‘Bukë dhe vegetë’, është ushqimi në tryezën e familjes kumanovare

Kumanova

‘Bukë dhe vegetë’, është ushqimi në tryezën e familjes kumanovare

Më: 19 janar 2017 Në ora: 11:43
Ilustrim

Bukë dhe vegetë. Ky është ushqimi më i shpeshtë në tryezën e familjes Stanishkovski nga fshati Dobroshan i Kumanovës. Amvisja Vidanka e di që nuk hahet çdo ditë ushqim i thatë, por frigoriferi i tyre është bosh. Banjë nuk kanë. Lahen në koritë në dhomë, ndërsa tualeti është jashtë në oborr. Ajo thotë se edhe shporeti nuk pjek mirë, ndërsa nuk ka ujë as për larje të rrobave dhe enëve.

“Për t’i larë rrobat, ujë marr nga bunari. Po, është shumë vështirë. Nuk mundem as enët t’i laj siç duhet”, thotë ajo.

Kjo familje e varfër pesëanëtarëshe tanimë me muaj nuk ka as rrymë elektrike dhe as ujë nga ujësjellësi. Marjani thotë se të jetuarit në një shtëpi si kjo është si në varrezë, raporton 21.

“Për t’i ushqyer fëmijët, mbledh hekurishte. Tjetër nuk kam asgjë. Me 2000 denarë nuk jetohet me pesë anëtarë. Gjithë kohën fryn si në varreza. Pse të jetë kështu? Jetojmë pa rrymë. Çfarë të bëj? Kështu nuk jetohet”, u shpreh ai.

Mbesën e familjes Stanishkovskit, Evën trivjeçare e gjetëm duke fjetur. Në vend të shishes me qumësht, flinte me gishtin në gojë. E ëma thotë se më së shpeshti, shishja e saj është e mbushur përgjysmë dhe shton se dëshira e saj më e madhe është që edhe Eva të ketë fëmijëri normale sikurse fëmijët e tjerë.

“Të ketë dhomë të mirë, të ketë një krevat të mirë. Dëshiron të hajë, nuk kam me çka ta ushqejë”, thotë ajo.

Në mungesë të ujit, Marjani detyrohet që çdo ditë të udhëtojë disa kilometra për të mbushur ujë nga bunari.

Për familjen Stanishkovski, të ardhurat e vetme të rregullta janë vetëm 2000 denarë ndihmë sociale. A mjafton kjo për ta paguar borxhin e rrymës që u ngjit në 1000 euro. Përveç kësaj, thonë se asnjë anëtar i rritur i familjes nuk është i aftë për punë.

E lamë familjen Stanishkovski në shtëpizën e tyre të vjetruar, me shpresë se do të gjenden njerëz humanë për t’u ndihmuar. 

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat