Albert Heta prezanton sonte programin e Shkolla Verore si Shkollë në Sarajevë

Kultura

Albert Heta prezanton sonte programin e Shkolla Verore si Shkollë në Sarajevë

Më: 25 qershor 2018 Në ora: 19:52
Albert Heta

Sonte më 25 qershor me fillim nga ora 18:00 në Akademinë e Arteve të Bukura në Sarajevë, bëhet prezantimi i programit të Shkolla Verore si shkollë.

“Akademia e Arteve të bukura në Sarajevë dhe Sonemus ftojnë të gjithë të interesuarit të marrin pjesë në prezantimin e programit të Shkolla Verore si Shkollë 2018 – platformës ndërdisiplinore, edukative me qendër në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Fillimisht e inspiruar nga rasti i Kosovës, ku sistemi arsimor ishte strukturuar në mes të viteve të 70-ta të shekullit të kaluar, Shkolla Verore si Shkollë është e dizajnuar për të bashkuar dhe për të përhapur dijen dhe për të trajtuar sfidat e ditëve të sotme, duke zbatuar modele të reja dhe krijuar mundësi në arsimimin artistik dhe bashkëpunimin arsimor dhe artistik.

Prezantimi dhe diskutimi në perspektivat e arsimimit në fushën më të gjerë të artit bashkëkohor bëhet me: Albert Hetën, drejtor artistik i Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë; Donjetë Murati, hulumtuese dhe koordinatore e programit në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë; Anja Bogojevic, kuratore/historiane e artit, asistente në Akademinë e Arteve, Universiteti në Sarajevë, bashkëthemeluese e Qendrës për Art Bashkëkohor Abart, Mostar; Admir Mujkic, artist/asistent në Akademinë e Arteve, Universiteti në Sarajevë; Amila Ramovic, kuratore/muziciente, asistente në Akademinë e Muzikës dhe Akademinë e Arteve Skenike në Universitetin e Sarajevës; Ališer Sijari?, kompozitor, profesor në Akademinë e Muzikës në Universitetin e Sarajevës dhe drejtor artistik i Organizatës Sonemus.

Programi i Shkolla Verore si Shkollë 2018 mbahet më 16 korrik – 2 gusht, 2018.

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka shpallur thirrjen e dytë për aplikim në kurse. Afati i fundit për aplikim është më 25 qershor, 2018.

Udhëheqësit e Shkollës Verore si Shkollë 2018 kanë përpiluar një program sfidues dhe inspirues duke kombinuar klasë të bazuara në teori dhe produksion, ligjërata dhe prezantime publike, ekspozita, perfomanca dhe program filmi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat