​Isa Boletini, shembull i frymëzimit patriotik për brezat e rinj (Foto)

Lajme

​Isa Boletini, shembull i frymëzimit patriotik për brezat e rinj (Foto)

Më: 9 qershor 2015 Në ora: 07:04

(E plotësuar) Pas homazheve që iu bënë eshtrave të heroit kombëtarë Isa Boletini në Prishtinë, arkivoli ka vazhduar në rrugën për qytetin e Mitrovicës.
Eskorta që barte eshtrat e tij, në Mitrovicë ka arritë pak pas orës 19:00. Nesër, në stadiumin e qytetit, “Adem Jashari” qytetarët do të kenë mundësi që të bëjnë homazhe duke filluar në orën 8:30 e deri në pas orës 15:00 kur edhe arkivoli merr rrugë për në Boletin, fshatin e Isa Boletinit, ku edhe do të rivarroset.
Rivarrimi i Isa Boletinit ishte menduar të bëhet në Vlorë, por ishin familjarët, hisotrianët dhe kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri.

Deputetët: Isa Boletini është një ndër figurat kyçe në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë

Jeta dhe vepra e heroit kombëtar Isa Boletini u vlerësuar lart nga ligjvënësit në një seancë të veçantë, pas së cilës u bënë homazhe pranë arkivolit të tij, i cili u vendos në hollin e Kuvendit të Kosovës.

Deputetët e Kuvendit thanë se Isa Boletini është një ndër figurat kyçe në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe lirinë e shqiptarëve.

Homazhe para arkivolit të Isa Boletinit, së bashku kanë bërë kryeministri Isa Mustafa dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ndërsa pas tyre edhe grupet parlamentare dhe qytetarë të shumtë, në mënyrë të organizuar dhe individuale.

Pas seancës së sotme të Kuvendit lidhur me jetën dhe veprën e heroit kombëtar, Isa Boletini, në orën 14:00 kanë filluar homazhet pranë arkivolit të tij, në hollin e Kuvendit.

I pari që bëri homazhe para eshtrave të Isa Boletinit, ishte kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. I shoqëruar nga kryeministri Isa Mustafa, kryetari Veseli vendosi kurorë lulesh dhe nderoi figurën e heroit kombëtar.

Homazhet vazhduan deri në orën 17:45, nga deputetët e Kuvendit dhe të gjithë qytetarët që dëshiruan të bëjnë nderime pranë arkivolit të Isa Boletinit.

Arrijnë në Prishtinë eshtrat e heroit Isa Boletini

Kanë arritur në Prishtinë eshtrat e heroit kombëtar, Isa Boletini. Eshtrat e heroit ndodhen në Kuvendin e Kosovës, ku pritet të bëhen homazhe nga zyrtarë e qytetarë të vendit.

Arkivoli me eshtrat e Isa Boletinit i përcjellë nga FSK-ja dhe policia e Kosovës ka kaluar përmes shesheve , “Zahir Pajaziti” dhe “Skënderbeu” dhe më pas është vendosur në Kuvendin e Kosovës për homazhe.

Gjatë ditës, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur edhe një seancë në nderim të figurës së Isa Boletinit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se deputetët dhe e gjithë populli janë krenarë që mund të bëjnë nderime shtetërore për Heroin Kombëtar, Isa Boletini.

Arkivoli me eshtrat e heroit kombëtar do të qëndrojnë në hollin e Kuvendit deri në orën 17:45 me ç’rast deputetet do të mund të bëjnë homazhe.

Kuvendi me himn shtetëror e kombëtar nderon heroin Isa Boletini

Me intonimin e himnit të Republikës së Kosovës dhe atij kombëtar ka filluar seanca e Kuvendit të Kosovës në nderim të heroit kombëtar, Isa Boletini.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se deputetët dhe e gjithë populli janë krenar me nderimet shtetërore që po i bëhen heroit kombëtar, Isa Boletini.

Ai tha se vepra e Isa Boletinit në atë kohë ndikoi rrjedhën politike.

Ndërsa, Xhavit Haliti, nga Grupi parlamentar i PDK-së tha se të flasësh për Isa Boletini është nder dhe privilegj i madh.

Ai tha se i ndikuar nga rrethanat e kohës, Isa Boletini në moshën 17 vjeçare merr pjesë në beteja, ndërsa po ashtu përkrahu patriotin Haxhi Zeka në themelimin e Lidhjes së Pejës.

Haliti tha se Boletini është një ndër krerët më në zë. Ai tha se heroi Boletini hyri në historinë shqiptare për kontributin dhe arritjet në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.

Sabri Hamiti nga radhët e LDK-së tha se kujtimi i ikonave shqiptare na nxjerrin përpara sintaksën shqiptare për të krijuar identitetin kombëtar.

Gjatë fjalimit në Kuvendin e Kosovës në seancën për nder të heroit Isa Boletini, deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha se eshtrat e heroit do të prehen të qeta, atëherë kur në komunën e Zveçanit valon flamuri i shqiptarëve, e jo i Serbisë.

Ai tha se Isa Boletini është ndër figurat qendrore të pavarësisë së Shqipërisë.

“Isa Boletini nuk do të prehet i qetë, nëse varri i tij e vendlindja e tij, bëhet pjesë e Republikës Srpska, përmes Asociacionit që po duan ta krijojnë këta, që sot i thurin lavde”, tha Konjufca.

Deputeti i Vetëvendosjes, tha se Isa Boletini nuk e shihte kombin përmes vetvetes, por vetveten përmes kombit”.

Ndërsa, Ramush Haradinaj nga AAK tha se veprat e Isës konsiston në idenë e të qenit bashkë trevat mbarëkombëtare. “Ai ishte mirë kur ishte mirë Shqipëria”, tha Haradinaj.

“Ai po i kthehet vendit me porosi se vendi nuk vihet në Pazar”, tha Haradinaj.

Në Kuvend për figurën e Isa Boletinit kanë folur edhe deputetë tjerë, përfaqësues të partive parlamentare.

Pas kësaj seanca në Kuvendin e Kosovës do të ketë homazhe për heroin Isa Boletini. Homazhet do të jenë të hapura edhe për qytetarë.

​Isa Boletini qëndroi në Prekaz të Adem Jasharit

Eshtrat e heroit kombëtar Isa Boletini pas Vlorës, Prizrenit dhe Isniqit, kanë qëndruar në Prekaz, të kulla e Adem Jasharit, ku shumë qytetarë në mënyrë të organizuar dhe individuale kanë bërë homazhe, një ditë para se ai të rivarroset në fshatin e tij të lindjes në Boletin të Mitrovicës.

Qëndrimi i Isa Boletinit në Prekaz, bëri bashkë dy figurat me të mëdha të kombit, të cilët luftuan për lirinë dhe pavarësinë e gjithë shqiptarëve.

Me këtë rast, përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari tha se ndihen krenar për heroin e kombit Isa Boletini, i cili po i viziton të gjithë ata që ranë për lirinë dhe pavarësinë të cilën po e gëzojnë sot.

“E ndjejmë veten krenar dhe e ndjejmë vetën të kënaqur që Isa Boletini po i viziton të gjithë ata bij dhe bija që ranë dhe derdhën gjakun për këtë liri që po e gëzojmë ne sot. Lavdi Isë Boletinit dhe gjithë atyre bijve dhe bijave që ranë për këtë ditë që e gëzojmë ne sot. Inshalla e mbajmë me nderë e me respekt këta heronj”, tha Jashari.

Ndërsa , stërnipi i Isa Boletinit, Gazmend Boletini tha se sot është ditë e veçantë, pasi Isa Boletini po qëndron në një vend unikat siç është Prekazi. Por, shtoi se kënaqësia është edhe më e madhe pasi u bënë bashkë dy heronj në një vend.

“Për neve është një ditë me kënaqësi, një ditë shumë e veçantë i sakrificës, unikat mund të them, një vend i cili do të thotë frymëzimin e ka marr ndoshta nga Isa Boletini. Sot edhe një pyetje meë parë ishte, dy heronj në një vend është kënaqësi që kombi shqiptar ka mundësi të shoh këtu në Prekaz,vendi që ka dhënë me shumë se që duhet për shqiptarinë”, tha Boletini.

Edhe nënkryetari i Skenderajt Fadil Nura ka vlerësuar ditë të jashtëzakonshme për Skenderajn dhe qytetarët e saj, meqë u takua historia një shekullore, Isa Boletini dhe legjenda e UÇK-së, Adem Jashari.

“Komuna e Skenderajt është pjesë e Këshillit Organizativ dhe ka përsipër pikërisht këtë ditë që po takohet historia, në fakt historia një shekullore, historia e vet Isës dhe legjendës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe, kjo është jashtëzakonisht një ditë e madhe dhe historike për Skenderajn dhe qytetarët e saj...Shfrytëzoj rastin që gjithë shqiptarëve kudo që janë këtë ditë, me rastin e vizitës së Isës që po i bënë gjithë trevave shqiptare ta kurorëzojmë me varrimin në Boletinin e tij të lindjes”, tha Nura.

Pas qëndrimit në Prekaz, eshtrat e heroit kombëtar Isa Boletini do të nisen për në kryeqytetin e Kosovës ku do t’i bëhen homazhe në Kuvendin e Kosovës. Ndërsa, për të nderuar jetën dhe veprën e Isa Boletini, Kuvendi i Kosovës do të mbajë një seancë solemne.

​Isa Boletini nderohet sot në Skenderaj dhe Prishtinë

Manifestimi i rivarrimit të heroit Kombëtar Isa Boletini do vazhdojë sot në Prekaz të Skenderajt. Eskorta me eshtrat e heroit do të udhëtojë sot drejt kompleksit Adem Jashari në orën 09:00.

Eshtrat e heroit do të vendosën në hapësirën pranë kullës së Adem Jasharit dhe para tij qytetarët kanë mundësi të bëjnë homazhe.

Për jetën dhe veprën e heroit kombëtarë Isa Boletini, do të flitet sot edhe gjatë seancës së Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Seanca do të fillojë në orën 12:00, ndërsa nga ora 14:00 arkivoli me eshtrat e heroit do të jetë në hollin e Kuvendit të Kosovës, me ç’rast deputetet do të mund të bëjnë homazhe.

Arkivoli me eshtrat e heroit do të kalojë më pastaj nga Bulevardi “Bill Klinton” për të vazhduar në rrugën “Dëshmorët e Kombit” dhe përmes Sheshit të qytetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat