Pacolli, ngushëllon presidentin Zuma me rastin e vdekjes së Mandelas

Lajme

Pacolli, ngushëllon presidentin Zuma me rastin e vdekjes së Mandelas

Më: 6 dhjetor 2013 Në ora: 18:49

Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli i ka dërguar telegram ngushëllimi presidentit të Afrikës së Jugut, Jacob Gedleyihlekisa Zuma, me rastin e ndarjes nga jeta të Nelson Mandela.

Në telegram thuhet

SHKËLQESISË SË TIJ

JACOB GEDLEYIHLEKISA ZUMA
President i Republikës së Afrikës së Jugut
President i Kongresit Kombëtar Afrikan ANC

Shkëlqesia Juaj,
I dashur President,

Me hidhërim të madh mësova për vdekjen e Presidentit tuaj të përjetshëm, babait të kombit jugafrikan, Nelson Mandela. Ne gjendemi shumë larg gjeografikisht, por unë dhe populli im kemi shumë arsye për ta ndjerë këtë humbje.

Si ish President, si zëvendëskryeministër i Kosovës kam patur rastin të takohem me Ju disa herë, të vizitoj vendin tuaj të madh dhe të prek kështu nga afër rëndësinë e veprës së kësaj figure historike.

Pata rastin të kuptoja thellë pse Afrika e Jugut, gjithë kontinenti afrikan, gjithë bota mbante sytë nga shtrati ku luftonte me vdekjen, Nelson Mandela, një nga njerëzit më gjurmëlënës të shekullit të 20-të.

Ndërkohë si një popull që e ka përjetuar genocidin në momente të ndryshme të shekullit që shkoi, aparteidin veçanërisht në vitet 80-90 të shekullit të shkuar, ne kosovarët e kuptonim që më herët veprën e madhe të tij.

Ajo vepër la ndikimin në gjithë botën, në shumë revolucione dhe luftëra për vetëvendosje, për drejtësi midis racave, etnive dhe kombeve.

Këto janë arsyet i dashur President Zuma, pse ne kosovarët, së bashku me botën, së bashku me popujt miq të Afrikës, së bashku me afrikanojugorët, e kemi të fortë dhembjen për largimin e Presidentit Mandela nga jeta.

Bashkë me të u largua një copë e madhe historie. Respekti më i madh për figurën e Nelson Mandelës do të ishte ruajtja e trashëgimisë së jashtëzakonshme që ai la; Një shtet i barabartë për të gjithë qytetarët, pavarësisht racës, etnisë, bindjes politike dhe fesë.

Ne sot lutemi për shpirtin e tij, për familjen e tij, për trashëgiminë e tij politike dhe njerëzore.

Sinqerisht Juaji
Behgjet Pacolli,
Ish President i Republikës së Kosovës
President i Aleancës Kosova e Re

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat