DokuFest-i si institucion i veçantë i kulturës në Kosovë

Kultura

DokuFest-i si institucion i veçantë i kulturës në Kosovë

Më: 10 gusht 2018 Në ora: 20:27
DokuFest

Stafi dhe vullnetarët e festivalit të filmit DokuFest sonte përmes një pritje të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kanë marrë falënderim për punën e tyre në kuadër të festivalit.

Në “MKRS Reception DokuFest”, Ministri Kujtim Gashi ka vlerësuar punën e DokuFest-it, si dhe ka njoftuar të pranishmit për rritjen e buxhetit për Qendrën Kinematografike të Kosovës.

Gashi: DukuFesti jo vetëm festival, por institucion i veçantë i kulturës

"Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporit, duke e pas gjithmonë parasysh rezultatet e mëdha të artistëve, krijuesve dhe performuesve tanë, e veçanërisht njerëzve të filmit, të cilët po e promovojnë Kosovën në mënyrën ma të mirë të mundshme në gjithë botën, e një prej tyre është edhe ngjarja më e madhe kulturore, siç është festivali DokuFest, të cilin me plot të drejtë mund ta quajmë jo vetëm festival, por edhe një institucion i veçantë i kulturës në Kosovë. E thashë, gjithmonë duke i pas parasysh rezultatet e këtij festivali, por edhe të filmave tanë gjithandej botës, para dy tre ditësh kemi marrë vendim që buxhetin e Qendrës Kinematografike të Kosovës, i cili ka qenë diku rreth 750 mijë euro, ta rrisim për 100 për qind, me qëllimin e vetëm që gjithë njerëzit që e punojnë filmin të kenë mbështetjen e duhur të shtetit", ka thënë Gashi.

Ndërsa Veton Nurkollari, drejtor artistik i DokuFest-it, ka ngritur një paralele në mes të prodhimit të filmave në Kosovë, dhe njohjeve ndërkombëtare për shtetin e ri.

Nurkollari: Më shumë filma, më shumë njohje për Kosovën

"Dua ta shfrytëzoj këtë rast dhe ta falënderoj ministrin për atë që e përmendi para pak çasteve, për një lajm të jashtzakonshëm, për dyfishimin e buxhetit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, që në përkthim do të thotë më shumë filma nga Kosova për Kosovën, më shumë njohje ndërkombëtarisht me anë të filmit dhe unë shpresoj që ai dyfishim të trefishohet, katërfishohet dhe të kemi sa më shumë suksese", ka thënë Nurkollari.

Kjo ministri do të ofrojë mbështetje për DokuFest-in edhe vitin e ardhshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat