Poetet nga Kosova sollën vargjet e tyre kushtuar heroit kombëtar Gjergj Kastrioti- Skënderbeu

Kultura

Poetet nga Kosova sollën vargjet e tyre kushtuar heroit kombëtar Gjergj Kastrioti- Skënderbeu

Më: 5 korrik 2018 Në ora: 21:35

Mbi pianon e vendosur në Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, piktorja Fjolla Ferati kishte filluar të vendos vijat e para në formësimin e portretit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Fjolla Ferati, ishte vetëm njëra nga dhjetë gratë që ishin bashkuar për ta shënuar këtë orë poetike kushtuar Gjergj Kastriotit- Skënderbeu. Shkrimtaret nga Kosova, njëra pas tjetrës sollën vargjet e tyre kushtuar figurës heroike.

Para se krijimet poetike të vijnë për publikun në sallë, zëdhënësja e kryeministrisë, Donjeta Gashi falënderoi organizatoret e këtij manifestimi që me kërkesa simbolike po e mbajnë gjallë frymën e poezisë.

“Shpresoj që organizime të tjera do të kemi edhe në të ardhmen. Zyra e kryeministrisë aq sa ka mundësi dhe hapësirë do të ju mbështes në emër të poezisë dhe në emër të kujtimit të periudhave tona historike dhe të kaluarës sonë dhe të tashmes”, u shpreh Gashi në fjalën e saj.

Këtë manifestim letrat të titulluar “Gratë për Gjergjin” e hapi poetja kosovare Naime Beqiraj ndërsa vazhdoi me vargjet e Albina Idrizi, Leonora Brucaj, Dije Demiri-Frangu, Valentina Saraqini, Kismete Hyseni, Diella Çitaku, Mirelinda Koxha e deri tek Shefqete Gosalci e cila e mbylli këtë manifestim me një poezi të fuqishme.

Poetja Naime Beqiri tha se poezia për Gjergj Kastriotin i ka ardhur shumë rrjedhshëm.
“Për Gjergjin janë thënë e stërthënë vepra në të gjitha gjinitë artistike por vepër lirike nuk kam ndeshur, kisha dilemë a ta lexoj apo jo por pashë që u pëlqye nga lexuesit”, tregoi Beqiraj.

Organizatorja e këtij manifestimi, Ilire Zajmi u shpreh për KultPlus se ideja e këtij organizimi ka ardhur krejt rastësisht, ndërsa këtë manifestim e cilësoi si unik që mundëson që gratë të shpalosin krijimtarinë e tyre për figurën madhore të Skënderbeut.

“Ishim duke diskutuar që këtë vit është Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut, ke ti poezi për Skënderbeun?, Sa shkruajmë ne për Skënderbeun? dhe kështu lindi ideja që edhe ne gratë ta japim kontributin tonë modest për Skënderbeun. Motra e Skënderbeut ka luftuar përkrah tij me shpatë mirëpo ne natyrisht jemi 550 vite pas epokës së Skënderbeut, kontributi ynë është me poezi që ta jetësojmë e përjetësojmë veprën, të bëmat dhe lavdinë që emri i Skënderbeut paraqet për kujtesën tonë kolektive”, tha ajo.

Kryetar i Komisionit Qeveritar për Vitin Mbarëkombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Jahja Lluka krejt në fund të manifestimit u shpreh se ky manifestim ishte i suksesshëm.

“Falë Zotit që kemi këso grash që kanë luftuar për Kosovën për këtë liri që e gëzojmë sot”, u shpreh Lluka. Po ashtu Lluka pranoi portretin e Gjergj Kastriotit i cili u punua gjatë kohës sa u lexuan poezitë, megjithatë Lluka këtë portret ia dhuroi Donjeta Gashit.

Krejt ky manifestim u organizua nën patronatin e Zyrës së Sekretariatit të Qeverisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat