“Ana dhe Zefi”, përplasi historinë e Anne Frank me një viktimë shqiptare të gjakmarrjes në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Kultura

“Ana dhe Zefi”, përplasi historinë e Anne Frank me një viktimë shqiptare të gjakmarrjes në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Më: 27 qershor 2018 Në ora: 15:21

Këmishat e varura mbi skenë e dërgojnë publikun në një realitet jo dhe shumë të lehtë. Përmes njollave të gjakut kuptohet lehtë se nga do të ecën loja e aktorëve, përmes yllit të Davidit që qëndron nën këmishat kaltër e bardhë, historia e Anne Frank vjen më afër se kurrë për publikun e Prishtinës.

Publiku është i vendosur në të tri anët e shfaqjes, shpesh nuk e ndan as edhe një hap me personazhet që jo rrallë herë do t’i shohin në sy. Derisa publiku zë vend, aktorët i gjenë në skenë, nën avullin e këmishëve që zihen në kazanët pranë tyre. Këmishat e varura, herë ngrihen e herë zbresin poshtë. Ato përfaqësojnë simbolikën e krejt asaj çfarë do të zhvillohet mes lojës së aktorëve.

“Ana dhe Zefi” është vepër e shkruar nga dramaturgu holandez Ad de Bont, dramat e të cilit janë mjaft të njohura në Gjermani. “Ana dhe Zefi”, e cila është shkruar në vitin 2009 nga dramaturgu holandez, mbrëmë erdhi premierë për publikun e Prishtinës, duke ngre paralelet mes një viktime të Holokaustit që donte fort të shkruante dhe një viktime të gjakmarrjes që donte fort të bëhej aktor. Vdekja u zbulon të përbashkëtën e tyre. Anne Frank e cila njoftohet me historinë e një shqiptari të vrarë, e ka të vështirë ta kuptoj këtë përcaktim të kanunit. Të dy dëshmojnë vetëm për 15 vite jetë, të cilave u paraprijnë dy vite izolim. Në vdekje duket se gjejnë lirinë ndërsa zbrazin para publikut të kaluarën me kujtime. Përqafojnë njëri-tjetrin ashtu siç përqafojnë historitë e ngjashme të tyre, të cilat ua kanë përcaktuar të tjerët.

“Para se m’e gjujtë, bani za. Kujdesu mos m’e lanë të plagosun. Vraje me nji plumb. Ktheje trupin n’shpinë. Vendose pushkën te kryet e tij”, vjen përmes zërit të secilit personazh, derisa të gjithë zërat bashkohen e veçse e fuqizojnë këtë thirrje që e përfaqëson Kanunin e që është përfaqësuar shpesh në veprime të ndryshme, një vrasje e përcaktuar në rregulla që fton për vrasje të tjera me ceremoni para dhe pas saj.

Zef Bunga në rolin e Ernest Zymberit është rritur në një shtëpi që mes shumë rrobave, mbante një këmishë të gjakosur që priste që ngjyra e gjakut të nxihej, atëherë dhe tensionet në shtëpi do të rriteshin nga nëna e tij e cila beson që Kanuni është më i rëndësishëm se secili që është në atë familje. Përmes lojës së Irena Cahanit, ajo nuk njeh rregull tjetër pos Kanunit, i cili ka ekzistuar para tyre e do të vazhdojë të jetoj edhe pas tyre. Ajo lëviz nga një kënd në tjetrin bën punët e shtëpisë pa zhurmë veçse e ngrit fort zërin kur flitet për gjakmarrjen, ajo ia rikujton shpesh të shoqit se e kundërta e gjakmarrjes është veçori themelore e një frikacaku. Burrin e saj, babai i Zefit që vjen përmes lojës së Kushtrim Qerimit qëndron me ngulm në atë se Kanuni është shpikje e njerëzve të një kohe tjetër dhe si i tillë duhet të mos zbatohet. Nuk gjen përkrahjen e gruas as kur me valigje tregohet i bindshëm se do të largohet.

Regjisori Erson Zymberi, tha se shfaqja ka arritur konceptin e tij regjisorial pasi që shfaqja arriti fuzionin e lidhjes mes aktorëve dhe spekatatorit, kjo veçmas bazuar në përkushtimin e disiplinën e aktorëve. Ai tha se shfaqja vjen si shpëtim për ata që ëndërrojnë dhe si dënim për ata që vrasin ëndrrat.

“Shfaqja ngre dy paralale mes vajzës së famshme hebreje dhe shqiptarit Zef Bunga. Shkrimi i ndërlidh aq bukur këto histori sa që nganjëherë harrojmë se cili është shqiptari dhe cili është çifut pasi që vuajtja është e njëjtë në secilin vend. Përshtypjet e mija për këtë tekst kanë qenë që ta bëj të komunikueshëm me publikun ku jepet shfaqja dhe në anën tjetër duke mos u humb gjuhën me të cilën komunikon teksti, ky ka qenë pikësynimi im i parë, duke marrë parasysh që gjakmarrja është evidente akoma në veri të Shqipërisë, shfaqja thërret për dashuri dhe jo për vrasje”, tregoi regjisori Zymberi.

Ai tutje u shpreh se shkrirja mes zërave të kanunit të Lekë Dukagjinit për vrasje deri në një psherëtime të lehtë për dashuri, ka ardhur e tillë për t’iu shmangur vendndodhjes gjeografike të personazheve por që të arrijë ta prek një mesazh universal.

Vet shfaqja e cila fillon me thirrjen e fuqishme për gjakmarrjen ecën drejt një psherëtime të lehtë “Të dua”, në kërkim të dashurisë. Anne Frank e cila vjen përmes aktores Verona Koxha, shpreh copëzat e ditarit të cilat prekin fëmijërinë e saj deri sa më nuk kujton asgjë. Duke u rrokullisur në tokë, e herë duke lëvizur nga njëri skaj tek tjetri skaj i skenës, ajo kujton një natë të tmerrshme të verës së vitit 1944.

Për aktoren e re Verona Koxha, kjo ishte hera e parë që dëshmohet në një rol në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Ajo e veshur me një fustan klasik të zi, mbi bluzën e bardhë e me dy gërsheta në kokë, shpreh brendinë e Anne Frankut përmes naivitetit e ndjenjave të brendshme, duke nxjerrë edhe anën më të pjekur të saj me shpresën që një ditë do ta shihte përsëri babain, ajo ecën në kujtimet e saj derisa më nuk kujton asgjë, kur sëmundja e pashërueshme përhapet me shpejtësi në kampin e përqendrimit në Bergen-Belsen.

Ngjashëm Ernest Zymberi e sjellë fëmijërinë e Zef Bungës, i cili dikur rivalitetin e vetëm që njihte në jetë, ishte ai në një lojë futbolli, ku luante me Edi Markaj që më pas do bëhej vrasësi i tij. Që nga zërat komentues të asaj loje, që ende i mungon, ai arrin deri tek lajmi për një vrasje që është vazhdimësi e një zingjiri vrasjesh për shkak të gjakmarrjes.

Ernest Zymberi tregoi për KultPlus se e cilëson si një shfaqje mjaft të ngarkuar psikologjike e fizike dhe se ka qenë mjaft impenjative për ta sjellë tekstin briliant të autorit, bazuar edhe në kërkesat e regjisorit me të cilin punon tash e një kohë të gjatë.

“Ideja dhe koncepti të bën të ndihesh në siklet gjatë gjithë kohës dhe për shkak të temës dhe mesazhit që trajton që është shumë e ndjeshme jo vetëm për aktorët por edhe për publikun. Si ekip nuk jemi të panjohur për Ersonin, kemi punuar edhe më herët me të, falë tij dhe punës së ekipit kemi arritur ta krijojmë këtë, përndryshe individualisht nuk do të mund të funksiononim siç nuk funksionon asgjë individualisht në një ekip”, është shprehur Zymberi për KultPlus.

Pothuajse të gjithë e dinë përfundimin e historisë së Anne Frankut dhe historinë se si ndodhë një vrasje për shkak të gjakmarrjes, ndërsa kjo shfaqje ecën në botën e përtejme, në ndërdijen e personazheve.

Regjisorja Marigona Bekteshi- Ferati thotë se përmes kësaj shfaqje vijnë pikërisht reagimet e personazheve pas vdekjes, gjë që vjen falë punës së aktorëve e veçmas imagjinatës së regjisorit.

“Ne pamë se çfarë mendojnë ata realisht, po të ishin gjallë si do të kishin reaguar, gjë që vetëm një imagjinatë e pasur e regjisorit mund ta sjellë. Se po të ishin ata gjallë, do të na fyenin e shumë gjëra që ata nuk mund t’i bëjnë pasi që të vdesin. Shfaqja mu duk shumë e mirë. Më rrëmbeu ajo ngjarje, për një kanun të cilin regjisori e sjellë afër për neve që nuk e kemi përjetuar. Për aq minuta sa zgjati shfaqja, regjisori na bëri të hyjmë në trupin dhe gjakun e aktorëve, të cilët e përjetonin”, u shpreh Bekteshi- Ferati për fund për KultPlus.

Shfaqja “Ana dhe Zefi”, sonte sjellë reprizën e parë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 20:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat