Në Maqedoni nuk kishte konflikt lufte, askush nuk ndëshkohet!

Lajme

Në Maqedoni nuk kishte konflikt lufte, askush nuk ndëshkohet!

Më: 13 maj 2015 Në ora: 09:29

Konflikti 40 orësh në Kumanovë, me 9 e 10 maj, pos 22 të vdekurve dhe shkatërrimit total të Lagjes së Trimave, ka rezultuar edhe me 30 persona të arrestuar - 18 prej të cilëve besohet se janë shtetas të Kosovës.

Gjykata Themelore e Shkupit të gjithë të arrestuarve ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për veprën penale – “krim i organizuar”.

Por, në çfarë mënyre i trajton Republika e Kosovës qytetarët e saj të cilët kryejnë vepra penale në shtetet tjera?

Avokati Arianit Koci i ka thënë Klan Kosovës se adresa e parë për mbrojtjen e interesave juridike të qytetarëve kosovarë jashtë Kosovës është Ambasada e Kosovës.

“Në momentin kur një qytetar kosovar ka probleme me ligjin, respektivisht arrestohet, shteti i cili e ka arrestuar atë e ka obligim që me kërkesë të të arrestuarit menjëherë ta informojë Ambasadën e Kosovës”.

“Personi përgjegjës në Ambasadë ka autorizim ligjor dhe duhet menjëherë ta vizitojë shtetasin e paraburgosur në qendrën e paraburgimit”.

Koci tha se edhe në rastin e fundit në Kumanovë, procedura s’ka pse të jetë ndryshe.

“Në rastin konkret, Gjykata në Maqedoni, me kërkesë të të paraburgosurit, është e obliguar që menjëherë t’ia mundësojë zyrtarit të Ambasadës së Kosovës vizitën në qendrën e paraburgimit, si dhe komplet dokumentacionin se për çfarë vepre po dyshohet”.

Por, Ambasada e Kosovës në Shkup ende nuk i ka kontaktuar të arrestuarit. Mosreagimi i misionit diplomatik të Kosovës atje arsyetohet me mospasjen e informatave zyrtare.

“Ne ende nuk kemi kurrfarë informatash – as nga policia e Maqedonisë, as nga Gjykata. Në momentin që do të kemi diçka të konfirmuar zyrtarisht, ne do përgjigjemi”,tha një zyrtar i ambasadës, pa pranuar t’i përmendet emri.

Klan Kosova ka bëtë përpjekje për ta kontaktuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, por asnjë nga zyrtarët e saj nuk ka kthyer përgjigje.

Avokati Koci, megjithatë, kujton se ka situata kur Ambasada nuk ka mundësi të ndërhyjë. “Ka raste kur i arrestuari apo i paraburgosuri nuk pranon që të informohet Ambasada e shtetit amë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat