“KUMT”, koreodramë me një këndvështrim nga syri i sotëm

Kultura

“KUMT”, koreodramë me një këndvështrim nga syri i sotëm

Më: 25 shtator 2018 Në ora: 16:06
Koreodrama “KUMT"

Nesër shfaqet premiera e koreodramës “KUMT”, kushtuar Gjergj Kastrioti- Skënderbeut, në 550-vjetorin e vdekjes dhe vitit mbarëkombëtar kushtuar heroit kombëtar shqiptar.

Regjisori dhe koreografi Gjergj Prevazi tha se kjo shfaqje merr elemente bazike tradicionale folklorike, por me një qasje bashkëkohore.

Prevazi: Një shfaqje që merr nga tradita, por me një këndvështrim nga syri i sotëm

“Me këtë shfaqje unë i qasem një forme e cila është gjithnjë e më e pranishme në skenar evropiane, që i përket estetikës së folkut konteperal. Pra, është një shfaqje e cila merr elementet bazike tradicional folklorik, por me një qasje, me një këndvështrim nga syri i sotëm, syri bashkëkohor. Shfaqja ka shumë komponent, për shfaqjen është kompozuar muzikë e re nga kompozitori Valton Beqiri, është ndërhyrë në kostume, ku kostumografja Vesa Kraja ka bërë një ndërhyrje në kostume ku ka trajtuar me mjete të lehta duke modernizuar sadopak pamjen e kostumeve tona”, tha ai.

Gjithashtu, regjisori u shpreh se kjo shfaqje nuk është e formatit të zakonshëm, por është një koncept më i gjerë me një qasje më teatrale.

Prevazi: Është një koncept më i gjerë me një qasje më teatrale

“Sfida e dytë e madhe natyrisht ka qenë sfida e vet trupës së Ansamblit ‘Shota’, sepse është një format i cili nuk është i zakonshëm. Pra, ju nuk do të shikoni nesër mbrëma një shfaqje të formatit të përhershëm, këngë, valle, këngë, valle, por është një koncept më i gjerë me një qasje më teatrale. Ka një temë, një fabul, e cila nuk vjen në formën e adaptimit, por vjen si kalim i gjendjesh. Unë e kam mendimin tim personal që ansamble të tilla ose formacione të tilla, të cilat janë formacione të traditës me gjithë vlerat e jashtëzakonshme që mbartin në ruajtjen e vlerave tona kulturore, të trashëgimisë tonë kulturore, duhet të përpiqemi vazhdimisht të gjejmë një përshtatje bashkëkohore për një qasje të tashme karshi qoftë edhe traditës sonë, pasi brezat e rinj në gjykimin tim personal nuk janë aq të prirë karshi elementeve folklorike burimore, sesa janë të prirë drejt një zhvillimi më global ”, u shpreh ai.

E për këtë ai tha se përpos detyrës për të ruajtur vlerat, e kanë detyrë që t’i përshtaten edhe kohës së tashme.

Drejtori i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, Shefqet Gjocaj, tha se përkundër vështirësive që kanë pasur, shpreson se kjo koreodramë do të mirëpritet nga publiku.

Gjocaj: Kjo punë avancon gjithë trupën artistike të ansamblit

“Edhe me gjithë vështirësitë që i kemi pasur si ansambël me komunitetin artistik, me mungesë të fondeve, me greva, me të gjitha, megjithatë besoj që ia kemi arritur qëllimit. Tash jemi në prag të premierës, jemi të lumtur që premiera po realizohet në kohën që e kishim premtuar, më datën 26 shtator, do të thotë ditën e nesërme. Unë besoj shumë që është një format i ri, është një punë e lodhshme, por që audienca të gjithë kanë çka me pa. Besoj që kjo punë e promovon edhe e avancon edhe të gjithë trupën artistike të ansamblit Shota”, tha ai.

Ndërkaq, për muzikën e kësaj koreodrame është përkujdesur Valton Beqiri, i cili ka treguar se si kanë ardhur deri te përzgjedhja e muzikës.

Beqiri: Sfida ka qenë në qasjen ndaj këngëve të ndryshme

“Sfida ka qenë në qasjen ndaj këngëve të ndryshme, sepse e gjithë shfaqja ndahet kushtimisht në dy pjesë bazike, njëra është pjesa e parë e cila pra e formëson edhe karakterin e Skënderbeut dhe pjesa e dytë ajo e dasmës dhe e kemi menduar se si do të ishte një dasmë e një Skënderbeut të sotshëm. Pra, si do ta realizonte ai dasmën, e vetmja mënyrë ka qenë që ai t’i ftojë mysafirët nga e gjithë trojet shqiptare, pra kemi blloqe të ndryshme të këngëve dhe valleve nga Kosova, Shqipëria e jugut, Çamëria, Shqipëria e mesme, dhe këngët arbëreshe. Kushtimisht, të gjitha trojet shqiptare janë prezentë në këtë dasmë”, tha ai.

Në anën tjetër, solisti Besnik Grajçevci, tha se për të është privilegj që do të interpretojë rolin e një figure madhështore siç është Skënderbeu.

Grajçevci: Është privilegj që interpretojmë dy figura madhështore

“Është një privilegj për neve që kemi mundësinë me interpretua dy figura madhështore për gjithë kombin tonë dhe uroj që t’ia dalim dhe ta përfaqësojmë në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha ai.

Ndryshe, shfaqja do të ketë premierën në Teatrin Kombëtar të Kosovës me fillim nga ora 20.00.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat