ISIS: Ditët e zeza po vijnë! Mobilizohen strukturat e sigurisë!

Lajme

ISIS: Ditët e zeza po vijnë! Mobilizohen strukturat e sigurisë!

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 8 korrik 2015 Në ora: 09:53

Prerja e kokave dhe brutaliteti i ekstremistëve në Lindjen e Mesme, përbëhet nga xhihadistë që pretendojnë se kanë ngritur kalifatin e quajtur “Shteti Islamik”. Organizatë kjo që ka tërhequr vëmendjen e krijimit të shtetit të tyre në disa pjesë të Sirisë dhe Irakut, ka provuar të jetë një makinë e fuqishme dhe iniciator i sulmeve të shumta të përgjakshme.

Pra, këtij grupi terrorist, qindra shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Mali i zi i janë bashkangjitur. Madje, shqiptarët edhe jashtë Kosovës, të rinj e të reja po shkojnë përkrah kësaj organizate, e që nuk e kanë idenë se për çka janë duke luftuar. Deri më tani janë dhjetëra shqiptarë që kanë rënë “xhihad” për Shtetin Islamik i Irakut (ISIS). Kjo ka bërë që imazhi i shqiptarëve në përgjithësi të vazhdoj të dëmtohet për shkak të pranisë të bashkëkombësëve në luftërat në Lindjen e mesme.

Kërcënimet e ISIS-it, serioze!

Ditëve të fundit, në medie ka qarkulluar lajmi se institucionet e sigurisë në vend, duke përfshirë edhe ato të inteligjencës, kanë siguruar informacione në bazë të të cilave konstatohet se xhihadistët shqiptarë me bazë në Siri dhe Irak, në koordinim me bashkëpunëtorët e tyre në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri dhe vende të tjera të rajonit, janë duke përgatitur sulme terroriste. Këto kërcënime nga grupet terroriste të ISIS-it, kanë ngritur dilema në vend. Pra, kërcënimet e fundit që erdhën nga xhihadistët shqiptarë të “Shtetit Islamik” (ISIS) për sulme terroriste në Ballkan, kanë bërë që të mobilizohen të gjitha strukturat e sigurisë në Kosovë. Ekspertët e sigurisë mendojnë se çështja është serioze dhe se institucionet e Kosovës duhet të merren me këtë çështje më shumë.

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, thotë se Kosova këtë problem do ta kalojë së bashku me popullin e saj. Sa u përket kërcënimeve, Islami thotë se ato janë serioze. “Nëse nxjerrim produktin final të kësaj çështjeje, mund të themi se ne tashmë kemi shqiptar të cilët i janë bashkuar kësaj organizate, dhe kanë bërë krime të rënda të cilët në emër të Zotit, vrasin, dhunojnë, plaçkitin etj. Lidhur me kërcënimet e ISIS-it, nuk do të duhej të neglizhohen e madje as të mos satirizohen”, thotë Islami, për gazetën “Bota sot”.

Sindromi ISIS

Sipas Islamit, gjendja e gatishmërisë do të duhej të ishte 24 orë. Ndër të tjera ai thotë se edhe vendet më të sigurta janë nën kërcënime, sidomos vendet myslimane. “Edhe vendet e ‘sigurta’ nuk janë imune ndaj sulmeve terroriste, e zakonisht më të ekspozuara janë ato me shumicë myslimane. Kosova ka një popull të mrekullueshëm që e kultivon islamin tradicional dhe besoj që së bashku me institucionet e sigurisë do t'u bëjmë ballë të infektuarve në tru me sindromin ISIS. Të gjithë të jemi vigjilentë, të gjithë të bashkëpunojmë që të mos u lejojmë befasi”, pohon Islami.

Islami thotë se personat të cilët për 15 vjet ligjëruan dhe proklamuan një islam ndryshe nga ai që ka qenë i kultivuar në trojet shqiptare duket se ia arritën qëllimit. “Tash produkti final i ideologjive fetare janë “mbrojtësit e islamit”, ata tashmë janë çdo vend, ata janë edhe në Kosovë. Vazhdimisht e kam potencuar se rreziku po rritet dhe se në javët e fundit gjendja po radikalizohet, mirë që mekanizmat e sigurisë janë në gjendje të gatishmërisë dhe në vigjilencë”, ka thënë ai.

Kërcënimet e ISIS-it anuluan koncertin për SHBA-të

Madje, këto kërcënime kanë shtyrë autoritetet në Prishtinë, që të anulojnë koncertin falënderues për shënimin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ishte planifikuar të mbahet të shtunën, me 4 korrik në sheshin “Nënë Tereza”. Për anulimin e këtij koncerti, Islamit thotë se është masë parandaluese që të mos i ndodh diçka e keqe vendit. “Tashmë do të mësohemi me paralajmërime të tilla e madje edhe me alarme të tilla. Anulimi i koncertit në qendër të Prishtinës ka domethënie tepër shqetësuese, unë kam besim të madh në përkushtimin e institucioneve tona të sigurisë dhe të miqve tanë”, është shprehur ai.

Ndërkaq, disa ditë më parë mediat kanë raportuar se Policia e Kosovës ka informacione se njerëz të afërt me liderin e shqiptarëve të ISIS-it, Lavdrim Muhaxheri, kanë urdhëruar njerëzit e tyre në Kosovë dhe Maqedoni që të kryejnë sulme terroriste në Prishtinë dhe Shkup. Lidhur me sulmet në Ballkan janë plasur edhe video-linqe ku flasin xhihadistët shqiptarë, duke kërcënuar rajonin, njëri nga ta ishte Ridvan Aqifi nga Gjilani, duke iu thënë qytetarëve se “ditët e zeza po vijnë”.

Çka përfaqëson ISIS?

Fjala ISIS, që në përkthim të thjeshtë do të thotë Shteti Islamik i Irakut, është organizata që përfaqëson një grup xhihadistësh të cilët operojnë në Irak e Siri. Qëllimi kryesor i tyre, ndryshe nga grupet e tjera rebele është ndërtimi i shtetit islamik, nga bashkimi i sunive të Sirisë dhe Irakut. Ata përfaqësojnë rrymën më radikale mes myslimanëve edhe krahasuar me Al Kaedën. Ky grup është formuar në prill të vitit 2013 dhe ka lidhje të ngushte ma Al Kaedën në Irak. Kohet e fundit, për shkak të sulmeve të ndërmarra kryesisht në Siri dhe së fundmi në Irak, ISIS po kthehet në organizatën më të madhe radikalë islamike. Se fundmi, pjesë e këtij grupi janë dhe luftëtarë nga Britania, Franca, Gjermania dhe shtete të tjera perëndimore, përfshi këtu dhe luftëtarë amerikanë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat