Deklaratat e Ashton vlerësohen pozitivisht në Luginë

Lajme

Deklaratat e Ashton vlerësohen pozitivisht në Luginë

Më: 8 janar 2013 Në ora: 19:12

Shqiptarët e Luginës së Preshevës e kanë komentuar pozitivisht deklaratën e Baroneshës Catherine Ashton, duke vlerësuar se çështja e Përmendores së dëshmorëve të UÇPMB-së e vendosur në qendër të Preshevës, është kompetencë e pushtetit lokal e drejt kjo e marrë nga Konventa për pushtete lokale e Këshillit të Evropës. Ndërkohë që kjo deklaratë urojnë të lexohet drejtë edhe nga Beogradi zyrtarë.

Situata politike dhe e sigurisë në Luginën e Preshevës është trajtuar në një mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve që administrohen nga Serbia, ndërkohë që unanimisht kuvendarët e kanë përkrahur mbrojtjen e përmendores së Dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë, si dhe të gjitha monumenteve e simboleve kombëtare të vendosura në Luginën e Preshevës.

I pari i Këshillit Nacional Shqiptarë, Galip Beqiri, duke komentuar deklaratën e Baroneshës Ashton, se çështja e Përmendores është çështje e brendshme e Serbisë, ka theksuar se deklaratat kërcënuese janë të dëmshme dhe se Përmendorja duhet të mbetet aty ku e ka vendin.

E veçanta e deklaratës së Baroneshës Ashton, sipas Shaip Kamberit, ish kryetar i Komunës në Bujanoc, është kërkesa e saj drejtuar autoriteteve serbe për heqjen dorë nga dhuna.

Ndërkaq në Këshillin për të Drejtat e Njeriut të Luginës, konsiderohet se shqetësimet e Këshillit të Evropës mbi gjendjen në Luginë janë evidente dhe se kërkohet politik më proaktive për tejkalimin e kësaj situate.

Kërcënimet e vazhdueshme të kreut serb, për heqjen e Përmendores së Dëshmorëve të UÇPMB-së nga qendra e Preshevës, dhe kushtëzimi i kryeministrit serb për mos pjesëmarrje në vazhdimin e procesit të bisedimeve me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçin, kanë mobilizuar shqiptarët e Luginës së Preshevës, për mbrojtjen e monumentit të Dëshmorëve të UÇPMB-së, me të gjitha mjetet demokratike në dispozicion, përmes veprimeve konkrete duke filluar me mbajtjen e seancave të jashtëzakonshme të Kuvendeve me shumicë shqiptare e duke mos përjashtuar edhe mbajtjen e protestave gjithëpopullore në këtë rajon.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat