje ansambël” që bashkë me vajzën Sabrie (këngtare e valltare) e djalin Sadri (valltar) ishin treshe e talentuar në FFK të Gjirokastrës (1973), po dhe katër djemtë e tjerë i kishte instrumentistë, valltarë, aktorë: Rizaja (dhe poet), Smajli, Hajredini e Iliri;  Bashkim Kovaçi ishte “njeriu orkestër”; veçojmë valltarin Hazir Rrustemi që Zoti e lindi “valltar” dhe ai i dha Folkut Shqiptar të papërseritshmin “Kcimi i Hazirit”; valltaret Xhevahire Gashi–artiste e jashtëzakonshme në Festivalin e Rinisë në Moskë (1957) e valltari i rrallë Ram Miftari i Gashit; Mark Mitri – lahutar e kangtar kreshnik i Eposit të Kreshnikëve; e të tjerë, e shumë të tjerë.

Po, due me i veçue dhe dy artiste të FFK të Gjirokastrës (1973), dy nga “ikonat” artistike të suksesit të AF “Valbona”, kangtaren e instrumentisten e mirënjohur Fatime Sokoli dhe kangtaren e valltaren Bedrie Selimi, dy kangtaret e para të Tropojës me shkollë të mesme të muzikës. Profesori i tyre në Liceun Artistik të Tiranës, Ramadan Sokoli, i biri i Isuf Hodo Pashë Sokolit nga Shkodra, patriarku i etnomuzikologjisë shqiptare, i vlerësonte shumë këto dy artiste të rralla të Tropojës dardane, nxanëse të tij.  Prof. Ramadan Sokoli - Mjeshtër i Madh, së bashku me zonjën e tij të nderuar Lili Petrela – bibliotekare,  më kanë thanë më 1998 në banesën e tyre në Tiranë se ata e donin Bedrie Selimin si “vajzë të shtëpisë së tyre” dhe në ato vitet ’70 e vlerësonin si “kangtare e valltare e talentuar e me të ardhme…”.

4.

Bedrie Selimi ishte pjesmarrëse dhe në Festivalin e 13-të Ballkanik të Ohrit në Maqedoni – ish Jugosllavi (1974) si kangtare e valltare dhe spikere (prezantuese) e repertorit të Ansamblit Foklorik “Valbona”, ku Tropoja do të përfaqësonte Shqipërinë, ndaj dhe cilësohej aty: “Albania-Tropoja”. Në këtë Festival Ndërkombëtar merrnin pjesë Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria, Rumania, Hungaria, Jugosllavia (me dy grupe), Bosnje-Hercegovina e Mali i Zi.  Qyteti mikpritës i Ohrit, ky qytet i lashtë iliri, njihet gjithandej e gjithnji si “Qyteti i shekujve”, “Jeruzalemi i Ballkanit”, “Qyteti i dritave” e “Qyteti i traditës kulturore”.

Tropoja,  AF “Valbona”, ishte planifikuar të shkonte në këtë festival ndërkombëtar me dy koncerte: njëri për konkurim në Kalanë e Ohrit dhe, tjetri, për publikun artdashës në Strugë (u bojkotua shfaqja) dhe turneu në Dibër të Madhe (u krye me pengesa e vështirësi).

Në të tretën natë të Festivalit Ballkanik, pasdite, konkuroi Tropoja, e cila ishte e planifikuar e dyta në atë mbramje, por teksa rrinin prapa kuintave, pa njoftim paraprak, qëllimshëm, ia thirrën AF “Valbona” emrin të parit, për t’i nxanë në befasi, ç’orientue, ul sadopak nivelin artistik. Mirëpo, artistët tropojanë ishin në gadishmëri plotore e të përgaditur në çdo çast e rast ndaj çdo të papriture ndaj tyre nga qëndrime e veprime dashakeqëse të rrymave e klaneve antishqiptare serbo-maqedonase në RSF të Jugosllavisë, në Maqedoni.

Kalaja e lashtë ilire e Ohrit, me hapësirë për 2.000 vende, gjatë netëve të tjera të Festivalit Folklorik Ballkanik të Ohrit nuk mbushej as përgjysmë, ndërsa për shfaqjen e AF “Valbona” ishte e tejmbushur, pasi kishin ardhë aty dhe nga trevat etnike shqiptare në Malin e Zi, Luginën e Preshevës e Kosova (mbi 500 veta me plis të bardhë), ndaj kishte plot dallgime e jehonë manifestimi nga artistët tropojanë në skenë e artdashësit në kala, ndaj pati vlerësime maksimale e unanime për vendin e parë. Aq sa një profesor frëng që e ndiqte për arsye shkrimore studimore këtë festival ndërkombëtar, pas shfaqjes konkuruese nivel lartë të AF “Valbona”, u shpreh: “I tillë duhet të jetë niveli i një Festivali Ballkanik” e “Për mendimin tim tani ka fillue Festivali Ballkanik”. Pas kthimit në Tiranë, Komiteti Koordinator i Festivalit Ballkanik të Ohrit, në një takim zyrtar në Pallatin e Kulturës në kryeqytetin shqiptar iu tha drejtuesve e artistëve të AF “Valbona”: “…Jemi shumë të kënaqur, të gëzuar dhe të befasuar që ansambli juaj “Valbona” kreu me shumë sukses këtë detyrë. Njëqind çmime po të ishin atij i takonin. Ju pak qëndruat, por namin e latë të madh si Tropojë dhe si Shqipëri”.

E vështirë të ishe spikere e AF “Valbona” në ditët e Festivalit Ballkanik të Ohrit (1974), pasi teknika e vendit organizator (Maqedonia) e ulte volumin e zërit për “arsye teknike” si në rastin kur artistja e shquar Fatime Sokoli këndoi dhe pa foni si majemaleve alpine; pasi në Dibër të Madhe nga një koncert i planifikuar u dhanë dy koncerte në 5 orë me vetëm 30 min. pushim në mes tyre; pasi artdashësit shqiptarë nga malli e atdhetaria e tyre e madhe  duartrokisnin, brohorisnin e thirrnin papushim duke djegë dhe shamia, xhaketa, këmisha, etj. Mirëpo, spikereja e re tropojane, Bedrie Selimi e Kasaje të Shipshanit, nga një derë me njerëz gene bukur; malësore shtatlartë, e pashme, me zanin tisk e jehonim melodioz, krejt fytyrëqeshur, e lartnonte vetveten, e zotëronte sallën, ia doli me sukses meritor.

Në Festivalin Ndërkombëtar Ballkanik të Këngëve e Valleve Popullore, në shfaqjet për konkurim e për publikun si në Ohër dhe në Dibër të Madhe artistja e talentuar tropojane Bedrie Selimi pati disa kangë e valle si “Kanga e Bareshës”, Vallja “Kosh”, etj. duke qënë pjesë aktive e elitare për suksesin e arritur nga AF “Valbona” e për nderimin e Shqipërisë, ndonëse pati një mbingarkesë të trefishtë në interpretimet e saj në skena si kangtare, valltare e spikere si dhe angazhimet në shfaqjet e tejzgjatura në kohë limitore, etj.

Prof. dr. Ramazan Bogdani-Mjeshtër i Madh, tashti mbi 80 vjeçar, ishte udhëheqës artistik i AF “Valbona” në të 13-tin Festivalin Ballkanik në Ohër (1974). Ai ka folur në studimet e tij shkencore dhe për valltarë, kangtarë e instrumentistë të Tropojës. Vjet, më 10-13 qershor 2017, ishte në Tropojë, kryetar jurie në të 15-tin Festival panshqiptar “Sofra Dardane”. E dveta për kangtaren e valltaren Bedrie Selimi, kusherinën time me lidhje gjaku nga ana e babës tim. Më foli me një krenari të veçantë: “Ishte një vajzë shumë e çiltër, korrekte në punë, e sjellshme, e qeshur. Shoqet i rrinin pranë dhe e dëgjonin me një edukatë të shkëlqyer. Kishte një trup të bukur, si malësoret tropojane. Vallja i kishte një nur. I interpretonte shumë bukur vallet.  Si soliste ishte një artiste popullore në kuptimin më të mirë të fjalës. “Kënga e Bareshës” e bëri të njohur…Si valltare ishte talent…”(12.06.2017, ora 13.07 min.)

Kolë Susaj, Mjeshtër i Madh, më kumton: “Ngrohtësia vokale, timbrika, lulet apo zbukurimet e joneve zanore, interpretimi dhe përcjellja e vlerave te publiku bënë që kjo këngtare, qoftë dhe me një kangë të veçantë si “Kënga e Bareshës” të mbetet në kujtesën tonë. Ndoshta disa këngë të mëvonshme kanë pasë si referencë këtë këngë të bukur të atyre viteve ’70. Këngtarja nuk dihet se përse nuk e vazhdoi rrugën e këngës, por dihet se prej punës e përkushtimit të saj si mësuese muzike shumë talente të reja iu ngjitën skenës tropojane”.(Tiranë, 01.12.2016).

Kangtarja e valltarja Bedrie Selimi, është e lindur e rritur në një truall muzikor, me babën e saj Muzli Selimi i Kasaje dhe dajën e saj Ram Çakraj në Llugaj lahutarë e kangtarë të mirë të Eposit të Kreshnikëve, të këngëve legjendare e historike. Eshtë motra e poetit, shkrimtarit e teologut Hasan Selimi – i nderuar me tre çmime ndërkombëtare. Ishte mësuese e muzikës prej vitit 1972, tani në pension në Gri të Tropojës. Nuse në derën e Sinanajve të Grisë së Krasniqes të Tropojës, me shok jete Njazi Sinanin–vllai i Heroit Tahir Sinani - “gjenerali i tre luftërave”. Ajo është nana e dy djemëve të saj emigrantë-e dy yjeve të saj – Trashëgimit e Hazretit. Ajo, tashma, është gjyshe me nipër e mbesa, ku dashuria e saj ëngjellore, dobësia e saj mjaltnore, është Earta – nxënëse e shkëlqyer në një shkollë në Angli.

Kangtarja e valltarja Bedrie Selimi ka pothuaj një gjysëm shekulli pa dalë në skena publike lokale, kombëtare e ndërkombëtare po ende i jetnon emri te kangët e vallet e interpretuara prej saj në Festivalet e Gjirokastrës (1973) e të Ohrit (1974), po ende i bjeshknon “Kënga e Bareshës”.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat