Isa u varros me madhështi, por shteti u turpërua!

Lajme

Isa u varros me madhështi, por shteti u turpërua!

Më: 11 qershor 2015 Në ora: 10:30

Një ceremoni dhe nderim i rrallë, për një figurë historike po ashtu të rrallë, Isa Boletinin, njërin prej kryeheronjve të Pavarësisë.
Por, ajo që është e papranueshme, ndodhi në fund. Në pjesën e fundit, që në fakt është rituali kryesor njerëzor, Isa u braktis nga shteti i Kosovës. Shteti i Kosovës u tregua tepër i brishtë, i pafuqishëm, dhe të gjitha institucionet të pazonja për nderimin e fundit.
Prej 10 ditësh kishin filluar nderimet për heroin Boletini anembanë Kosovës, për ti dhënë një nderim kombëtar, që shqiptarët nuk patën rast ta bënin, atëherë kur ai u vra në prit nga malazezët, 99 vjet më parë, ndërsa që nga pas lufta, eshtrat e tij u mbajtën në një vend sërish të fshehtë, për të pritur nderimin shtetëror.
Në nderimin që iu bë në qytetet kryesore të Kosovës, eshtrat e Isës përcilleshin nga Garda e FSK-së, trupa ceremoniale e Kosovës, që besohet si ushtria e tashme dhe e ardhshme e Kosovës.
Dikush tha se nderimi nuk mund ti bëhej në Boletin, pasi mund të ndodhnin incidente!
Kush mund të bëjë incidente brenda territorit të një shteti të pavarur, madje me kufij dhe siguri ushtarake nga NATO-ja, përkatësisht KFOR-i?
Pra, për një rrezik nga jashtë mund ti biem vi se nuk ekzistonte dhe nuk mund të ekzistojë.
Një cenim nga brenda, që mendohet nga serbët në Mitrovicë apo veri, a mund të ndodhte? Ndoshta mund të ndodhte sikur të kishte një interes të dikujt, por nuk kishte asnjë shenjë të hapur se serbët do të mund të shkonin aq larg, sa të organizonin diçka të papritur dhe kolektive kundër Isës. Të paktën, ata nuk mund ta bënin këtë sepse, ai objekt që sot quhet manastir nga serbët, është pikërisht dhuratë e Isës për një kishë për shërbëtorët e tij serb, që të kryenin ritet fetare (Madje respektin e ka shprehur edhe murgesha e ‘manastirit’).
Dhe e treta nëse reagimi do të ndodhte nga një planifikim i strukturave paralele serbe në veri, qoftë edhe me ndihmën e shërbimit sekret serb, gjërat vështirë se do të mund të shkonin aq keq, sa ushtria, FSK-ja të mos paraqitej në Boletin, ku shqiptarët e këtij fshati të Isës, por edhe të fshatrave për rreth qe 16 vite pas luftës, gjëllijnë pa asnjë frikë. Pra, nëse stërnipat e Isës, dhe gjithë ata shqiptarë, që me gjithë jetën e keqe nuk i dorëzohen serbëve, atëherë pse të kishte frikë për incidente?
Po, në fund të fundit për çfarë është policia dhe ushtria, nëse ajo ka frikë edhe nga një ceremoni aq e thjeshtë, dhe madje ku ka aq shumë shqiptarë, të cilët shkuan pa ushtri për ta nderuar heroin. Madje, bukuri më shumë i dha gjithë ceremonisë, grupi i kalorësve, të cilët nuk e braktisën Isën. Ata ishin një grup shqiptarësh që deshën ta kujtonin Isën me bashkëluftëtarët e tij, kalorës, që shkonin e vinin në ndihmë të shqiptarëve, dhe luftërave kudo ndodhnin!
Por, dje ai dhe shqiptarët u braktisën nga shteti në ritualin kryesor! I. M.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat