Presheva shembull i organizimit të konferencave shkencore

Kultura

Presheva shembull i organizimit të konferencave shkencore

Nga: Sevdail Hyseni Më: 25 qershor 2018 Në ora: 10:16
Preshevë

Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, në Preshevë e drejtuar nga profesor Xhemaledin Salihu, në javën e parë të korrikut, të këtij viti, ka planifikuar të mbaj konferencën shkencore me temë: “Trashëgimia kulturore jomateriale shpirtërore e Luginës së Preshevës dhe viseve shqiptare”.

Kjo është konferenca e dhjetë me radhë e cila do të organizohet nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, duke e dhënë shembullin e përkryer të këtyre evenimenteve të larta shkencore, që për këtë shoqatë dhe për këtë Preshevë, janë kthyer në një traditë.

Në bazë të programit të kësaj konference shkencore e cila do të mbahet, më 6 dhe 7 korrik 2018 në Preshevë, bëhet e ditur, se tashmë janë konfirmuar seancat programore, temat që do të lexohen dhe pjesëmarrja e konferencierëve, studiues të letërsisë nga vise të ndryshme të hapësirave kombëtare: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Lugina e Preshevës.

Konferenca dyditore me temë: “Trashëgimia kulturore jomateriale shpirtërore e Luginës së Preshevës dhe viseve shqiptare”, do të mbledh në Preshevës, personalitete të shquara të kulturës shqiptare si: Prof.Dr. Nebi Islami, Dr. Rovena Vata, Prof.dr. Hamit Xhaferi, Dr. Qazim Namani, Dr.sc.Shefki Selami-Poti, Dr. Hamdi Mediu, Dr.sc. Ilmi Veliu etj.

Vlen të ceket se deri tani, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, në Preshevë, ka organizuar dhe mbajtur me sukses 9 konferenca shkencore: Çështja e valles shqiptare në Preshevë me rrethinë, Preshevë, më 24 dhjetor 2010; Dasma shqiptare në Preshevë me rrethinë, Preshevë, më 24 e 25 dhjetor 2011; Lugina e Preshevës në Lëvizjen Kombëtare gjatë historisë, Preshevë, më 23-24 nëntor 2012; Unifikimi i plan-programeve dhe teksteve mësimore për shkollat shqipe, Preshevë, 2013; Shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe viseve të tjera  etnike në ish-Jugosllavi, në mbarim të LDB, Preshevë, më 12 e 13 dhjetor 2014; Presheva, Bujanoci, Medvegja, dje, sot dhe nesër /së bashku me Institutin Albanologjik të Prishtinës, Prishtinë, më 15-19 qershor 2015; Çështja e Luginës së Preshevës në dimensionin rajonal dhe ndërkombëtar, të drejtat e njeriut dhe siguria me marrëdhëniet shqiptaro-serbe, 1 korrik 2018; Konferencë shkencore me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Akademik Idriz Ajetit, më 7 nëntor 2017, ka publikuar disa libra shkencorë, si ka zhvilluar me qindra kumtesa të kësaj natyre.

Njeriu i parë i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, në Preshevë, profesor Xhemaledin Salihu, për mbarëvajtjen e Konferencës së dhjetë me radhë me tematikë: “Trashëgimia kulturore jomateriale shpirtërore e Luginës së Preshevës dhe viseve shqiptare”, ka trokitur në dyert e institucioneve lokale dhe rajonale, që merren me kulturë për ndihmë financiare, mirëpo me siç dihet deri tani, nuk ka marrë asnjë përgjigje, qoftë edhe negative.

Pavarësisht heshtjes institucionale për të ofruar mbështetje për mbajtjen e këtyre konferencave të niveleve të larta shkencore, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, në Preshevë dhe kryetari i saj profesor Xhemaledin Salihu, do ta mbajnë konferencën, duke vazhduar traditë preshevare të organizimeve të tilla, me peshë për trashëgiminë kulturore jomateriale shpirtërore të Luginës së Preshevës dhe viseve të tjera shqiptare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat