Ministria e Kulturës mbështetë 22 projekte në fushën e edukimit jo-formal

Kultura

Ministria e Kulturës mbështetë 22 projekte në fushën e edukimit jo-formal

Më: 19 korrik 2018 Në ora: 12:09
Ministria e Kulturës mbështetë 22 projekte në fushën e edukimit jo-formal

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka pritur sot në kabinetin e tij 22 përfaqësues të organizatave jo qeveritare, të cilët janë përfitues nga Ministria për projekte në fushën e edukimit joformal.

Pas nënshkrimit të kontratave, ministri Gashi tha se qëllimi i kësaj është implementimi i projekteve të ndryshme në kuadër të Departamentit të Rinisë.

Gashi: Përfitues të jenë rinia

"Jemi të interesuar si ministri që projektet të cilat jemi duke i mbështetur financiarisht në Departamentin e Rinisë në kuadër të politikave tona rinore t'i implementojmë në tërësi dhe përfitues të këtyre projekteve të jenë të rinjtë e qyteteve tona, të rinjtë e Republikës së Kosovës",  ka thënë Gashi.

Gashi po ashtu tha se marrëveshjet e tilla po i bëjnë me ceremoni në mënyrë që të jetë sa më transparent dhe qytetarët apo aplikuesit ta dinë se kush janë përfituesit e këtyre projekteve.

Gashi: Gjithçka të jetë transparente

“Unë do të kërkoja prej Departamentit të Rinisë po edhe prej zyrtarëve tanë në Ministri që monitorimin e projekteve ta bëjnë në mënyrë sa më transparente, sepse e thashë edhe në fillim, jemi të interesuar që çdo cent i ministrisë, çdo cent i qytetarëve të Republikës së Kosovës të shkojë në vendin e duhur, për aty ku edhe i kemi nda”, ka thënë Gashi.

Po ashtu, ministri Gashi ka kërkuar edhe prej organizatave përfituese që t’i implementojnë në tërësi këto projekte si dhe përfitues të projekteve të jetë rinia.

Një nga përfituesit e projekteve, Endrit Dibrani nga OJQ “Debate Center” tregoi për misionin e kësaj organizate dhe u zotua para ministrit për implementimin e plotë të projektit.

Dibrani: Do t’i implementojmë qindpërqind  projektet

“Po besoj që e kam privilegjin me fol edhe në emër të krejt organizatave, me u zotu para juve që kena me e përmbushë atë njëqind përqindëshin që po na udhëzoni edhe që kena me i dhanë rezultatet që përnjëmend  po i pritni prej organizatave të të rinjve. Po flas këtu edhe në emër të ‘Debate Center’ organizatën të cilën e përfaqësoj, që merret pikërisht me edukimin jo formal jashtë sistemit shkollor përmes debatit, përmes mendimit kritik në një fazë të ndjeshme të tyre siç është shkolla e mesme”,  ka thënë Dibrani.

Dje Ministria e Kulturës ka publikuar listën e përfitueseve për projekte në Edukimin Jo-Formal. Komisioni ka përzgjedhur 22 organizata përfituese të projekteve, ndërsa sipas dokumentit të publikuarnga MKRS, thuhet se gjithsej kanë qenë 52 aplikantë, por 12 prej tyre nuk i kanë përmbushur kriteret dhe nuk kanë marrë pikët e nevojshme për t’u kualifikuar për mbështetje financiare.

Në dokumentin e publikuar nuk shkruhet se çfarë shume është ndarë për këto organizata, ndërsa ministri Gashi ka deklaruar se nuk e di shumën e saktë që do të marrin përfituesit.

Gashi: Nuk e di saktë shumën që do të marrin pvrfituesit

“Nuk e di saktë shumën, por secila organizatë ka shuma të ndryshme, këtu përfshihen 2 mijë,  3 mijë , 4 mijë euro  e  tutje”, ka thënë Gashi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat