Rasti “Kumanova”, vazhdon enigma: “Dikush” e thirri grupin e armatosur në Kumanovë

Kumanova

Rasti “Kumanova”, vazhdon enigma: “Dikush” e thirri grupin e armatosur në Kumanovë

Më: 23 mars 2017 Në ora: 22:13
Gjykimi i rastit Kumanova

Bajram Elshani, njëri prej të akuzuarve në rastin e Kumanovës, sot para gjykatës ka dëshmuar rreth rastin në fjalë. Ai ka përshkruar ecurinë si është gjendur në Kumanovë, ndërhyrjen e policisë në Lagjen e Trimave në Kumanovë dhe torturën ç’njerëzore të policisë ndaj grupit pas dorëzimit,.

Vazhdon të mbetet enigmë se kush e solli grupin në Kumanovë, si u siguruan të njëjtit. Shumë të akuzuar deri më tani kanë përmendur se Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj kanë kontaktuar me njerëz në Maqedoni, por ende mbetet te “dikush”- pa emër.

“Dikush i ka thirr prej këtu. Nuk e di kush. Edhe unë dua ta dijë kush na solli deri këtu. Mirsadi dhe Begi ishin kryesorët, duhej të dilnin me një komunikatë me 18/19 maj”, tha gjatë dëshmisë së tij Elshani.

“Nga përgjimet, shohim se nuk ka pasur interes ministrja dhe shteti të mos digjen shtëpitë, mos të vriten njerëz. Pushtetit i ka interesuar masakra. Ata e dinë arsyen pse. Ne nuk ishim të interesuar të bëjmë luftë në atë lagje. Kemi insistuar të mos ketë gjuajtje. Pushteti ka menduar se ne po frikësohemi. Arsyeja nuk ishte se jemi frikuar, por nuk kemi dashur të vriten civil, të parandalohet ngjarja, por dikush s’ka pasur interes. Nga dëshmitarët e mbrojtur, që kishin marrë pjesë në brifingje, kemi kuptuar se ato janë nisur në lagje për ta neutralizuar një grup. Ata ishin viktima, njëjtë si ne. Për këtë punë ata vet duhet të japin llogari. Ata nuk janë dërguar që të na arrestojnë. Policia shumë lehtë ka mundur të na bind për dorëzim. Ata veçmë na kishin rrethuar. Duhej të na kishin paralajmëruar dhe mundeshin të na japin kohë për t’u dorëzuar”, veçon më tutje gjatë dëshmisë së tij Bajram Elshani.

Ai ka dëshmuar edhe për torturën nga momenti i dorëzimit deri te gjykata e Maqedonisë. Përskaj shumë momenteve ç’njerëzore ai ka veçuar një rast, që për nga turpi nuk e ka treguar në detaje.

“Më kanë shty në WC, dy polic, njëri prej tyre është zhvesh …turpërohem të tregoj rastin, … ka qenë me uniformë të “Tigrave”. Unë sikur të isha terrorist nuk do të isha këtu. Por, fajtor jam vet që jam dorëzuar. Pastaj na kanë dërguar në gjykatë. Më shumë jam rrahur në objektin e gjykatës se sa në stacionin policor. Për mua, kjo jetë nuk është më interesant”, ka theksuar përgjatë dëshmisë së tij Elshani.

Në pyetjen e avokatit mbrojtës, a ka dëgjuar krisma në stacion policor?! Elshani ka thënë se nuk është i sigurt. “Më duket se ka pasur krisma. Nuk jam i sigurt, ndoshta veshët më kanë bë”, është përgjigjur Elshani.

Elshani ka rrëfyer edhe detaje nga takimi me Xhafer Zymberin dhe Samid Kastriotin. Ai tregon se në atë takim Zymberi dhe Kastrioti ia kanë treguar të a.q “bombat e Zoran Zaevit”.

“Një incizim kishte të bëjë me bisedën e ish ministres Gordana Jankullovska me njëfar Martin Protugjeri, kur thotë se shqiptarëve duhet me ju bë luftë. Pastaj në një incizim tjetër ku shqiptarët përfolen si racë e egër dhe ju thuhet “indianë” dhe në incizimin e tretë kur Zaev paralajmëron “Monstrën” dhe tregon se në burgje po qëndrojnë njerëz të pafajshëm”, tha Elshani.

Ai ka ngre dyshime për fotografinë e Mirsad Ndrecajt, ku shihet se është i vrarë. “Me një fotografi që na u është prezantuar këtu, ku shihet se Mirsad Ndrecaj është mbuluar me pluhur, me mbeturina, … Mirsadi krejt trupin e ka të mbuluar, ndërkaq në fotografi s’ka asgjë, asnjë grithje. Shikone atë fotografi mirë, ti je gjyqtare ti e vlerëson! Unë mendoj se ajo fotografi është e montuar”, dëshmoi Elshani.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat