Bujqësia kërkon nga bankat kredi më të volitshme - Bota Sot
Bujqësia kërkon nga bankat kredi më të volitshme

Lajme

E premte, 29 korrik 2016

Bujqësia kërkon nga bankat kredi më të volitshme

Më: 19 tetor 2012 Në ora: 21:13

Mungesa e mjeteve monetare dhe kushtet e vështira të kreditimit llogariten të jenë ndër problemet kryesore me të cilat ballafaqohen agrobizneset në vendin tonë. Për zhvillimin e tyre kërkohet që edhe sektori bankar t’ju kushtojë vëmendje të veçantë. Këto vlerësime dolën sot nga një tryezë e rrumbullakët me temën “Financimi i agrobizneseve në Kosovë”, organizuar nga instituti “Riinvest”, ku u tha se 81 për qind e ndërmarrjeve që kanë shfrytëzuar agrokredi janë ballafaquar me kushte të vështira të kreditimit. Duke parë potencialin e madh të rritjes së sektorit të bujqësisë, u kërkua nga institucionet financiare një angazhim i shtuar për nxitjen e zhvillimit të agrobizneseve.Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci tha se qasja e deritashme e bankave ndaj sektorit të bujqësisë duhet të ndryshojë dhe se në funksion të tyre tashmë kanë vënë edhe fondin garantues për kredi bujqësore, përmes të cilit lehtësohet qasja e fermerëve në kredi bujqësore dhe krijohen mundësitë që bujqësia të mos trajtohet më si sektor me rrezikshmëri të lartë. Po ashtu, sipas Stavilecit, përmes këtij fondi janë krijuar mundësitë që agrobizneseve t’ju ofrohen kredi bujqësore me kushte shumë më të mira kredituese.

“Për t’i tejkaluar problemet me të cilat ballafaqohet ky sektor, ne kemi filluar me realizimin e shumë projekteve dhe njëra ndër to është edhe fondi garantues për kredi bujqësore, i cili ofron një zgjidhje momentale rreth kreditimit në sektorin e bujqësisë. Por, pasi të përfundojë regjistrimi bujqësor, kur Ministria e Bujqësisë të ketë një pasqyrë reale të gjendjes në terren dhe kur fermerët të regjistrohen, ata dhe agrobizneset do të përkrahen në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe tek kamatat e kredive bujqësore. Gjithashtu, në vitin e ardhshëm do të fillojmë të punojmë edhe në projektin për sigurimin nga dëmet e kulturave bujqësore, që do të jetë një mbështetje e madhe për fermerët kosovarë dhe do t’ju ofrojë siguri më të madhe edhe institucioneve bankare”, tha Stavileci.

Ai shtoi se ky sektor kontribuon edhe në uljen e papunësisë dhe me mbështetjen që është dhënë nga Ministria e Bujqësisë, vetëm gjatë viteve të fundit janë krijuar 2 175 vende të reja të punës.

Lumir Abdixhiku (Riinvest) tha se përveç problemit të financimit, një tjetër pengesë për zhvillimin e sektorit të bujqësisë është edhe mungesa e mbështetjes në periudhën e parë të aktivitet biznesor.

“Agrobizneset në Kosovë financohen vetëm 4 për qind prej institucioneve financiare, pra nuk shihen si biznese me kapacitet gjenerues. Sipas studimit të kryer, del se niveli i normave të interesit te bankat komerciale në Kosovë është i lartë dhe kjo përbën një rrezik dhe barrë për sukses, fitim dhe likuiditet të bizneseve”, tha Abdixhiku.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha se Kosova mbetet vendi i vetëm në Evropë ku bankat forcohen në kurriz të sektorit privat. “Sektori privat nuk zhvillohet dhe nuk avancohet pa mbështetjen e sektorit bankar”, tha Gërxhaliu.

Sipas studimit të kryer nga instituti “Riinvest”, sfida për zhvillimin e këtij sektori janë llojet e kufizuara të kulturave bujqësore, zinxhiri i vlerës i paorganizuar, shfrytëzimi joadekuat i inputeve, mospërmbushja e nevojave nga sektori financiar, deficiti i lartë tregtar, etj. Ndërsa, si sfida për sektorin bankar, në të cilat duhet të punohet më shumë në të ardhmen, janë vlerësuar mungesa e kredive afatgjate, mungesa e ‘grace’ periudhave të veçanta, normat e larta të interesit, mungesa e mjeteve moderne të vlerësimit të riskut, mungesa e produkteve alternative financiare, mungesa e diferencimit të produkteve financiare dhe vonesat në konfiskimin e kolateralit.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Çfarë tenton të arrijë Thaçi me përuljen që bëri para lapidarit të serbëve në Grackë të Lipjanit?

    Kërkon të “blejë" paqe me Serbinë

    Të heqë akuzat që janë përfolur ndaj tij

    Të mohoj gjenocidin serbë në Kosovë

    Të duket i mirë para ndërkombëtarëve

    Shiko rezultatet
test