Gjenocidi i Srebrenicës u përkujtua me marsh në Prizren

Lajme

Gjenocidi i Srebrenicës u përkujtua me marsh në Prizren

Më: 10 korrik 2015 Në ora: 11:17

Në Prizren është organizuar një marsh qytetarë për nder të 20 vjetorit të masakrës së Srebrenicës.
Rreth 300 qytetarë ishin pjesë e këtij marshi në përkujtim të ngjarjes së tmerrshme që kishte tronditur gjithë globin.

Nesim Kallajxhini nga këshilli organizativ, tha se ky marsh po i bashkohet kolonave të njerëzve në botë, të cilët po e shënojnë 20 vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë.

“Marshi i paqes është manifestim këmbësorësh i cili mbahet në kuadër të përvjetorit të gjenocidit ndaj boshnjakëve të Srebrenicës dhe të rrethinës së saj me qëllim të përkujtimit të viktimave të gjenocidit dhe rikujtimin e krimeve të tmerrshme të kryera nga forcat ushtarake të Republikës së Srpskës, të ndihmuar nga forcat e Serbisë, ndaj popullit boshnjak në muajin qershor të vitit 1995. Pjesë e këtij marshi janë qytetarë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Prizren, të cilët po shprehin solidaritetin e tyre me familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre në masakrën e Srebrenicës. Ky marsh i bashkohet organizimeve të ngjashme që po shënohen në mbarë botën në këtë përvjetor të përkujtimit të ngjarjes ndër më të tmerrshmet në shekullin e kaluar”, theksoi Kalljaxhini.

Edhe artisti i mirënjohur prizrenas, Xhevdet Doda, i ishte bashkuar këtij marshi, për të cilin tha se e ka ndier si obligim qytetar për tu solidarizuar me të gjithë ata që po përkujtojnë këtë ngjarje që ende Bota heziton ta ndëshkojë.

”Marshi të Paqes për Srebrenicën” ka filluar pranë qendrës sportive “Sezai Surroi” në Prizren, për të vazhduar në Bazhdarhane pranë “Shtëpisë e Bardhë”, si dhe rrugës drejt Shadërvanit ku është organizuar performansa “Lulja e Srebrenicës”.

Pjesë e këtij marshi ishin edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, si dhe drejtues të partive politike boshnjake dhe ata të LDK-së dhe LVV-së në Prizren.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat