Kuçi: S’ka amnisti për Zharkun, Xhemailin e djemtë e Grabovcit

Lajme

Kuçi: S’ka amnisti për Zharkun, Xhemailin e djemtë e Grabovcit

Më: 11 korrik 2013 Në ora: 23:03

Dy ish-kryetarët e komunave të Ferizajt e Kaçanikut, të cilët vijnë nga PDK-ja nuk mund t’i shpëtojnë burgimit dhe të përfitojnë nga Ligji për amnisti.

Numri dy i qeverisë, Hajredin Kuçi thotë se nuk do të amnistohen as Bajrush Xhemajli, Xhabir Zharku, e as djemtë e Adem Grabovcit, duke hequr dilemat se Ligji i miratuar sot në Kuvendin e Kosovës do t’i amnistojë kriminelët.

Krahu i djathtë i Thaçit, Kuçi, në emisionin Rubikon të KTV-së ka theksuar madje se ky ligji nuk amniston as krimet e luftës.

Ai tha se Kosova ka marrë disa obligime për t’i integruar serbët e veriut dhe se kjo fazë kalon edhe përmes amnistisë, kurse me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi janë fituar dy gjëra, integrimi i veriu dhe garancia ndërkombëtare.

Po ashtu, zëvendëskryeministri ka theksuar se Serbia ka hequr dorë nga ndarja e Kosovës, ndërsa ka thënë se bota po e ndihmon që ta integrojë pjesën veriore të territorit. Ai është i bindur se brenda pesë vjetëve Kosova do të jetë pjesë e BE-së, ndërsa ka thënë se pengesa e Kosovës në OKB është Rusia.

Zëvendëskryeministri Kuçi në Rubikon e ka pranuar se ka pasur kompromis me palën serbe edhe për datën e zgjedhjeve lokale.

Gjithashtu ai është shprehur i bindur se PDK-ja, nënkryetar i së cilës është edhe vetë, ka fuqi të fitojë shumicën e komunave në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Ai i ka ftuar partitë politike që të vendosin edhe kamera vëzhgimi gjatë votimeve, për t’i hequr dilemat se PDK-ja po vjedh vota.

Ai ka thënë se nuk do të ketë riformatizim të qeverisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat