Masakra e Srebrenicës, hija që ndjek Bosnjën edhe pas 20 vitesh

Lajme

Masakra e Srebrenicës, hija që ndjek Bosnjën edhe pas 20 vitesh

Më: 12 korrik 2015 Në ora: 09:34

Masakra ishte më e madhja në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, dhe ekshumimet janë një kujtim i gjallë se derisa dhuna brutale e «Shtetit Islamik» dhe «Boko Haramit» dominojnë së fundi kryeartikujt, vrasjet masive kanë ndodhur në tokën evropiane më 11 korrik 1995, derisa bota e shikonte me tjetër sy.

Disa muaj para përfundimit të luftës së Bosnjës, forcat serbe të Bosnjës nën gjeneralin Ratko Mlladiq morën nën kontroll «strehimoren e sigurt» të Kombeve të Bashkuara në lindje të Srebrenicës, i ndanë burrat dhe djemtë prej grave, dhe i çuan ata në fushat e vrasjeve, ku ishin qëlluar prapa kokës me duart e lidhura pas shpinës.

Trupat më vonë ishin hedhur në varreza masive dhe ishin zhdukur dëshmitë. Disa prej të rrëmbyerve ia kishin dalë të mbijetonin, duke pretenduar se ishin të vdekur ose duke u fshehur në kufoma.

Të shtunën do të mbahet një ceremoni e madhe e përkujtimit në qendrën memoriale Potoçari në Srebrenicë në Bosnjë, ku radhët e gurëve të varreve dëshmojnë për vrazhdësinë e luftës. Liderë të kaluar dhe aktualë të botës, përfshirë presidentët e Kroacisë, Malit të Zi dhe Sllovenisë, pritet të marrin pjesë në komemoracionin e organizuar për viktimat. Ka raporte të mediave se ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, administrata e të cilit kishte ndërmjetësuar marrëveshjen që i dha fund luftës, do të marrë pjesë, edhe pse ende nuk është konfirmuar një gjë e tillë.

Paddy Ashdown, ish-diplomat britanik që ishte përfaqësues i lartë i Komisionit Evropian për Bosnjë-Hercegovinë gjatë viteve 2002-2005, ka thënë në një ceremoni të organizuar në Westminster Abbey këtë javë se bota kurrë nuk duhet të heshtë përsëri karshi gjenocidit.

«Kemi mundur ta ndalnim këtë tmerr. Zgjodhëm të mos e ndalnim», ka deklaruar ai. «Andaj duhet ta kujtojmë Srebrenicën, jo vetëm për hir të atyre që dëshmuan këtë vuajtje, por edhe si një vërejtje për të gjithë ne se çfarë ndodh kur e kthejmë shpinën».

Megjithatë, rajonin ende e ndjek e kaluara, pajtimi ka ngecur në vend dhe kanë mbetur të hapura plagët e thella të luftës.

Në një shenjë të sfidave, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka hasur në telashe gjatë javës që të pajtohet për një rezolutë që dënon masakrën si «krim gjenocidi». Serbia, serbët e Bosnjës dhe Rusia kanë kritikuar rezolutën e draftuar prej britanikëve si të njëanshme dhe «antiserbe».

Mediumet serbe raportojnë se Tomisllav Nikoliq, president i Serbisë, që më parë kishte kërkuar falje për Srebrenicën, por ka refuzuar ta quajë masakrën gjenocid dhe nuk do të merrte pjesë në ceremoni të shtunën në Bosnjë.

Një këshilltar i tij ka deklaruar për gazetën serbe, «Danas», se që të marrë pjesë Nikoliqi, një zyrtar i lartë i myslimanëve të Bosnjës duhet të bëjë një veprim të ngjashëm në vendet ku kanë vuajtur serbët.

Për më tepër, Serbia, që po kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, ka shënuar përparim të theksuar në dhënien e llogarisë për të kaluarën saj.

Pas disa vitesh të shmangie – të ndihmuar edhe prej gatishmërisë së disa qeverive radhazi në Serbi që të mbyllet njëri sy dhe prej dyshimit të madh publik në drejtësinë e Hagës – Mlladiqi dhe Radovan Karagjiqi, lider i serbëve të Bosnjës gjatë kohës së luftës, më në fund u arrestuan. Ata tani po gjykohen për krime në Tribunalin për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi.

Serbia arrestoi në mars tetë të dyshuar për pjesëmarrje në krim dhe për vrasjen e 1000 boshnjakëve në një depo në Kravica, afër Srebrenicës. Arrestimet ishin përshkruar prej prokurorëve si të parat prej policisë serbe të akuzuar për përfshirje në vrasje në Srebrenicë.

Në Kosovë, që sfidoi Beogradin më 2008 kur shpalli pavarësinë, lidershipi serb dhe liderët e shqiptarëve etnikë kanë arritur një marrëveshje të brishtë të ndarjes së pushtetit.

Megjithatë Srebrenica vazhdon të jetë hija e gjatë e rajonit. Bosnja mbetet një prej shteteve më të varfra dhe me ndasitë më të mëdha etnike në Evropë, dhe masakra ka mbetur burim i vazhdueshëm i belasë politike.

Liderët nacionalistë të serbëve të Bosnjës i hedhin poshtë ngjarjet e Srebrenicës, dhe liderë të njohur të myslimanëve boshnjakë shprehin frustrim që marrëveshja e Daytonit e vitit 1995, që i dha fund luftës, u ka dhënë autonomi serbëve të Bosnjës në territorin e tyre.

Marrëveshja e Daytonit e ndau shtetin e Bosnjë-Hercegovinës në dy entitete, federatën kroato-myslimane dhe Republikën Srpska. Ajo marrëveshja i dha fund luftës në të cilën u vranë më shumë se 100 mijë persona, shumica prej të cilëve myslimanë. Por sistemi i ndërlikuar i ndarjes së pushtetit ka ndihmuar që të paralizohet vendimmarrja në vend.

Masakra, që ka ndodhur në kohën kur enklava e Srebrenicës ishte nën mbrojtje të 400 paqeruajtësve të armatosur të lehtë holandezë të Kombeve të Bashkuara, gjithashtu ka qenë burim i turpit kombëtar për Holandën.

Një gjykatë holandeze vjet nxori verdiktin se qeveria ishte bashkëpërgjegjëse për vdekjen e më shumë se 300 viktimave në masakër, duke theksuar se paqeruajtësit dështuan të parandalonin vdekjet.

Verdikti ishte një farë katarse për të afërmit e viktimave të Srebrenicës, që kishin kohë të gjatë që kërkonin llogari prej Holandës.

Vazhdon në Srebrenicë kërkimi i eshtrave. Dy dekada më vonë, të afërmit ende kërkojnë në malet e afërta eshtrat e të dashurve të tyre të zhdukur.

Sipas Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Pagjetur, 6930 mbetje janë identifikuar prej 17 mijë gjymtyrëve të kufomave të varrosur në dhjetëra varreza masive.

Por ende nuk dihet për eshtrat e rreth 100 viktimave të masakrës. Të shtunën do të bëhet varrimi i 136 mbetjeve të identifikuara në Srebrenicë në javët e fundit.

Munira Subashiq, kryetare e Shoqatës së Nënave të Srebrenicës, që ka humbur 22 të afërm në masakër, përfshirë burrin dhe të birin, ka thënë gjatë javës se ende shumë nëna nuk kanë ku t’i qajnë të dashurit e masakruar.

«Disa nëna ende janë në kërkim të eshtrave të fëmijëve të tyre», ka thënë zonja Subashiq. «Kjo është jeta jonë tani – problemi dhe misioni ynë më i madh». /tema/New York Times/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat