Shatri: Dom Anton Kçira asnjëherë, gjatë tërë jetës së tij, nuk u lëkund

Kultura

Shatri: Dom Anton Kçira asnjëherë, gjatë tërë jetës së tij, nuk u lëkund

Më: 5 gusht 2018 Në ora: 14:40
Muhamet Shatri

Fjala e hapjes e Prof.dr. Muhamet Shatrit në Sesionin e tretë të vecantë Shkencor mbajtur më, 1 Gusht 2018 në Gjakovë me temën:” Dom Anton Kçira Ambasador i Shqiptareve në SHBA”.

I nderuari kryetar i shoqatës, Nue Oroshi;

Të nderuar klerikë katolikë;

Mons. Rrok Gjonlleshaj, argjipeshkëv i Tivarit;

Mons. Zef Gashi, ipeshkëv në pension;

Mons. Hil Kabashi, ipeshkëv në pension;

Dom Nikë Ukgjini, famullitar i kishës së Dom Ndre Mjedës në Kukël dhe të tjerë.

I nderuari ambasador, prof. dr. Islam Lauka;

Të nderuar mysafirë të tjerë;

Të nderuar referues e veprimtarë të shoqatës;

Dashamirë të fjalës së shkruar;

Zonja dhe zotërinj,

Është ky një sesion i veçantë shkencor për një njeri dhe veprimtar shumë të veçantë, për një shërbëtor të përkushtuar të kombit dhe të fesë, për Dom Anton Kçirën.

Shoqata jonë ka qenë organizatore e një veprimtarie të rëndësishme për 550 vjetorin e kalimit në amshim të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit- Skënderbeut. Mbajtja e këtij sesioni të veçantë bëhet në vijim të sesioneve edhe për personalitete të tjera të shquara, sikurse për kryepoetin e shqiptarëve, Gjergj Fishtën, për arkitektin e pavarësisë së Shqipërisë, Dom Nikollë Kaçorrin etj. E them ketë për domethënien dhe respektin qe duam të tregojmë ndaj dom Anton Kçirës.

Dua të theksoj se punës shumë frutdhënëse të këtij sesioni i ka trasuar rrugën vepra madhore e publicistit dhe veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, ish sekretarit të Lidhjes III Shqiptare të Prizrenit, të Xhafer Devës dhe mikut tim të shtrenjtë, Tomë Mrijaj, në bashkëautorësi me Klajd Kapinovën, në mono­gra­finë: "Anton Kçira - apostull i fesë dhe i shqiptarizmës së përhershme".

Në ketë vepër gjithëpërfshirëse veprimtaria atdhetare e fetare e dom Anton Kçirës është plotësuar nga ndihmesat e pendëve më të mprehta të studiuesve dhe veprimtarëve të shquar të Mërgatës dhe të trevave shqiptare, si Sami Repishti, Mërgim Korça, Tonin Mirakaj, Gjekë Gjonlekaj, Agim Shehu, Hari Bajraktari, Ekrem Bardha, Riza Sadiku, Ilmi Veliu, Prend Buzhala, Lekë Mrijaj, Mentor Quku, Dalip Greca, Pjeter Domgjoni, Mikel Gojani, Prekë Gjetaj, Hasan Hasani etj.

Nga këto dhe vlerësimet e të gjithë atyre që e njohën dhe bashkëpunuan me të del se Dom Anton Kçira për rreth pesë dhjetëvjeçarë, u qëndroi besnik dhe i pathyer idealit kombëtar dhe atij fetar.  E quajtën atë, me të drejtë, "prifti i kombit dhe i fesë, prifti i besës dhe i burrnisë".

Dom Anton Kçira asnjëherë, gjatë tërë jetës së tij, nuk u lëkund, por, si një shkëmb graniti, ka qenë pjesëmarrës i proceseve kombëtare për pesëdhjetë vjet me radhë. Sipas kryetarit të shoqatës dhe studiuesit të zellshëm dhe veprimtarit të shquar Z. Nue Oroshi, jo rastësisht, kisha ku shërbeu Dom Anton Kçira, në Michigan te Detroitit, ishte përfaqësia e parë, ku pushonin dhe merrnin bekimin të gjithë presidentët, liderët, ushtarakët, kryeministrat dhe atdhetarët shqiptarë që vizitonin Amerikën.

Është e nevojshme të shtohet këtu se trajtimi i mirëfilltë shkencor i jetës dhe veprës së Dom Anton Kçirës është shumë i ditës, jo vetëm për të dhënë për­fundi­min e një çështjeje çnjerëzore drajfusiane, por edhe për te kuvenduar bashkë se çka mund të bëjmë, ne shqiptarët, për të ruajtur trashëgiminë shumë dome­thënëse dhe tepër të nevojshme të durimit apo, me mirë të themi, të har­mo­nisë e vëllazërore ndërfetare, të rritur në shekuj si dhe të qëndresës së përbashkët kun­dër armiqve mizorë.

Këtë e kish vërejtur saktë, më 1887, shkencëtari i njohur austriak, Vald­kampf, studiues i Ballkanit, kur shkruante se ,,Shqiptarët e mohojnë fana­tiz­min fetar të otomanëve deri në atë pikë që mos ta përfillin fare....Të gjithë shqip­ta­rët, qoftë të krishterë, qoftë myslimanë, e urrejnë njësoj okupatorin turk."

Ne, gjithsesi, duhet t'i ruajmë këto vlera në kohën e ballafaqimeve globale ndërmjet feve, kulturave dhe bashkësive etnike, sepse në të kundërt, ne, si popull, do të dëmtohemi më së shumti. Prandaj ne duhet të rrisim dhe ruajmë, si sytë e ballit, respektin dhe adhurimin për figurat themeltare të shqiptarisë, si ato të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, të Nënës sonë të  Madhe Terezë dhe të arkitektit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës.

Guxoj të them këtu para jush, të nderuar pjesëmarrës, se ata që mohojnë këto figura madhore kombëtare e njerëzore, me vlera që rrezatojnë jo vetëm ka flitet e frymohet shqip, por edhe në mbarë botën, e kanë humbur rrugën e shqiptarisë. Ne duhet ta kemi të qartë se, pa tërë­si­në e të gjitha feve të popullit tonë, do të zhbëhet edhe shqiptaria. Prandaj, duhet të luftojmë me ngulm që fara e keqe, sidomos ajo e përskajshmërisë isla­mi­ke, të mos mbijë dhe të mos lëshojë rrënjë në trojet shqiptare.

Unë, si shqiptar i besimit liberal islam, jam shumë i shqetësuar nga tejfutja e përskajshmërisë islamike të Lindjes në botën shqiptare, por edhe më gjerë nëpër Evropë e madje deri në SHBA. Me vjen keq, që edhe grabitësi i postit të Bashkë­sisë Islame të Kosovës, pas Faljes së Bajramit, kur foli për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, nuk e përmendi Abdyl Frashërin dhe asnjë veprimtar laik të besimit islam e, lëre më, ata të besimit katolik e ortodoks.  

Këtu kam shumë për te thënë, por po ndalem me kaq duke pritur që ju, të nde­ruar ligjërues, të thoni fjalën tuaj dhe të jepni ndihmesë sa më bindshëm që personaliteti i Dom Anton Kçirës te dalë ne dritë ashtu siç ka qenë dhe siç është, si njeri  dhe si veprimtar i shquar i çështjes kombëtare dhe i fesë.

Duke shfrytëzuar rastin që kam moshën dhe profesionin e duhur si edhe nderin që m'u dha për të hapur ketë sesion, mund t'u jap siguri për zotimin e Kryesisë dhe të Redaksisë se ato do të bëjnë krejt çka është e mundur në mënyrë që kumtesat tuaja të sistemohen, të redaktohen dhe të përgatitën për botim me profesionalizëm dhe kritere të mirëfillta shkencore. Duke ju kërkuar të falur për kohëzgjatjen e fjalës sime, ju uroj juve dhe sesio­nit sukses të plotë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat