Gjuha shqipe dhe gjuhët e huaja u shpalosën në trupa njerëzish në Muzeun e Kosovës

Kultura

Gjuha shqipe dhe gjuhët e huaja u shpalosën në trupa njerëzish në Muzeun e Kosovës

Më: 20 korrik 2018 Në ora: 17:51

Luke Baio herë lëvizë buzët në gjuhën shqipe, herë disa fjalime në gjuhën franceze. Më pas vazhdon në gjuhën spanjolle, bëhet qull i djersitur pasi përcjellë edhe trupin e tij derisa ai i jep shenjë të lëvizë në hap me ritmin e muzikës. Ai është vetëm një prej gjashtë performuesve tjerë që duhet të përcjellin secilin mes vete, trupin e tyre, muzikën në sfond, emocionet e ndryshme që vijnë prej audiencës, në sinkron me gjuhët e ndryshme trupore dhe gjuhët e ndryshme kombëtare.

Performanca e tillë erdhi mbrëmë në kuadër të HAPU – Festivalit të Artit në Hapësirë Publike. Nëpër shkallët jashtë Muzeut të Kosovës performuesit vinin në frekuenca të ndryshme, herë në disponim qesharak dhe herë duke u përsëritur si një kasetë e prishur që kërkon ndihmë për të vazhduar punën.

Gjashtë janë gjithsej performuesit në kuadër të performancës “Gjuhët e Huaja”. Performanca mbrëmë erdhi me plot gjuhë, mes tyre edhe shqipen, me zërin e Dardan Islamit që flet diçka herë artikulueshëm e herë me ndërprerje, zëri i një nëne sa shumë e do fëmijën e saj – me fjalë përkëdhelëse.

Për 55 minuta, trupat e aktorëve u shndërruan në barkë që lëvizë, pa ujë.
“Audienca në fillim nuk përfshihet shumë, por më pas në aktin e tretë e kuptojnë se kemi përfshirë edhe gjuhën shqipe dhe aty relaksohet. Ne si performues duhet të reagojmë shpejt ndaj çdo situate që krijohet. Në fillim ne nuk e dinim as se ku do të ulej audienca, por më pas e kuptuam kah janë shpërndarë ata” tregon mes tjerash Luke.
Kjo sepse performanca nisë me të gjithë të mbuluar me rroba, deri në një shikim të pastër më pas, drejtuar audiencës.

Grupi vjen nga Austria ndërsa brenda tij përmban njerëz të etniteteve të ndryshme. Ata janë mësuar të veprojnë në unison me njëri-tjetrin.
“Kemi ushtruar shumë për një performancë të tillë. E mira e saj është se kudo që shkojmë, ne shtojmë elemente të reja të vendit ku performojmë, qoftë muzikë ose ndonjë element tjetër që ne e shohim si interesant” vazhdon Luke.

Grupi është themeluar në vitin 2005 nga koreografi Chris Haring. Chris madje edhe mbrëmë në këtë performancë nuk qëndronte i tëri i relaksuar, duke kontrolluar muzikën por edhe duke parë se si puna e tij po vinte në jetë në kryeqendrën e Kosovës.

“Ka tre vite që po ushtrojmë dhe po e përmirësojmë “Gjuhët e Huaja” si koncept. Po krijohet kësisoj një simfoni ndërkombëtare. Ne e marrim një gjuhë ndërsa valltarët duhet të improvizojnë me atë gjuhë. Shembull: njerëzit u drejtohen bebeve, kafshëve, popullit, ndërsa valltarët duhet menjëherë të trillojnë lëvizjet e tyre, dhe mimikën e tyre” tregon koreografi Haring, duke potencuar gjithmonë dashurinë për hapësirën publike si vend ku performanca merr gjithmonë jetë në një formë tjetër dhe ku edhe publiku reagon gjithmonë me diçka të re, herë duke qeshur e herë duke u habitur sa afër valltarët vijnë drejt tyre.

Festivali i Artit në Hapësirë Publike HAPU po vazhdon edicionin e katërt deri me 21 korrik në kryeqytet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat