Amnistia dëmton me miliona euro avokatët

Lajme

Amnistia dëmton me miliona euro avokatët

Më: 10 korrik 2013 Në ora: 17:27

Projektligji për amnistinë, i cili ka buruar si rezultat i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe që pritet të hidhet për shqyrtim nesër në Kuvendin e Kosovës, përveç që lë të lirë kriminelet politik, ekonomik dhe ordiner në veri të Mitrovicës, do të dëmton buxhetin e Kosovës me miliona euro për shkak të mos ndëshkimit të krimeve ekonomike, por gjithashtu do të dëmtojë edhe avokatët.

Janë me qindra vepra penale të cilat i nënshtrohen amnistisë, duke filluar nga krimet politike, krimet ordinere, siç janë; vjedhja, fajdja, haraçi, delikti në komunikacion, veprat e ndryshme penale që lidhen me krimet ekonomike.

Avokatët tanimë nuk do të mund të përfshihen në përfaqësimin e lëndëve të cilat janë shkaktuar deri me tani e që nuk janë ngritur ende aktakuzat. Kjo ka bërë që avokatët të humbin miliona euro, kur kemi parasysh se kemi të bëjmë me persona që në mënyra të ndryshme kanë shfrytëzuar veriun për të përfituar para të majme.

Megjithatë, kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës Ibrahim Dobruna ka thënë për Kosovapress se ka pak rëndësi se sa lëndë do t’iu ikin avokatëve për shkak të amnistisë.

Mirëpo, Dobruna thotë se para së gjithash është e rëndësishme se çfarë përfitojnë qytetarët e Kosovës nga ky ligj, në funksion të politikave që ndërton shteti për qytetarët e saj.
“Se ky projektligj, pas aprovimit, a krijon parakushte për normalizim të jetës dhe integrimit të qytetarëve dhe a përmbush misionin e efektit të risocializimit të peronave që përfshihen në grupin e veprave penale të amnistuara?. Vlerësoi jashtëzakonisht debatin kritikë lidhur me këtë projekt ligj, si nga shoqëria civile, por edhe debatin argumentues pro dhe kontra të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Konsideroj se ky ligj në këtë moment i duhet Kosovës. Por jo në strukturën e këtij projektligji. Kjo për faktin se kur shikon propozimet, më tepër i ngjasojnë institutit të Faljes (për disa vepra mungojnë vetëm emrat e përveçëm!!!) se sa Amnistisë”, thotë Dobruna.

Dobruna mendon se nuk do të duhej të përfshiheshin veprat penale në amnisti kundër jetës dhe trupit, integritetit fizik dhe pronës, sepse do të arrihej kundër efekti duke krijuar pasiguri tek qytetarët për dy vlerat që janë objekt i mbrojtjes nga shteti ligjor kudo qoftë.

Sipas Dobrunes bije fjala, kanosja është një tregues i rrezikshëm dhe nëse përfshihet në amnisti, hap rrugë për keqkuptim dhe dërgon porosi se metoda e shtrëngimit është e pranueshme në këto hapësira.

“Pastaj, është pa sens propozimi për Amnesti të veprave të specifikuara sipas Ligjit Penal të KSAK-ës, nga se siç janë pasqyruar ato kategori të veprave ose janë gjykuar ose janë parashkruar, ngase për kohën që pretendohet se janë kryer kanë kaluar të gjitha afatet brenda të cilave do të mund të gjykoheshin të pandehurit. Duket, që strategjia e sponsorizuesit në gjithë përfshirjen e veprave për amnisti, u tregua e shkathët, ngase arriti të tërheq vëmendjen e kritikëve në pjesën më pak të rëndësishme duke shpenzua kohën dhe energjinë, për të lënë anash pjesën e projekt ligjit për kategorinë e veprave që i janë dedikuar marrëveshjes politike me qëllim të integrimit të pakicave të rrebeluara ndaj Pavarësisë së Kosovës”, ka shtuar ai.

Ndërsa, në anën tjetër avokati Korab Sejdiu i ka thënë Kosovapress-it se në këndvështrimin e avokatit ky projektligj shikohet nga dy qasje apo këndvështrime.
“Fillimisht duke u nisur nga shërbimi i klientëve që bëjnë avokatët ose një pjese dërmuese të avokatëve dhe klientëve që i përdorin për të iu shmang përgjegjësisë që kërkohet për veprat penale që po amnistohen. Mirëpo në aspektin tjetër kjo mund të kuptohet në një mënyrë edhe si zvogëlim i punës për avokatët, pasi që një numër jashtëzakonisht i lartë i personave ndaj të cilëve do të mund të ngritej ndonjë aktakuzë penale ata veç amnistohen, kështu që humbet një pjesë për të krijuar klientë që faktikisht zhduket me këtë projektligj”, ka thënë Sejdiu.
Megjithatë, ai thotë se ky projektligj është i përkohshëm pasi ky ligj i amniston deri me një datë të caktuar, dhe jo pas saj date.

Ndërkohë, lidhur me gjyqtarët dhe prokurorët, ka reaguar Instituti i Kosovës për Drejtësi. Sipas tyre, asnjë gjykatës dhe prokurorë nuk mund të emërohet nga përfaqësuesit politik por emërimi i tyre duhet të bazohet në kritere objektive, pasi është një nga proceset më të rëndësishme sa i përket pavarësisë dhe llogaridhënies.

“Askush nga përfaqësuesit politik nuk mund të vendosë mbi procesin e emërimeve për gjykatësit dhe prokurorët në Republikën e Kosovës, pa respektuar Kushtetutën dhe Ligjet mbi emërimin e tyre. Emërimin dhe shkarkimin e gjykatësve dhe prokurorëve në Republikën e Kosovës, mund ta bëjë vetëm Presidenti i Republikës, me propozim të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Republikës së Kosovës, respektivisht. Andaj, çfarëdo propozimesh që mund të vijnë nga përfaqësuesit e tjerë ndikojnë drejtpërdrejtë në pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit të drejtësisë në Kosovë”, thuhet në komunikatën e këtij Instituti.

Ndryshe, për miratimin e ligjit për amnistinë nga Kuvendi i Kosovës, do të nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve, ndërkohë që tashmë janë dhënë sinjale se rreth këtij miratimi do të ketë debate të ashpra në Kuvend.

Ligji për amnistinë, thuhet se rregullon kushtet dhe procedurën me të cilën jepet amnisti për personat të cilën janë dënuar për një vepër penale, personat të cilët janë nën ndjekje penale për vepra penale, apo personat të cilët mund të jenë objekt i ndjekjes penale për veprat penale të kryera para 20 qershorit të vitit 2013, brenda territorit që tani përbën Republikën e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat