Dëshmori, Vezir Demaj

Kultura

Dëshmori, Vezir Demaj

Nga: Harry Bajraktari Më: 15 gusht 2018 Në ora: 22:39

Vezir Ademaj, dëshmor i kombit, para 20 vjetësh ra trimërisht për lirinë e Kosovës në Kallavajë të Junikut, përballë forcave të shumta ushtarake e policore serbe. Veziri ishte njëri nga tetë fëmijët e prindërve: Hysen dhe Mejreme Ademaj nga Sheremetaj i Rekës së Keqe, komuna Gjakovë. Përveç Vezirit që ra në fushë-betejë, në radhët e UÇK-së nga kjo familje patriotike ishin rekrutuar edhe dy vëllezërit e tij: Shaqiri dhe Rasimi, derisa kulla e tyre ishte bërë bazë ushtarake e UÇK-së. 

Vezir Ademaj qysh në moshë të re nga prindërit, nga leximi i librave të ndryshëm, si dhe nga inspirimi i kullës trikatëshe, në të cilën kishin kaluar shumë atdhatarë e njerëz të dijes e kanunit, kishte mësuar historinë e krimeve serbe mbi shqiptarët. Dhe kështu, duke parë gjendjen tejet të rëndë në Kosovë, pas vitit 1981, derisa ishte në shkollë të mesme dhe në fakultet, filloi të merrej me aktivitete të ndryshme, duke u bërë pjesë e protestave dhe demonstratave që organizoheshin në Prishtinë dhe në qytetet tjera kundër regjimit serb. Veprimtaria e tij u bie në sy njerëzve të politikës serbe dhe kështu ia ndërpren mësimet, duke mobilizuar dhunshëm në shërbimin ushtarak jugosllav. Dërgohet në Tivar, në Mal të Zi, në vendin ku në pranverën e vitit 1945 ishin masakruar shumë shqiptarë të mobilizuar. Këtu, Vezir Ademaj, u ndesh me urrejtje dhe provokime të lloj-llojshme nga eprorët ushtarakë serbë. Ai këtë ushtri e ndjente të huaj dhe armiqësor, e braktis dhe kthehet në Kosovë.

Në rrethana të tilla të keqësuara pas arratisjes, e vetmja rrugë i mbeti dalja jashtë Kosovës, i bindur se një ditë do të kthehej dhe do t'i dilte zot popullit të tij të robëruar. 
Vezir Ademaj vendoset në Zvicër. Kishte prirje për Kik-Boksi dhe angazhohet në këtë disiplinë sportive. Për një kohë shumë të shkurtër afirmohet, si më i miri në këtë vend. Në vitin 1994 shpallet kampion i Zvicrës. Një vit më vonë Vezir Ademaj, bëhet kampion evropian në Kik-boks.

Jetën e kishte përpara dhe kur Kosova kishte nevojë për krah lufte, Vezir Ademaj të gjitha këtyre të mirave ua kthej shpinëni dhe me uniformë të UÇK-së, mori rrugën për Kosovë, në Sheremetaj, në vendlindjen e tij. Aty fillon aktivitetin ushtarak. Bie në kontakt me disa luftëtarë dhe komandantë të kësaj zone dhe me Shtabin e Luftës në Gllogjan, që udhëheqej nga komandanti i Dukagjinit, e tash kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj. 
Në Shtabin e Luftës në Gllogjan, dorëzon një shumë parshë për blerje të armatimit.

Në oborrin e Shkollës Fillore në Sheremetaj, bëri përgatitjen e të rinjëve për luftë. Duke parë zotësinë e tij, ai emrohet komandant i njësisë speciale "Komando" për rajonin e Rekës së Keqe. Vezir Ademaj mbante nofkën "Alfredi" ku të njëjtën e kishte pasur edhe në Zvicër. Tregoi trimëri të jashtëzaknshme në luftimet në Smolicë, në pjesët tjera të Rekës së Keqe, pastaj në luftimet në Rahovec, në ovensivën në Baballoq dhe Prejlep.

Ra heroikisht më 25 korrik 1998 në luftën e Junikut, në Kallavajë. Me ceremoni ushtarake u varros në vendlindje.
Sot përveç Shkollës Fillore në Sheremetaj që mban emrin e tij dhe të bashkëluftëtarit të rënë për liri, Hysen Arifi, emrin e Vezir Ademajt e mban edhe një rrugë në Gjakovë dhe një tjetër në vendlindjen e tij, në Sheremetaj.
Pas përfundimit të luftës me z. Rrustem Gecajn udhëtuam në Kosovë dhe, përveç që vizituam disa qytete dhe fshatra të djegura e të shkatërruara nga forcat serbe, shkuam edhe në fashtin Sheremetaj për t' i shprehur mirënjohje kësaj familjeje që kishte dhënë për lirinë e Kosovës.
Familja Ademaj vazhdon edhe sot me aktivitete të ndryshme atdhetare, duke afirmuar proceset pozitive në ndërtimin e shtetit dhe të demokracisë në Kosovë.

Dr. Hasan Ademaj, vëllai i dëshmorit, i cili jeton në New York, është i njohur në komunitetin tonë shqiptaro-amerikan për kontributin e tij rreth të gjitha proceseve para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Dr. Ademaj ka ndihmuar edhe shumë bashkatdhetarë që kanë ardhur nga viset tona shqiptare në New York.
Duhet të punojmë shumë më tepër që vlerat e luftës për liri të jenë inspirim i përhershëm për ne dhe për fëmijët tanë që do të vijnë pas nesh.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat