Tahiri: Maqedonasit ishin në gjendje ta zhbinin nga dheu një lagje të tërë shqiptare

Lajme

Tahiri: Maqedonasit ishin në gjendje ta zhbinin nga dheu një lagje të tërë shqiptare

Nga: Intervistoi: Nehat SHAQIRI Më: 12 maj 2015 Në ora: 13:51

“Tani dikush mund të preferojë të merret me vetë konfliktin si një incident të izoluar, por ishte vetë reagimi i ashpër i forcave shtetërore të Maqedonisë, që shpërfaq mosdurimin dhe tensionet etnike. Nga ajo që deri tani shohim nëpërmes pamjeve filmike nga Kumanova, duket se sikur grupi i armatosur të mos dorëzohej, autoritetet ishin në gjendje të zhbinin nga dheu një lagje të tërë pa asnjë konsideratë për banorët dhe të mirat e tyre materiale”, thotë politologu Mentor Tahiri gjatë një interviste për gazetën “Bota sot”.

“Bota sot”: Si i shihni këto zhvillimet e fundit që ndodhën në Kumanovë?

Mentor Tahiri: Në një ambient, ku për realizimin e të drejtave qytetare dhe etnike, injorohen mjetet normale politike, atëherë krijohet hapësirë për ekstremizma. Konfliktin e armatosur në Kumanovë, vërtetë duhet analizuar me të gjitha të panjohurat dhe dyshimet që ai bartë me vete, por mbi të gjitha duhet trajtuar situatën e brishtë politike e cila prodhon vazhdimisht tensione. Në rastin e Kumanovës, shkalla e konfliktit, duhet të na alarmojë për një situatë e cila mundet në tërësi të del nga kontrolli në shkallë vendi. Mekanizmat e komunitetit ndërkombëtarë, si ato që janë prezentë, ashtu edhe sikur ato që nuk janë në Maqedoni, duhet të alarmohen nga shkalla e dhunës.

“Bota sot”: Si e trajtoni sulmin e forcave maqedonase kundër Grupit të UÇK-së dhe faktin që sulmi u ndërmore brenda një lagje të populluar, duke mos anashkaluar as qytetarët e rëndomtë?

Tahiri: Tani dikush mund të preferojë të merret me vetë konfliktin si një incident të izoluar, por ishte vetë reagimi i ashpër i forcave shtetërore të Maqedonisë, që shpërfaq mosdurimin dhe tensionet etnike. Nga ajo që deri tani shohim nëpërmes pamjeve filmike nga Kumanova, duket se sikur grupi i armatosur të mos dorëzohej, autoritetet ishin në gjendje të zhbinin nga dheu një lagje të tërë pa asnjë konsideratë për banorët dhe të mirat e tyre materiale. Çështja është nëse një gjë të tillë do ta bënin në një lagje e cila nuk do të ishte e banuar me shqiptarë?

“Bota sot”: Ku e shihni tani e tutje rolin e faktorit politik shqiptar në Maqedoni?

Tahiri: Konflikti i armatosur në Kumanovë ka sjellë Maqedoninë brenda një faze të re politike dhe në një gjendje kaotike sa i përket sigurisë. Është e diskutueshme nëse Maqedonisë i ka mbetur autoritet që të zgjedh problemet. Sikurse është gjithnjë më evidente se është cenuar edhe legjitimiteti i partive politike shqiptare në Maqedoni. Tani, si pasojë e mosgatishmërisë politike, në një gjendje të krijuar si kjo, është e qartë se çështja e lirive në Maqedoni, nuk mund të zgjidhet brenda një Maqedonie të izoluar. Është i pashmangshëm fakti se çështja e lirive dhe barazisë në Maqedoni zgjidhet përmes ndërkombëtarizimit, respektivisht lehtësimit të proceseve politike nga ana e faktorit ndërkombëtarë. Më asgjë nuk mund të jetë si para këtij konflikti, kurse kjo vërehet qartë edhe nga deklaratat e përfaqësuesve të ndryshëm të komunitetit ndërkombëtarë, përfshirë edhe ata të rajonit. Mbase në këtë drejtim zëri më i qartë erdhi nga Bullgaria dhe Greqia, gjë qe flet për një izolim politik të qeverisë së sotme të Maqedonisë.

“Bota sot”: Por a nuk ishte Marrëveshja e Ohrit kompromis i realizuar nën garancitë e faktorit ndërkombëtarë?

Tahiri: Është fakt se faktori ndërkombëtarë qëndron fuqishëm si palë garantuese e Marrëveshjes së vitit 2001. Natyrisht, faktori ndërkombëtarë i ka besuar implementimin qeverisë në Shkup. Por, tensionet e vazhdueshme dhe gjendja reale e pabarazisë së shqiptarëve, tani shprehen më qartë se asnjëherë. Deklaratat e këtyre ditëve që faktori ndërkombëtarë ia drejtoi qeverisë në Shkup, duket se janë më të pjekura se asnjëherë. Qeveria në Shkup ka dështuar të jetë palë serioze.

Kryengritja e armatosur e vitit 2001, përfundoi me një kompromis, Marrëveshjen e Ohrit. Që nga atëherë, implementimi i çdo obligimi të dalë nga kjo marrëveshje, është realizuar vetëm me trysni politike. Qeveria në Shkup, asnjëherë nuk ka treguar gatishmërinë e saj, për të implementuar marrëveshjen, dhe vazhdimisht ka përdorur lojëra të ndryshme politike për të sabotuar ligje që kanë të bëjnë me avancimin e të drejtave të shqiptarëve. Prandaj këta ligje sot, janë disi të paplotësuara, konfuze, kurse zbatimi i tyre në terren është në fakt ana më negative e procesit. E gjithë kjo, ka krijuar një shoqëri shumetnikë, të kontrolluar ashpër nga aparati shtetëror deri në çdo detaj.

Pozicioni i gjuhës shqipe në Maqedoni, flet vetvetiu për barrierat paradoksale ligjore, ku implementimi i frymës së Marrëveshjes së Ohrit, bëhet vetëm deri në masën kur ky implementim mbikëqyret drejtpërdrejtë nga shqiptarët. Aty ku shqiptarët nuk janë autoritet lokal, implementimi bëhet vetëm sa për sy e faqe dhe nuk është funksional, apo edhe nuk realizohet fare, dygjuhësia në qytetin e Shkupit, apo edhe në përgjithësi kudo ku shqiptarët nuk janë shumicë, është shembull i këtij obstruksioni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat