Zbulohen emrat: Ja kush nga BDI do të thirret si dëshmitarë në rastin “Kumanova”

Kumanova

Zbulohen emrat: Ja kush nga BDI do të thirret si dëshmitarë në rastin “Kumanova”

Më: 21 tetor 2016 Në ora: 12:07
Grupi Kumanova

Avokati mbrojtës i rastit “Lagjja e Trimave – Kumanova”, Naser Raufi, në seancën e sotme gjyqësore ku po mbahej gjykimi i Sulejman Osmanit, i cili është pjesë e “grupit të armatosur të Kumanovës”, ka zbuluar emrat e dëshmitarëve të cilët pala mbrojtëse do t’i ftojë në seancë gjyqësore.

Raufi ka thënë se në mesin e dëshmitarëve do të ketë politikanë dhe funksionarë nga radhët e pushtetit.

“Ali Ahmeti, Musa Xhaferi, Artan Grubi, Zimri Qamili, Arif Asani, Shenasi Mehmeti, Nimetulla Abdullahu, Sadulla Duraku, Sasho Mijallkov, Mitko Çavkov, Stojanço Angellov, Isni Shaqiri, Ejup Alimi..”, janë disa prej emrave të përmendur nga avokati mbrojtës Raufi.

Në seancën e sotme gjyqësore, i dyshuari nga Prokuroria Publike për veprat penale “terrorizëm” dhe për “logjistik të grupit të Kumanovës”, Sulejman Osman, ka thënë se nuk ndjehet fajtor për veprat për të cilat Prokuroria Publike e akuzon në aktakuzën e saj.

Sulejman Osmani ose i quajtur si “Komandant Sula” është ekstraduar më 22 qershor të këtij viti, nga Kosova në Maqedoni.

55 vjeçari, ishte arrestuar në Kosovë në korrik 2015, pas një flet-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Maqedonia si i përfshirë në Grupin e Kumanovës, ku mbetën të vrarë tetë policë.

Osmani u bë i njohur për opinionin publik pas dorëzimit të të mbijetuarve të konfliktit, ku ai në mënyrë misterioze, me pranga në duar, arriti t’i ikë policisë maqedonase.

Osmani për disa media deklaroi se kishte arritur të arratiset, pasi ishte dërguar nga policia me helikopter për ta treguar vendin e fshehjes së armëve të grupit të armatosur afër fshatit Gushincë.

Gjykimi i Osmanit, bëhet ndaras nga 37 të akuzuarit të tjerë, pasi që nisi më vonë dhe Gjykata nuk pranoi për ta bashkuar lëndën, pasi që do të duhej të kishte rigjykim nga fillimi.

Përndryshe, vitin e kaluar në Lagjen e Trimave në Kumanovë, një grup i armatosur është përleshur me forcat e sigurisë të Maqedonisë. Nga rasti në fjalë, u vranë 8 policë nga njësitet speciale dhe nga njësitet e veçanta të MPB-së, 42 u plagosën. Ndërkaq, humbën jetën edhe 10 pjesëtar të grupit të armatosur.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat