Maiat nuk e dinin kur është fundi i botës

Lajme

Maiat nuk e dinin kur është fundi i botës

Më: 14 tetor 2012 Në ora: 21:51

Sa më shumë i afrohemi atij 21 dhjetorit fatal, ekspertët e kalendarit të maiave po përpiqen çdo herë e më shumë të bindin njerëzit se maiat nuk e kanë parashikuar apokalipsin në fund të këtij viti.
Arkeologët, antropologët dhe shkencëtarë u takuan në qytetin meksikan të Meridas, për të diskutuar implikimet e kalendarit maian, i cili përbëhet nga 13 periudha me nga rreth 394 vjet, të ashtuquajtura baktune.

Ekspertët vlerësojnë se numërimi i viteve ka filluar më 3114 p.e.s., e baktuni 13, pra 5125 vite, duhet të përfundojnë më 21 dhjetor të këtij viti. Ata po ashtu vlerësojnë se numri 13 në kulturën maia kishte kuptim të veçantë, gjë që edhe në këtë rast ajo paraqet një moment historik, por jo diçka përfundimtare.

Arkeologu meksikan i cili punon në Institutin Kombëtar të Antropologjisë dhe Historisë, Alfredo Barrera, tha se maiat kanë parashikuar disa ngjarje, por kjo kishte të bënte me gjëra të rëndomta, si thatësira apo përhapja e sëmundjeve.

"Maiat kishin profeci, por jo në kuptimin fatalist, po në aspektin e ngjarjeve të cilat në konceptin ciklik historik mund të përsëriten edhe në të ardhmen”, tha Barrera.

Ekspertët gjithashtu vunë në dukje se maiat, të i njohur për kulturën e shkrimit, astronomisë dhe tempujve kompleksë, janë të njohur si një prej popujve më të përparuar indianë, kultura e të cilëve ka lulëzuan mes viteve 300-900, ndërsa ishin të interesuar për të ardhmen dhe atë përtej 21 dhjetorit të vitit 2012.

"Shumë monumentet të vjetra maiane flasin për ngjarjet në të ardhmen e largët”, ka thënë Geoffrey Braswell, një antropolog amerikan nga Universiteti California në San Diego.

"Maiat besonin se mund të parashikojnë të ardhmen. Për shembull, sundimtari maian i qytetit Palenquea, K'inich Hanaab Pakal, ka besuar se pas disa mijëra viteve do të kthehet në Tokë, prapë si sundimtar. Nga ana tjetër, disa monumente dëshmojnë për ngjarjet që ndodhën para vitit 3114 p.e.s.”, ka thënë Braswell për AP.

Vetëm disa referenca për datën e diskutueshme të këtij viti gjenden të gdhendura në monumentet ku maiat sundonin, por asnjëra nuk ndërlidhet me apokalipsin. Këto vizione në të vërtetë paraqiten në njëmijë vitet e fundit në Perëndim dhe janë të lidhura me mënyrën e krishtere të të menduarit, e jo si pjesë e kulturës maiane.

"Ky lloj i të menduarit nuk ka të bëjë asgjë me kulturën maiane, sepse apokalipsi dhe fundi i botës nuk janë pjesë e kulturës së tyre”, ka thënë Alexander Voss, antropolog në Universitetin Quintana Roo të Meksikës.

Kalendarin maian dhe sistemin e tij rrethor Braswell e krahason me matësit analogë të kilometrave.

"Sistemi i gjatë i kalendarit maian në fakt është një numërues i kilometrave në veturë. Makina ime e parë nuk ishte në gjendje të numërojë më shumë se 160 mijë kilometra, por kjo nuk do të thotë se po t’i kaloja ato makina ime do të shpërthente”, thotë ai, duke aluduar në apokalipsin dhe fundin e kalendarit maian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat