Jahjaga: Gruaja reflekton llojin e shoqërisë

Lajme

Jahjaga: Gruaja reflekton llojin e shoqërisë

Më: 24 nëntor 2013 Në ora: 23:48

Në organizimin për lansimin e Qendrës Kërkimore për Studime Gjinore në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Prishtinës, mori pjesë edhe presidentja e vendit, Atifete Jahjaga.

Në fjalën e saj para të pranishmëve, Jahjaga tha se lansimi i themelimit të një dimensioni të ri akademik në Universitetin e Prishtinës, do të fuqizojë një krahë të fort, në përpjekjet dhe përkushtimin tonë si shoqëri për të avancuar rolin e grave në çdo fushë të jetës.

“Kjo iniciativë reflekton mbi përgjegjësitë që të gjithë kemi dhe që duhet të marrim përsipër për të avancuar pozitën e gruas në shoqërinë tonë, qofshim udhëheqës të institucioneve publike politike apo akademike, anëtarë të sektorit privat apo shoqërisë civile, apo qytetar të thjeshtë”, theksoi Jahjaga.

Ajo tha se këto përgjegjësi na prekin të gjithë neve pasi që, sipas saj, “pjesëmarrja e gruas, e gjysmës së shoqërisë, reflekton llojin e shoqërisë në të cilën duam të jetojmë, mirëqenien dhe progresin që duam të kemi, dhe botën që do t’jua lejmë trashëgim gjeneratave të ardhshme”.

“Kjo Qendër që sot është bërë një realitet, fryt i një bashkëpunimi të filluar në mes Zyrës sime dhe Universitetit Dartmouth gjatë vizitës që kisha atje vitin e kaluar, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Universitetit Dartmouth në Samit, dhe bisedave të vazhdueshme për nevojën e një Qendre të tillë në Kosovë, gjeti partnerin e duhur për ta realizuar atë - Universitetin e Prishtinës, duke zgjeron kështu gamën e mekanizmave që kanë pjesë të misionit të tyre jetësimin e Parimeve të Prishtinës”, tha Presidentja.

Ajo u shpreh e bindur se me punën e saj kjo Qendër do të rreshtohet pranë iniciativave të vazhdueshme të ndërmarra nga gratë me dekada të tëra për të avancuar rolin e tyre në shoqëri, me anë të misionit të saj për t’i shërbyer botës akademike dhe të gjithë shoqërisë, duke ndërtuar ura bashkëpunimi dhe mirëkuptimi ndërmjet institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, duke vënë në fokus rëndësinë që gruaja ka luajtur gjithmonë në zhvillimin e shoqërisë sonë, rol që vazhdon ta luaj çdo ditë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat