​Shkollat me ushtrues detyre, as me drejtor as pa ta

Lajme

​Shkollat me ushtrues detyre, as me drejtor as pa ta

Më: 12 shtator 2015 Në ora: 16:38

Drejtues nga Departamenti i Arsimit në Partinë Demokratike të Kosovës në Ferizaj kanë adresuar akuza për kryetarin e Ferizajt, për çështje që kanë të bëjnë me arsimin në Komunën e Ferizajt, përkatësisht me degradimin në vijimësi që i po bëhet këtij sektori të ndjeshëm të shoqërisë.

Agim Berisha, ish drejtor i DKA-s në Ferizaj ka thënë se kryetari Muharrem Svarqa është duke ndjekur modelin e fshesës për largimin e kuadrove të dëshmuar udhëheqëse të shkollave dhe angazhimin në këto vende kyçe të familjarëve dhe militantëve të partisë së tij, duke u ngritur mbi ligjin dhe rregullat, vetëm për rehatimin e tyre, por që këto veprime të tij nuk mund të shihen ndryshe veçse si degradim të shkollës shqipe.

"Viti i kaluar shkollor është përmbyllur me ushtrues detyre të drejtorëve, madje për 9 muaj dhe jo vetëm në një shkollë, por në disa syresh. Edhe këtë vit e ka filluar me ushtrues detyre dhe me këtë mund të themi se arsimi ferizajas po rrëshqet drejt humnerës dhe mossuksesit. Kjo është një gjendje as me drejtor, as pa të, pra është një demotivim i kolektivave të shkollave.

Nuk u ka vazhduar mandatin drejtorëve të dëshmuar dhe të suksesshëm, atyre që kanë sjellë rregull dhe rend në shkolla dhe janë shquar për bashkëpunim me komunitetin. Kjo ka ngjarë pikërisht në ato shkolla që kanë qenë në nivel të mirë", ka thënë Berisha.

Udhëheqësi i këtij departamenti në kuadër të PDK-së ka folur për ndërrimet e drejtorëve që janë bërë, të cilat sipas tij do nuk të prodhojnë asnjë të mirë, pasi këta ose janë familjarë ose militantë të partisë në pushtet.

"Në mesin e atyre që ka emëruar ushtrues detyre ka të atillë që janë dëshmuar për dështime në udhëheqje, që kanë braktisur arsimin në kohët më të rënda para më shumë se 20 vjetësh, atyre që i kanë kthyer shpinën shkollës dhe nxënësve. Nuk ka përfillur ligjin mbi arsimin parauniveristar dhe s'do mend se ka bërë shkelje të ligjit", ka thënë Berisha, duke e cilësuar këtë që të jetë një politizim të skajshëm të arsimit në Ferizaj.

"A s'është ky politizim i a rsimit dhe shkollës. Ne kemi qenë në pushtet, por drejtorët e suksesshëm të partive tjera nuk i kemi ndërruar. Kryetari ka krijuar në shkollë aso gjendje dhe atmosferë sa nuk ka pëlcitur belaja në mesin e punonjësve të arsimit", ka thënë Berisha, duke e vlerësuar këtë situatë si një "muharremizim të arsimit ferizajas".

Agim Berisha ka thënë se kryetari për gjithë këto nuk mund ta marr guximin dhe të del publikisht e të thotë se këta drejtorë janë ndërruar për atë po këtë aspekt, pasi nuk ka përgjigje. Ka vetëm përgjigjen se ka bërë ndërrimet për të rehatuar militantët partiakë", ka theksuar Berisha, teksa ka përkujtuar se drejtorët që nuk janë rizgjedhur asnjëherë më parë nuk kishin marrë vërejtje apo nuk ishin hartuar raporte negative për punën e tyre të bërë.

Berisha ka përmendur me këtë rast shkollat fillore në Fshatin e Vjetër dhe Nikadin, të cilat ishin udhëhequr nga drejtorë të dëshmuar për p unë dhe organizimin e saj, por që nuk janë rizgjedhur më pas, duke e konsideruar këtë të jetë një hap prapa.

Zyrtarë të PDK-së kanë paralajmëruar se një konferencë shtypi do të ngrehin çështjen e përzgjedhjes së kuadrit mësimor, angazhimin e njerëzve në marrëdhënie pune pa shpallur konkurset dhe me rekomandime, ndërsa nuk kanë përjashtuar mundësinë që grupi kuvendor i PDK-së në Kuvendin e Ferizajt të kërkojë një raport të detajuar nga kryetari lidhur me këto çështje mjaft të mprehta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat