Të diskriminuar në Serbi, të padëshiruar në Gjermani

Lajme

Të diskriminuar në Serbi, të padëshiruar në Gjermani

Më: 11 gusht 2015 Në ora: 09:45

Vendet e Ballkanit si Serbia konsiderohen në Gjermani si "vendeve të sigurta të origjinës". Prandaj nuk luan ndonjë rol, nëse romët jetojnë atje të përjashtuar nga shoqëria dhe diskriminohen.
Në javët e fundit flitet vazhdimisht për Draganin. Për njerëzit si ai shkruan shtypi dhe politikanët në pushtet shprehin zemërimin në intervista, për shkak se Dragani abuzon gjoja me bujarinë e sistemit social gjerman. Ky burrë rom nga qyteti serb i Shabacit rri ulur në një bankë përpara qendrës së pranimit të azilkërkuesve në Bon-Muffendorf, strehimit të tij të përkohshëm. Çfarë e ka sjellë atë kaq larg nga Serbia? "Problemet, vëllezërit e mi, çfarë tjetër? Unë kam dëgjuar, se këtu mund të marrësh azil dhe ta rregullosh jetën."

Perpektiva jo të mira

Dragani, i cili në fakt quhet ndryshe, ka ardhur me gruan dhe tre fëmijët dhe tani pret, që një nëpunës i zyrës për refugjatët ta therrasë për ta dëgjuar. Aty ai do të ketë disa orë kohë për të shpjeguar, se përse kërkon strehim në Republikën Federale të Gjermanisë. Dragani do të tregojë për mjerimin në vendin e tij, për vështrimet e dyshimta në kërkimin e punës, për provokimet dhe keqtrajtimet, që ka përjetuar pothuajse përditë. "Unë do të tregoj të vërtetën. Le të ndodhë, çfarë të ndodhë", thotë ai.
Ndoshta nuk do ka për të ndodhur, ashtu siç dëshiron Dragani. Sepse ai vjen nga një vend i ashtuquajtur i sigurt origjine - dhe është i ri dhe i shëndetshëm. Gjermania ofron mbrojtje të përkohshme vetëm për ato njerëz nga Ballkani, që janë të sëmurë rëndë, thotë presidenti i zyrës së refugjatëve, Manfred Schmidt, në intervistë me DW. Shkalla e njohjes është vetëm 1 deri në 2 për mijë.

Në Serbi, Maqedoni dhe Bosnjë nuk ka persekutim politik, thuhet vazhdimisht, ashtu si edhe në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi, të cilët do të jenë së shpejti në listën e vendeve të sigurta të origjinës. Megjithatë ka edhe interpretime të tjera, si për shëmbull nga profesori i së drejtës, Norman Paech. "Në fakt këto vende nuk mund të akuzohen se përndjekin romët politikisht. Por ansambli i situatave të mjerueshme të këtyre pjesëve të popullatës përmbush faktin e persekutimit në masë", tha Paech për DW. Sipas mendimit të tij Gjermania injoron direktivat e BE-së, që e përkufizojnë përsekutimin më gjerë se vetëm një akt shtetëror.

Diskriminim dhe racizëm

Më shumë se 90 për qind e azilkërkuesve nga Serbia janë romë, një rekord i trishtuar në rajon. Sipas regjistrimit zyrtar në Serbi jetojnë 155.000 romë. Megjithatë kjo shifër të mashtron. Sepse Këshilli Kombëtar i minoritetit rom supozon se shumë nga frika e diskriminimit e mbulojnë kombësinë e tyre. Vlerësohet se mund të ketë deri 500.000 romë. Shumica e tyre jetojnë nën nivelin e varfërisë në lagjet e varfëra, shpesh pa ujë, pa rrymë dhe pa përkujdesje mjekësore. Fëmijët rrallë shkojnë në shkollë dhe as një për qind e romëve në Serbi nuk kanë diplomë universitare. Këtë nuk e thonë vetëm kritikët nga OJQ-të, por kjo rezulton edhe nga dokumentet zyrtare të Republikës së Serbisë.
"Duhet thënë qartë: Romët në Serbi konsiderohen dhe trajtohen si një racë inferiore", ankohet sociologu serb Dario Hajriç. Romët konsiderohen si të pistë dhe budallenj, si përdhunues dhe pedofilë. "Pothuajse askush nuk dëshiron të ketë romët si fqinj, miq, kolegë, apo anëtarë të familjes", thotë Hajriç. Ky qëndrim çon edhe në sulme, ndaj romëve apo në lagjet e tyre prej teneqeje.

"Azilkërkues të rremë profesionistë"

Sociologu Hajrić mendon, se qeveria në Beograd ofron municion për vërejtje raciste. Ato që janë në pushtet përpiqen të ruajnë imazhin proeuropian të vendit dhe i quajnë megjithatë mijëra njerëz "azilkërkues të rremë profesionistë". Kryeministri serb Aleksandar Vuçiç ka deklaruar në një intervistë të fundit me Süddeutsche Zeitung, se romët duan "vetëm paratë gjermane."

Gazetarja gjermane donte të dinte, pse saktësisht romët kanë më shumë vështirësi se të tjerët.

"Për arsye historike. Romët janë tradicionalisht shumë të varfër", u përgjigj thjesht Vuçiç.
Edhe populistët gjermanë kontribuojnë për këtë mendësi, thotë Lina Hüffelmann, e cila këshillon azilkërkues në Këshillin për Refugjatë në Këln. Politikanët e zgjedhur në mënyrë demokratike me deklaratat e tyre e kanë bërë të pranueshëm anticiganismin. "Këtu nuk është fjala vetëm për partinë Unioni Kristian Social, CSU. Në skajin fare të djathtë ka vazhdimisht formacione të reja dhe në mesin e shoqërisë një shtresë gjithnjë e më të gjerë, që e mbështet", kritikon ajo.

E gjitha kjo ndikon në vendimet e punonjësve gjermanë të Zyrës se Refugjatëve: Hüffelmann tregon për raste, kur nëpunësit që para dëgjimit të azilkërkuesit nga Ballkani Perëndimor e kanë patur gati të përgatitur refuzimin e kërkesës për azil.

A e di Dragani çfarë mendojnë politikanët gjermanë për të dhe të tjerët si ai? Po, ka dëgjuar, thotë i riu dhe vë buzën në gaz me nervozizëm. Familja e tij do të marrë në Gjermani 143 euro në muaj për kokë, por kjo nuk është arsyeja pse ka ardhur. "Ndoshta disa vijnë vetëm për para.

Po shumë ikin për shkak të problemeve të vërteta." Ai duket si një njeri, që e di fare mirë, se për të nuk do të ketë azil. Pas rreth tre deri katër muajve Dragani ndoshta do të kthehet në qytetin e tij në Shabac. Kaq zgjasin mesatarisht procedurat për azilkërkuesit nga vende të sigurta të origjinës. Politika përpiqet t'i përshpejtojë ato.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat