Edhe Kumanova e mbërthyer nga ndotja, mbi 90% e amvisërive ngrohen me drunj

Kumanova

Edhe Kumanova e mbërthyer nga ndotja, mbi 90% e amvisërive ngrohen me drunj

Më: 28 dhjetor 2016 Në ora: 18:31
Pamje nga Kumanova

Edhe Kumanova së fundi ka probleme me ndotjen, sidomos gjatë stinës së dimrit, pasi që shumica e qytetarëve ngrohen me dru.

Tymi i oxhaqeve të ngritura në ajër duhet edhe me sy, por edhe matësit elektronik sipas Ministrisë së mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor tregojnë rritjen e nivelit të ndotjes dhe të grimcave PM.

Drejtori i njësisë rajonale të Ndërmarrjes “Pyjet e Maqedonisë” në Kumanovë, Vaid Sahiti, thotë se drunjtë vazhdojnë të jenë lënda e parë djegëse për ngrohje, deri sa nuk përdoren alternativa tjera.

“Kumanova së bashku me Komunën e Likovës dhe Nagoriçit të vjetër harxhojnë mbi 60.000m3 drunjë në vit. 98% e qytetarëve e këtij rajoni janë të furnizuar me drunjë”, tha ai.

Nga drejtoria qendrore e kësaj ndërmarrje apelojnë tek qytetarët që porositjen e drunjtëve për ngrohje ta bëjnë sa më herët që të mund të prehen drunjtë me kohë. Zëvendësdrejtori Toni Jovanov tha se ndotja e ajrit vjen edhe nga lagështia e drunjtëve që përdoren për ngrohje nëpër shtëpi.

“Në përgjithësi drunjtë për ngrohje duhet të jenë të tharë, me lagështi jo më të madhe se 10%, nuk e ndotin ajrin. Edhe drunjtë e tharë, por me lagështi deri në 20% ajrin e ndotin minimalisht. Problemi i ndotjes së ajrit nga drunjët e ngrohjes është në fakt lagështia e madhe e tyre”, u shpreh Jovanov.

Sipas të dhënave të Ndërmarrjes  Publike “Pyjet e Maqedonisë”, qytetarët gjatë këtij viti kanë porositur mbi 415 mijë metër kub drunj për ngrohje. Ata nuk e mohojnë faktin se ka prerje të paligjshme të drunjtëve dhe sipas drejtorie qendrore vjedhja e tyre nga malet rrit shifrën e përdorimit të drunjtëve për ngrohje.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat