Premtim Iseni zgjidhet kryetar i degës së RDK-së në Kumanovë

Kumanova

Premtim Iseni zgjidhet kryetar i degës së RDK-së në Kumanovë

Më: 19 qershor 2017 Në ora: 13:06
Pamje nga mbledhja e degës së RDK-së në Kumanovë

Rilindja Demokratike Kombëtare vazhdon me rekonstruimet e mbrendshme partiake, si parapërgatitje për mbajtjen e Kongresit të dytë partiak. Në këtë drejtim, kuvendarët e zgjedhur të degës së RDK-së në Kumanovë dhe Likovë me aklamacion zgjodhën për kryetar dege magjistrantin e shkencave juridike dhe kontribuesin e madh të sektorit civil, z. Premtim Iseni. Krahas kryetarit, kuvendarët zgjodhën edhe sekretarin e degës magjistrin z. Fejzulla Arifi, kryesinë e degës, si dhe anëtarët e Kongresit nga rajoni i Kumanovës dhe Likovës. I pranishëm në këtë kuvend zgjedhor të degës ishte edhe kryetari i RDK-së Vesel Memedi.

Në fjalën e tij të rastit kryetari i sapozgjedhur i degës z. Premtim Iseni, falënderoi kuvendarët për besimin e dhënë, dhe u zotua se këtë besim nuk do e zhgënjejë kurrë. Për mua është një nder i madh, por nga ana tjetër është një sfidë dhe një përgjegjësi tepër e madhe. Duke patur parasysh këtë besim të dhënë, atëherë nuk na mbetet gjë tjetër përpos që menjëherë të vazhdojmë me punën bashkarisht me gjith ju, duke patur parasysh se jemi në prag të zgjedhjeve lokale. Jam i bindur se me një bashkëpunim dhe komunikim të gjerë do t'i kapërcejmë të gjitha pengesat dhe do t'ia arrijmë qëllimit për të siguruar një të ardhme më të mirë për shqiptarët e këtij vendi, gjë që është qëllimi kryesor i Rilindjes Demokratike Kombëtare", theksoi Premtim Iseni në fjalimin e tij, pas emërimit.

Në fjalën e tij të rastit, kryetari i RDK-së Vesel Memedi përgëzoi Kuvendin për zgjedhjen e kryetarit të degës, duke theksuar se z. Premtim Iseni ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen dhe zhvillimin e RDK-së në Kumanovë dhe Likovë që nga dita e parë e themelimit të RDK-së, dhe këtë do ta bëjë edhe më tutje. Kryetari Memedi foli rreth situatës aktuale politike duke theksuar se vendi kaloi një krizë të thellë dhe se mënyra e vetme për të vazhduar më tutje më këtë rrugëtim është rikthimi i sundimit të ligjit, fuqizimi i institucioneve të vendit, si dhe zhvillimi i një demokracie të mirëfilltë, në të kundërtën vendi sërrisht mund të gjendet para një kaosi me pasoja të rënda. Vendi ka nevojë për një mobilizim të madh të forcave progresive që të nxjerrin në sipërfaqe gjith të vërtetën e organizimit politik dhe shoqërorë në vend, dhe se vetëm pas këtij momenti mund të shpresohet për një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë pas. Beteja për drejtësi dhe të vërtetën kërkonë një sakrificë të madhe, dhe ne jemi shumë të vegjël në krahasim me njerëzit më të rëndësishëm të kombit dhe fesë që ka prodhuar bota, që ti ikim kësaj sakrifice, theksoi mes tjerash z. Memedi. Ai gjithashtu theksoi se përderisa vendi ndodhet para zgjedhjeve lokale, e gjith popullata duhet të jetë mjaft vigjilente dhe të mos lejojë në asnjë mënyrë që edhe më tutje të manipulohet në kurriz të tyre, dhe e gjitha në emër të kombit dhe fesë, theksoi kryetari i RDK-së Vesel Memedi.

 

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat