Filmi “Nëntor i Ftohtë” i Ismet Sijarinës premierë botërore në San Sebastian

Kultura

Filmi “Nëntor i Ftohtë” i Ismet Sijarinës premierë botërore në San Sebastian

Më: 12 korrik 2018 Në ora: 17:45

Premiera botërore për filmin artistik të regjisorit Ismet Sijarina “Nëntor i Ftohtë” do të mbahet në edicionin e 66-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të San Sebastianit.

 

Ky është filmi i parë nga Kosova në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të San Sebastianit, një festival ndërkombëtar tejet i rëndësishëm dhe i kategorisë A, ku do të jetë pjesë e konkurrencës zyrtar në Seksionin e Regjisorëve të Ri.

“Ky është një zhvillim i madh për kinematografinë e Kosovës dhe pasqyron një trend të sukseseve në rritje për industrinë e filmit në Kosovë”, u shpreh drejtori i QKK-së Arben Zharku.

Filmi përcjellë Fadilin, i cili punon si arkivist në një ndërmarrje shtetërore, në Kosovën e fillim viteve ’90, dhe duhet të zgjedhë mes dy opsione të gabuara! Në këtë mënyrë ai, jashtë vullnetit dhe dëshirës së tij, “gëlltit” turpin, ballafaqohet me imazhin e keq dhe duron presionin nga të gjitha palët.

“Secili njeri, pa marr parasysh rolin dhe ndikimin e ti në shoqëri, ka një rrëfim për ta thënë. Ka shumë rrëfime të tilla që mbesin të pathëna, ngase konsiderohen po aq të parëndësishme sa edhe përjetuesit e tyre. “Nëntor i ftohtë”, është një nga këto rrëfime që nuk do duhej të thuhej! Ky film sjell një histori familjare, të bazuar mbi ngjarje të vërteta, në një kohë të turbullt, kur ne nuk mund të thuhet se jetonim, por vetëm ekzistonim. Fadil e ka emrin, jeton në Prishtinë përgjatë fillim viteve të 90-ta, ka gruan, dy fëmijë, babain dhe një rrëfim, që kërkon kureshtjen tuaj! “, u shpreh regjisori, Ismet Sijarina.

“Nëntor i ftohtë” për mua është dashuri në lexim të parë. Film që trajton vitet e mbrapshta të shoqërisë tonë! Tregim i munguar i kinematografisë Kosovare, në të cilin unë kam pasur kënaqësinë të jem producent dhe aktor. Pranimi në konkurrencë zyrtare në njërin prej festivaleve më të mëdha të botës “San Sebastián” në Spanjë është shpërblimi më i madh që mund ti bëhet sakrificës së produksionit dhe tërë ekipit”, shtoi Fatmir Spahiu, producent.

Projekti filmik “Nëntor i Ftohtë” është produksion i shtëpive filmike Thumbs Up dhe Buka në bashkëprodhim me Albasky Film, AUDIOHAUS dhe Ikone dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë.

Në rolet kryesor paraqiten aktorët; Kushtrim Hoxha, Adriana Matoshi, Fatmir Spahiu Bufi, Emir Hadzihafizbegovic, Gordana Boban, May-Linda Kosumovic dhe Lum Veseli, ndërsa Skenari i shkruar nga: Arian Krasniqie Ismet Sijarina. Drejtor Fotografie Sevdije Kastrati, Montazher Vladimir Pavlovski, Muzika Jericho, Producent Fatmir Spahiu, Arian Krasniqi, Regjia Ismet Sijarina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat