Hapet ekspozita kushtuar diasporës “Unë jam Shqiptar”

Kultura

Hapet ekspozita kushtuar diasporës “Unë jam Shqiptar”

Më: 10 gusht 2018 Në ora: 19:07
Ekspozita kushtuar diasporës “Unë jam Shqiptar”

Në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor Kosovë-Shqipëri në Muzeun e Kosovës sot është hapur ekspozita “Unë jam Shqiptar”. Ekspozita për tematikë ka emigrimin e shqiptarëve, si dhe përfshin materiale fotografike mbi diasporën shqiptare ndër shekuj.

Ekspozita fillon në mënyrë kronologjike me fotografinë e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ajo përmban po ashtu fotografi të arbëreshëve të parë në Italinë e Jugut, si dhe fotografi të arvanitasve dhe Rilindësve shqiptarë.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi me këtë rast u shpreh se bashkëpunimi me Shqipërinë është një nga prioritetet më të larta të kësaj ministrie.

Gashi: Ekspozita të tilla dëshmi e bashkëpunimit dhe aktiviteteve të përbashkëta

“Ekspozita e Muzeut Historik Kombëtar të Republikës së Shqipërisë, që hapet sot në muzeun e Kosovës, trajton një përmbajtje kuptimplote dhe baras të njëjte si për Kosovën, ashtu edhe për Shqipërinë, siç është diaspora shqiptare. Ekspozita të tilla janë dëshmi e një hapësire shumë të madhe që ekziston për të thelluar bashkëpunimin dhe realizimin e aktiviteteve tona të përbashkëta edhe në të ardhmen. Si ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dua të rikonfirmoj përkrahjen e plotë të ministrisë që aktivitete të tilla dhe projekte të përbashkëta ndërmjet dy muzeve të konsolidohen edhe më tutje, të zgjerohen dhe strukturohen edhe më shumë brenda fushëveprimit të këtyre dy institucioneve”, u shpreh Gashi.

Kalendari obligon të dy palët për realizim, por nuk nënkupton që institucionet të kënaqen me aq, u shpreh ndër tjerash Gashi.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, me një fjalë drejtuar të pranishme, ardhjen e diasporës e ka përshkruar si ndjenjë shumë të veçantë.

Minxhozi: Jemi të shpërndarë në botë, por nuk harrojmë që jemi shqiptarë

“Kjo ekspozitë mund të hapej shumë mirë në çdo vend ku jetojnë shqiptarë, jo vetëm në Tiranë, në Prishtinë, por në Bon, në Lozanë, në kudo, në Londër, pse jo, sepse e tregon do të thotë që ne jemi të shpërndarë kudo në botë, por nuk harrojmë një diçka që është më e rëndësishmja, që ne jemi shqiptarë, dhe si shqiptarë ne jemi të angazhuar për të mbrojtur gjenezën tonë, për të mbrojtur traditat tona, dhe për të dhënë simbole shprese që në vitet në vijim ne do të vazhdojmë, do të vazhdojmë të ecim përpara bashkë”, u shpreh Minxhozi.

Drejtori i  Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë Dorian Koçi, ka kujtuar historinë dhe ikjet e shqiptarëve ndër shekuj, për të vënë pah edhe ndihmën ekonomike të tyre.

Koçi në fjalën e tij kujtoi emigrimet politike dhe ekonomike të shqiptarëve në histori.

Koçi: Veprimtaria ekonomike e shqiptarëve mbeti faktor i rëndësishëm ekonomik

“Diaspora shqiptare pasqyrohet nëpërmjet fotografive të protagonistëve të saj, fotografuesve, dhe themeluesve të shoqërive patriotike si të Fan Nolit, Faik Konicës, Mithat Frashërit.Në të gjitha periudhat veprimtaria ekonomike e emigrantëve shqiptarë mbeti një faktor i rëndësishëm ekonomik në buxhetin e familjeve të tyre, dhe më pas të shtetit shqiptar, diaspora bën përpjekje të mëdha për t’u inkuadruar me sukses në jetën ekonomike, politike e kulturore të vendeve pritëse. Ndikon në zhvillimin e Shqipërisë dhe shërben si urë lidhëse nëpërmjet vendit amë dhe vendeve pritëse”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat