Çfarë u tha në varrimin e parë të Isa Boletinit

Lajme

Çfarë u tha në varrimin e parë të Isa Boletinit

Më: 10 qershor 2015 Në ora: 18:27

Isë Boletini, djemtë e nipat e tij, u vranë më 23 janar 1916, në Podgoricë. Të dëbuar nga qyteti i Shkodrës, pas urdhrit të Esat Pashë Toptanit, së bashku më atdhetarë të tjerë të shquar, si Aqif Pashë Elbasani dhe shumë nga pjesëtarët e Komitetit të Kosovës, atij do i zinin pritë forcat ushtarake malazeze, teksa po kalonte urën e qytetit. Thirrjes për të dorëzuar armët, pa ngurrim, ata iu përgjigjën flakë për flakë dhe, si e kishin thënë shpesh herë, zgjodhën rënien e tyre heroike, në vend të qelive të errëta të burgjeve malazeze

Më 25 janar 1916 u bë varrimi i parë i Isa Boletinit, djemve e nipave të tij. Të gjithë dyqanet e shqiptarëve që jetonin asaj kohe në Podgoricë dhe që përbënin ajkën e qytetit, në nderimin e Isa Boletinit, u mbyllën. “Në varrimin e të vrarëve, më 25 janar, muarën pjesë të gjithë shqiptarët që qenë në Podgoricë, të cilët hoqën edhe shpenzimet e varrimit. Nasuf Dizdari nga Shkodra mbajti fjalën e rastit”, shkruan në librin e tij ,”Isa Boletini”, një figurë e shquar e letrave dhe e atdhedashurisë shqiptare, Skënder Luarasi, djali i Petro Nini Luarasit.

Nasuf Dizdari ka qenë i njohur gjërësisht si një figurë e përdalluar atdhetare, publicist, sidomos folklorist, por me lidhje të gjera me qarqet kombëtare të kohës, si ishin përgjithësisht Dizdarët në të gjitha kohërat.

Varrimi i parë i Isa Boletinit u bë në një ditë të ftohtë, jashtëzakonisht të akullt, e megjithatë sheshi ishte tej e përtej me figura të shquara dhe njerëz të zakonshëm. Pas këtij varrimi, eshtrat e Isa Boletinit do të shpërnguleshin edhe më pas, për të ardhur tek dita e sotme, 10 qershor 2015, pas 90 viteve, kur më në fund do të kenë edhe tabanin e tyre të përjetshëm.

Çfarë u tha në varrimin e parë të Isa Boletinit? Enver Dizdari, i biri i atdhetarit Nasuf Dizdari, do e ruante për shumë dekada këtë fjalë historike, fragmente të së cilës po sjellim më poshtë:

“O atdhetar i flaktë dhe trim i trimave të Shqipnisë, o sokol i nanës Kosovë dhe besnik i betuem i atdheut, o fidqar i kombit dhe mik i jem i ngushtë, Isë Boletini. Nuk po më trembin as topat, as pushkët, as bajonetat e gjeneralit katil Vukoviqit, as çetat serbomalazeze, as gjendja shumë e turbullueme që po kalojmë na të syrgjynosun dhe populli shqiptar podgoriçan në këto çaste, për me folun këto pak fjalë, nö emër të syrgjynosunve që ndodhen këtu, n’emnin e shqiptarëve podgoriçanë që kanë mbyllun rrugët e qytetit dhe n’emin e dashamirve të tjerë. Ti me djemt tuj, me dy nipat dhe tre besnikët tuej kosovarë, me 23 të muejit kallnuer 1916, mbas një përleshje të përgjakshme kundër ushtrisë malazeze dhe çateave serbo-malazeze, vetë i teti batë deken me nder të madh këtu tek Ura e Podgoricës. Shumëfish e paguet vedin tuej! Zemra juej shqiptare qe shumë ma e fortë se pushka tradhtare dhe katile e dushmanit. Shqiptari ka luftuem gjithmonë për të drejtën e vet, për nderin e atdheut dhe të kombit, për gjuhën e zakonet e veta. Kurr’ nuk e ka dorzuem e as nuk e ka lakmuem pushkën. Besa, burrnija, trimnija, madhështia, kuvendi yt i matun dhe kyveti i fjalës tande nifen nga të gjithë shqiptarët dhe nga diplomacia evropjane. Për 15 vjet me rradhë braktise familjen, vllazninë, mall e gja, dhe u bane mburoja besnike e vatanit. Nuk u tunde as nga sulltani, as nga krajlat, as nga topat, as nga pushkët. Vrasja jote dhe e trimave tuej asht një hupje shumë e madhe për Shqipninë dhe shqiptarët. U vra në përleshje me dushmanët serbo-malazez biri i Skenderbeut dhe vazhduesi i rrugës së tij. Në këtë çast kaq nazyq, të gjithë shqiptarët përjashta dhe brenda atdheut betohen përpara xhenazeve tueja, se nuk do të prajnë kurr’ luftën kundër të gjithë anmiqve të atdheut e të kombit tonë. Do të luftojmë si Skanderbeg famëmadhi, si Karamahmud pasha, si Ali pashë Tepelena, si Dasho Shkreli, si Hamz Kazazi, si Oso Kukë baroti me dragojtë e luanët e tyre.

Me 28 të muejit Nanduer 1912, tue udhtuemun me javë nëpër male, pyje e fusha, n’at të ftohtë të madh, shkove me djemt, nipet e sokolat tuj kosovarë, nga Kosova në Vlonë, për shpalljen e mosvarësisë kombtare dhe të ngritunit e flamurit kombtar. Në Vlonën kreshnike ti u bane krahu i djathtë ma i afërm i ma i kyvetshëm i Ismail Qemalit, shtylla e mosvarësisë. Me sokolat tuej i dole në pritë urdive të gjeneralit Xhavit Pasha, luftuet randë kundër tyne, sa nuk i latë me hymun në Vlonë.

Me 1913 shkove me Ismail Qemalin delegacion në Romë në Vjenë, dhe në Londër, në konferencën e ambasadorëve, për caktimin e kufijve të Shqinisë. Në bisedë e sypri, ministri anglez pyeti: cili nga ju asht caktuem me folë për kufijtë e Shqipnisë? Kyretari i jonë, ismail Qemali gjegjet: për çështjen kaq të randsishme për fatet e atdheut tonë do të flasë Isa beg Boletini. Si asht e mundun të flasë për një çështje kaq të randsishme për kufijt e Shqipnisë një malsor i veshun me çakçir, me jelek e xhamadan, me qeleshe të bardhë dhe me caruqe? Me nji diplomaci shumë të hollë, kryetari jonë i nderuem i thotë”…Isa beg Boletini që do të flasi këtu në emnin e kombit shqiptar asht biri i Shqipnisë, malsuer i Kosovës nanë, i Kosovës sokoleshë e trimneshë. I Kosovës së djegun e të përvlueme për bashkimin e kombit e të vatanit. Isa beg Boletini aht kryekapidani, kryekalorësi, kryeprijsi i ma tepër se 40 mijë vullnetarëve trima e fidiqar që për 15 vjet rrjesht luftoi pa pra me sokolat e ndihmsat e tij kundra zaoptuesve turq. Me urtinë, zotësinë e burninë e tij të pashoq i bashkoi në një komandë të githa forcat e çetave që luftojnë sot në tanë Shqipninë për këtë qëllim të shejtë.

Ministri anglezu, sër Eduard Grei të vunë përpara hartën. Shikoni të katër kërkesën tuej për kufijt e Shqipnisë. Ti, Isë Boletini ju gjegje: “Zotni Ministër! Merrni mundimin e formoni një komision internacional njerëzish të ndershëm, të zot, të paanshëm, me harxhet tona, më jepni me vedi e me shokët e mij me ju diftuem atyne në vend e me dishmira të gjalla kufijt tonë me Serbinë, Malin e Zi,Greqinë. Çfarë të shohin në vend ky komision njerëzish të ditshëm e të paanshëm, le ta shenojnë në hartë. Kësaj i thonë me ba punë pa hile. Unë dhe ndihmsat e shokët e mij i njohim shumë mirë kufijt e vatanit tonë, sepse i kena përshkue pllamë për pllamë në luftë.

Nuk asht e mundun që nji mbretni e vjetër, si e jueja e me një parlament kaq të moçëm, që mbretni që ka thye e ka zanë rob Napolonin e madh, mbretin ma të kyvetçëm të Europës, ju që keni një hyqm kaq të madh përmbi pjesën ma të madhe të botës, ju qi jeni mbretnesha e detit, të mos e njifni storen e Shqipnisë dhe kufijt e vendeve të saj që ndodhet në zemren e Ballkanit e të Evropës. Ju e dini shumë mirë, ministër se në parlamentin e parë turk deputetët e parë të katër vilajeteve, Shkodër, Shkup, Manastir e Janinë që po të flasim na sot këtu, kanë kërkue me u mbledhë në “Autonominë e Shqipnisë” dhe shkëputjen e Shqipnisë nga Turqia”.

Ishin disa fragmente nga fjala e atdhetarit Nasuf Dizdari. Të mbajtura thuajse një shekull më parë. Por fjala nuk ka mort, kur ajo është në nderimin e figurave të mëdha të kombit. Njëri prej tyre, Isa Boletini, po rivarroset edhe një herë, tashmë në vendlindjen e tij, si një dëshmi e një kohë të re.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat