Debate të forta për Srebrenicën në Serbi

Lajme

Debate të forta për Srebrenicën në Serbi

Më: 9 korrik 2015 Në ora: 07:50

Për vite të tëra, përfaqësuesit e politikës dhe të drejtësisë serbe e kishin të vështirë t'i nxirnin përpara drejtësisë personat përgjegjës për krimet në Srebrenicë. Ende sot fjala "gjenocid" për Srebrenicën është tabu.

Kryeministri i sotëm serb Aleksander Vuçiq, ngjiste para dhjetë vjetësh, pllakata me emrin e Ratko Mlladiçit rrugëve të Beogradit. Përpara kamerave ai mbështeste kështu në mënyrë simbolike ish-gjeneralin e serbëve të Bosnjës, i cili duhet të përgjigjet në gjykatën e OKB-së për krimet e luftës në ish-Jugosllavi për akuza për gjenocid. Në korrik të vitit 1995, ushtarët dhe paramilitarët serbë ekzekutuan rreth 8,000 djem e burra muslimanë në ish-zonën e sigurt të Kombeve të Bashkuara në Srebrenicë. Masakra klasifikohet sipas juridiksionit ndërkombëtar si gjenocid.

"Nderim për viktimat e pafajshme"

Për këtë përcaktim u debatuar fort në Serbi javët e fundit. Edhe kryeministri Vuçiq, i cili e ndryshoi partinë dhe politikën e tij shtatë vjet më parë dhe erdhi në pushtet si përkrahës i BE-së, refuzon ta përdorë fjalën "gjenocid" në këtë kontekst. "Pikëpamja mbizotëruese në Serbi është se ajo ishte vërtetë një masakër dhe krim lufte, por në asnjë mënyrë gjenocid," thotë redaktori Filip Švarm nga e përjavshmja Vreme, e cila mban qëndrim kritik ndaj qeverisë. Ende asnjë politikan i vetme i qeverisë nuk e ka përdorur në Serbi termin 'gjenocid' - pavarësisht përkatësisë partiake.

Për vite të tëra, përfaqësuesit e politikës dhe të drejtësisë serbe e kishin të vështirë t'i nxirnin përpara drejtësisë personat përgjegjës për krimet. Pas presionit masiv nga BE-ja, u arrestuan në vitin 2008 dhe 2011 ish-presidenti i Republika Srpska në Bosnje, Radovan Karaxhiç, i cili jetonte nën një identitet të rremë në mes të Beogradit dhe punonte edhe si mjek për mjekësi alternative. Dhe gjenerali Ratko Mlladiç, i cili u gjet në një fshat në veri të Serbisë. Shumë vëzhgues besojnë se ata të dy për një kohë të gjatë i mbështetnin dhe ndihmonin qarqe serbe të sigurisë. Arrestimet shkaktuan protesta të dhunshme në kampin e nacionalistëve.

Sot nga këto gjëra ndjehet fare pak. Në një konferencë për shtyp kryeministri Vuçiq tha, se ishte i gatshëm të përkulet për të nderuar viktimat e pafajshme të Srebrenicës. Por njeriu i fortë i Beogradit e mendoi gjatë nëse vërtetë duhet të shkojë në Srebrenicë për 20 vjetorin e masakrës më 11 korrik. Qeveria e tij e refuzon rezolutën e propozuar në OKB nga Britania e Madhe për të dënuar gjenocidin në Srebrenicë. Këtu Beogradi mbështetet në marrëdhëniet e tij të mira me Moskën, sepse Rusia ka të drejtën e vetos dhe mund ta bllokojë rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

"Nga vrasës në viktima"?

Asnjë politikan serb nuk duhet të shkojë në ceremonitë përkujtimore në Srebrenicë - ky qe synimi i një peticioni të nënshkruar nga qindra studentë nga Serbia dhe Republika Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinë. Nismëtari i peticionit studenti nga Beogradi Nenad Uzelac, thotë se i gjithë populli serb konsiderohet sikur ka bërë "gjenocid". Por sipas tij në Srebrenicë nuk ka pasur gjenocid, sepse gratë, fëmijët dhe të moshuarit nuk i kanë vrarë.

Shkrimtari dhe bloggeri Vladimir Tabašević thotë se nuk habitet që në Serbi ka ende njerëz që mendojnë kështu. Të dyja palët përpiqen ta instrumentalizojnë Srebrenicën duke i paraqitur serbët si "populli i vrasësve" dhe myslimanët si "populli i viktimave". "Politika ndërton një antagonizëm të gabuar, sepse kështu shmang pyetjet për vende pune dhe për bukë." Por disa aktivistë në Serbi janë të bindur se pa përballjen me të kaluarën nuk mund të shikosh drejt së ardhmes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat