Përmirësohet imazhi i Kosovës për turizëm

Lajme

Përmirësohet imazhi i Kosovës për turizëm

Më: 14 janar 2014 Në ora: 09:52

Kryetari i Shoqatës së Turizmit Alternativ të Kosovës (SHTAK), Baki Hoti, ka deklaruar se ka interesim të turistëve të huaj për ta vizituar Kosovën.
Sipas tij, turizmi në Kosovë është në rritje e sipër, sidomos turizmi malor. Hoti ka thënë se vlerësimi i Organizatës Botërore të Turizmit në projektin Majat e Ballkanit për Komunë e Pejës është një indikator i madh për zhvillimin e turizmit kosovar.
“Vlerësimi që ka bërë Organizata Botërore e Turizmit (OBT) për projektin Majat e Ballkanit, të cilin e ka shpallur si një ndër vendet më atraktiv për turizëm, është shumë i mirëseardhur për Kosovën, sepse aty kishte konkurrencë jashtëzakonisht të madhe. Vlerësimi nga OBT-ja ka ndikuar të ketë rritje të grupeve të interesuara, të cilët vijnë dhe vizitojnë Kosovën për shkak të reputacionit të Organizatës Botërore të Turizmit”, ka thënë ai.
Sipas tij, pozitive në këtë drejtim është edhe renditja e Prizrenit nga “MSN” si një ndër vendet më të bukura në botë.
Hoti për gazetën “Epoka e re” ka bërë me dije se në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar në Zyrën e Informimit në Shoqatën e Turizmit Alternativ të Kosovës (SHTAK) në Prishtinë kanë trokitur 11 260 turistë të huaj që janë interesuar për Turizmin në Kosovë dhe bukuritë që i ka Kosova.
“Interesim prej grupeve të turistëve ka nga të gjitha vendet, ne kemi një eksperiencë nga hapja e Zyrës Informative për Turistët, me ç’rast brenda gjashtë muajve kemi pasur 11 260 vizitorë të huaj. Ne mbajmë shënime të vazhdueshme për numrin e vizitorëve dhe vërehet një rritje e interesimit”, ka thënën ai.

Kryetari Hoti ka treguar se, përpos turistëve nga vendet e Evropës dhe Amerikës, tani ka filluar të vijnë në Kosovë edhe një fluksi i turistëve nga vendet aziatike.
“Tani ka filluar një fluks edhe i grupeve aziatike të turistëve, që korrespondon me atë se Kosova këtë vit për herë të parë është prezantuar në panairin e Tokios në Japoni, pra në pjesën Aziatike dhe ky prezantim është mbështetur nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) dhe Agjencia për Promovimin e Investimeve (APIK). Në këtë prezantim kishte një interesim të madh si nga individët, ashtu edhe nga grupet aziatike të turistëve dhe agjencitë turistike për Kosovën”, është shprehur Hoti.

Mirëpo, sipas tij, ajo çfarë është e rëndësishme dhe vlen të përmendet është krijimi i paketës turistike për vendet e Ballkanit, e cila shërben si urë lidhëse e turizmit në mes të vendeve të Ballkanit.
“Është shumë e rëndësishme krijimi i paketave turistike për vendet e Ballkanit dhe përfshirja e Kosovës në të, pasi kjo shërben për ndërlidhjet ndërkufitare të shteteve në aspektin e turizmit dhe ka bërë që edhe Kosova të jetë si një destinacion turistik karshi vendeve të Ballkanit”, ka deklaruar ai, duke shtuar se negativisht në tërheqjen e turistëve në Kosovë ndikon moskategorizimi i hoteleve.
“Moskategorizimi i hoteleve paraqet një ndër problemet për turizëm, pasi Kosova nuk ka hotel të kategorizuar në bazë të standardeve të kërkuara për 3 apo 5 yje, ashtu siç disa e deklarojnë, gjë kjo e cila ndikon në çmime dhe shërbimet e hoteleve. Problem tjetër kanë qenë edhe çmimet e larta të hoteleve krahasuar me vendet e Ballkanit, mirëpo në bashkëpunim me Këshillin e Hoteleve në Kosovë kemi kërkuar për ulje të çmimeve dhe një marrëveshje e tillë është arritur. Po ashtu, pengesë në këtë drejtim është edhe mungesa e statistikave për numrin e vizitorëve nga institucionet kompetente”, ka treguar ai.

Hoti ka paralajmëruar se në shkurt të këtij viti SHTAK pret nënshkrimin e pesë produkteve, të cilat do të kenë rëndësi për promovimin e Kosovës dhe do t’u mundësojë turistëve orientimin e duhur.
“Nga muaji shkurti presim nënshkrimin për pesë produkte që janë Broshura Gjenerale e Turizmit të Kosovës, uebfaqja kryesore për turizmin e Kosovës, dy aplikacione për telefonat android dhe iPhone si dhe broshura për hotele dhe agjencitë turistike. Krijimi i këtyre produkteve do të përkrahet nga MTI dhe APIKU”, ka thënë ai.

Hoti ka deklaruar se trendi i turizmit botëror ka filluar të ndryshojë dhe se grupet turistike nuk janë të interesuara ta vizitojnë një shtet për çdo vit, por të eksplorojnë vende të ndryshme.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës çështjen e turizmit duhet ta ketë prioritet për zhvillim ekonomik. “Ne kemi kërkuar disa herë edhe nëpërmjet medieve te Qeveria e Kosovës, që ta fusë si prioritet çështjen e turizmit kur, dihet se turizmi është shtylla kryesore e ekonomisë së një vendi. Turizmi nuk është vetëm një person që vjen dhe akomodohet me një hotel, por turizëm përfshinë shumë sektorë, qoftë bujqësinë, blegtorinë, qoftë transportin deri te një kioskë, e cila mund të përfitojë nga turizmi”, ka deklaruar Hoti.

Ai ka theksuar se SHTAK-u ka propozuar të përdoret një sistem anglez i mbledhjes së të dhënave, me anë të njëlloj aplikacioni, i cili do të vendosej në aeroport dhe në të gjitha pikat kufitare, në të cilin do të shënoheshin emri, mbiemri, shtetësia, destinacioni si dhe qëllimi i vizitës dhe koha e qëndrimit të turistëve. Ai ka bërë me dije se trendi i turizmit në botë ka ndryshuar sepse njerëzit nuk janë më të interesuar të vizitojnë një shtet tre apo katër herë, por të eksplorojnë kultura të ndryshme dhe në këtë kontekst, sipas tij, Kosova është një vend i dëshiruar.
“Shumë grupe të turistëve janë të interesuar ta vizitojnë Kosovën si një shtet të ri, i cili ka përjetuar një luftë të tmerrshme, e cila ka ndikuar të shkatërrohen shumë potenciale turistike. Turistëve u intereson të dinë se me çfarë kulture dhe mentaliteti përballet Kosova dhe çfarë shërbimesh ofron, kurse Malet e Sharrit, Prizreni, Peja, Brezovica janë vendet më të preferuara për ta”, ka thënën ai.
Hoti ka deklaruar se SHTAK-u i ka ndihmuar agjencitë turistike, duke iu krijuar mundësi të kenë kontakte me të gjithë turopatorët e rajonit. “Ka filluar një bashkëpunim edhe me disa turopatorë nga Serbia, të cilat po sjellin grupe të turistëve dhe po e vizitojnë këtë pjesë, andej ne jemi të kënaqur nga grupi i turistëve që vijnë nga kjo paketë.
Ndërsa e mira tjetër nga kjo pako është se një vizitor mund të marrë një paketë turistike në Shqipëri dhe vendet e rajonit për Kosovën dhe anasjelltas. Andaj, kjo bën që një grup i turistëve të huaj e kanë më të lehtë që brenda 6 deri në 10 ditë të pushimit t’i vizitojnë pesë apo gjashtë shtete të Ballkanit”, ka deklaruar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat