Ternava: Agjërimi, devotshmëri, bujari e humanizëm

Lajme

Ternava: Agjërimi, devotshmëri, bujari e humanizëm

Më: 8 korrik 2013 Në ora: 13:13

Agjërimi është një forcë morale, e cila e shtynë njeriun që të jetë edhe më bujar, më i devotshëm më i afërt me njerëzit, ku adhurimi respekti e dashuria ndaj Allahut janë parime kyçe të besimtarit.
Të nderuar besimtarë, Vëllezër e motra! - Nesër (e martë 09.07.2013) është dita e parë e muajit të bekuar të Ramazanit, në të cilin i Madhi Zot zbriti Kuranin librin udhërrëfyes dhe drejtues për mbarë njerëzimin, nëpërmjet të cilit edhe obligoi agjërimin e këtij muaji. Këtij muaji edhe në të gjallë të Muhamedit a. s. iu kushtua një rëndësi e veçantë nga vlerat dhe mesazhet e paqes, solidaritetit dhe mëshirës që ka ky muaj. Edhe nga ne kërkohet një përkushtim edhe më i madh në fitimin e begative dhe të mirave që sjell ky muaj, muaj kur Allahu hap dyert e mëshirës e rahmetit për të gjithë ata, të cilët e kryejnë këtë adhurim me përkushtim e devotshmëri.
Agjërimi i muajit të bekuar të Ramazanit është një prej pesë fondamenteve bazë mbi të cilat sendërtohet feja Islame. Allahu xh.sh thotë: “O ju që keni besuar, agjërimi është bërë obligim, sikur që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush”. Agjërimi është rast ideal ku besimtari edhe më forcon bindjen e vetëmohimin, devotshmërinë karshi Krijuesit, ky është edhe qëllimi final i njeriut. Agjërimi është një forcë morale, e cila e shtynë njeriun që të jetë edhe më bujar, më i devotshëm më i afërt me njerëzit, ku adhurimi respekti e dashuria ndaj Allahut janë parime kyçe të besimtarit.
Ramazani ka për qëllim të përgatis shoqëri solidarizuese, ku mbizotëron dashuria, e respekti mes njerëzve, njohja e jo largimi është edhe thelbi i mesazhit që sjellë agjërimi i Ramazanit. Duke e ditur se njerëzit nëse nuk i bashkon e vërteta, atëherë do t’i përçajë e pavërteta, nëse nuk i bashkon adhurimi i Zotit, do t’i ndajë adhurimi i djallit. Pra ky muaj na përkujton edhe çastet e kërkimit të llogarisë nga ana e Zotit për njeriun, për jetën dhe angazhimin e tij në këtë botë.
Ndaj mësimet e këtij muaji porosisin që zemra e shpirti i besimtarëve në vazhdimësi të jenë në shërbim të mirës dhe largimin nga e keqja, duke qenë në gjendje që ta pranojnë agjërimin si një disiplinë morale e njerëzore.
Vëllezër e motra!
Kur të jemi ulur për rreth tryezës në syfyr dhe iftar, duhet ta falënderojmë Allahun për begatitë e dhuruara, por ju porosis që të mendojmë edhe për ata, të cilët nuk kanë çfarë të servojnë në tryezat e tyre. Të ndajmë nga pasuria jonë, t’i begatojmë edhe ato tryeza, t’i gëzojmë edhe ata fëmijë varfanjakë që pa fajin e tyre kanë ardhur në këtë jetë dhe pa fajin e tyre jetojnë në varfëri. Ta zgjasim dorën e ndihmës nëse dëshirojmë që ndihma e Allahut të jetë mbi ne. Le të tregojmë me këtë rast solidaritetin dhe mirëkuptimin, dashurinë dhe mëshirën, sidomos ndaj jetimëve, skamnorëve sepse duke agjëruar ditët e Ramazanit, dhe duke e afruar shpirtin tonë edhe më shumë te Zoti, më shumë do t’i përjetojmë në thellësinë e ndërgjegjes sonë nevojat e tyre dhe përgjegjësinë tonë ndaj tyre. Këtu qëndron edhe arsyeja pse agjërimi i muajit të Ramazanit, sepse është forma më e lartë e devotshmërisë dhe moralit, e cila rangohet dhe vlerësohet shumë lartë tek Allahu xh. sh, adhurim që shpërblehet vetëm nga Ai.
Rikujtimi i vlerave që ka Ramazani na rikthen te Krijuesi dhe na bënë që t’i shtojmë në veprat e bamirësisë, duke kuptuar mirë misionin e këtij muaji, i cili ka për qëllim lartësimin e shpirtit të njeriut në raport me Zotin, në raport me njeriun duke i rikujtuar obligimet dhe përgjegjësit që i kemi ndaj njëri tjetrit. Duke ua rikujtuar thënien e Muhamedit a.s. - paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi te, i cili thotë: “Ai që agjëron Ramazanin me bindje, sinqeritet e përkushtim të plotë, do t’i falën mëkatet e tij të më hershme”.
Kam kënaqësinë që në emër të K.B.I.R.K., institucioneve të saj dhe në emrin tim personal t’jua uroj muajin e Ramazanit, të gjithë besimtarëve brenda trojeve tona etnike dhe mbarë mërgatës kudo që ata gjenden nëpër botë. Le të shpresojmë që me shfaqjen e hënës së re të Ramazanit, të gjithëve të na shoqërojë mëshira e Allahut dhe falja e Tij. Edhe njëherë urime ardhja e muajit të Ramazanit!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat