Nxënësit në Kumanovë duhet të paguajnë 100 denarë për një karrige

Kumanova

Nxënësit në Kumanovë duhet të paguajnë 100 denarë për një karrige

Më: 2 prill 2017 Në ora: 18:58
Ilustrim

Para çdo fillimi të mësimit në shkollën fillore “Bajram Shabani” në Kumanovë, nxënësit duhet që nëpër klasat e tjera të gjejnë karrige për t’u ulur. Kështu ndodhë në këtë shkollë ku në shumë klasa hasen banka të gërvishtura e karrige të thyera. Arsimtarja e fizikës Xhejlane Selmani, pasi që i rehaton nxënësit në kabinetin e muzikës, thotë se inventari i vjetruar nuk është problemi i vetëm në këtë shkollë.

“Po ka mungesë, madje ende shëtisim nëpër klasa. Një paralele komplet e kompenson klasën tjetër, çdo herë kush ka edukatë fizike, tek ajo klasë shkojmë të zhvillojmë mësimin. Prej katit parë deri tek i treti endemi për të gjetur ku ka klasë të lirë e pastaj të brengosemi për inventarin”, u shpreh Xhejlane Selmani për TV21.

Kjo situatë e shtyri Këshillin e prindërve të gjej donacion nga Gjermania për të sjell banka e karrige të reja. Megjithëse ato janë falas, ky Këshill kërkon nga nxënësit mjete për pagesën e transportit.

Kryetari i Këshillit të prindërve, Armend Destani, thotë se drejtoria e shkollës raportoi për inventarin e vjetruar, por është e pafuqishme financiarisht të paguaj transportin mbi 2.000 eurove. Ai tha se Këshilli vendosi të kërkojë nga 100 denarë për secilin nga 1.200 nxënësit e Shkollës fillore “Bajram Shabani”.

Nga Komuna e Kumanovës thonë se buxheti është i limituar dhe mundësia e vetme janë donacionet.

Ndërsa nga Ministria e Arsimit, thonë se në shkollat publike nuk duhet të kërkohen para nga nxënësit, por nuk japin përgjigje se pse nuk janë ndërmarr masat.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat