Rruga Fan Noli’, regjisorja Jehona Berisha trajton të kaluarën me trauma

Kultura

Rruga Fan Noli’, regjisorja Jehona Berisha trajton të kaluarën me trauma

Më: 17 korrik 2018 Në ora: 18:32

Projekti filmik ‘Rruga “Fan Noli”’, gjendet në mesin projekteve filmike në kategorinë metrazh i shkurtër artistik, të cilët janë subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës për këtë vit.

Për regjisoren, kjo është hera e parë që një film i saj subvencionohet nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Pikërisht ky fakt e bën gjithë këtë proces shumë të veçantë për regjisoren.

Filmi trajton një ngjarje të vërtetë, historia e së cilës mbetet akoma një mister të cilin regjisorja e ruan me shumë kujdes edhe gjatë intervistës duke mos zbuluar më shumë rreth ngjarjes që përfshihet në film.
“Në një lagje paqësore jeta është e qetë, por një e kaluar traumatike premton të ndërrojë jetët e banorëve përgjithmonë”, zbulon Jehona.

Ajo nuk tregon në cilën lagje apo vend ndodhet kjo rrugë, për shkak se sipas saj një ngjarje e tillë mund të ndodhë në secilën rrugë, kudo në botë, në periudhën e pasluftës në një vend të caktuar.

Skenari i filmit është shkruar nga Milot Hoxha i cili po ashtu është edhe producent i filmit. Skenari përçon një mesazh të kohës së pasluftës në Kosovë, luftë të cilën regjisorja nuk e ka përjetuar, por po e përjeton tash me anë të shtegtimit artistik.
“Përmes artit do të mundohem të shfaqi problemet që çdo shoqëri mund ti ketë nëse nuk i ndihmojmë njëri-tjetrit (ne si shoqëri dhe institucionet e vendit), pasojat mund të jenë aq të mëdha sa mund të shkojnë deri të vrasja”, shprehet regjisorja.

Aktorët të cilët do të jenë pjesë e këtij filmi nuk janë caktuar akoma nga regjisorja edhe pse ajo gjatë tërë kohës është duke menduar për emrat potencial të cilët mund të jenë pjesë e ekipit.

“Kemi filluar përgatitjet, por ditët e xhirimit mendojmë që do të jenë në pranverë. Kemi menduar edhe për lokacionet se ku dëshirojmë të xhirojmë. Deri tani kemi disa lagje dhe rrugë mirëpo asgjë nuk është akoma konkrete”, tregon Berisha.

Regjisorja Jehona Berisha ka përfunduar studimet në Fakultetin e Arteve, drejtimin Regji-Filmi në Universitetin e Prishtinës, ndërsa tani është duke vazhduar studimet master në Fiofa, Ohër. Gjatë periudhës së studimeve ajo ka punuar filma të shkurtër, por gjithashtu ka punuar edhe si asistente e regjisë në filma të gjatë, filma të shkurtë, seriale e të tjera.

Rikujtojmë se filmi ‘Rruga “Fan Noli”’ është në mesin e 19-të filmave të subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës për këtë vit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat