Shqiptari nga Kosova rrëfehet për "The Washington Post": Braktisa vendin tim si sirianët (Video)

Lajme

Shqiptari nga Kosova rrëfehet për "The Washington Post": Braktisa vendin tim si sirianët (Video)

Më: 19 shtator 2015 Në ora: 08:22

Në vitin 1999 qindra mijëra refugjatë nga Kosova kanë lëshuar apo janë detyruar të lëshojnë shtëpitë e tyre. Mikra Krasniqi dhe familja e tij ishin në mesin e tyre.

Në një shkrim për "The Washington Post" ai ka rrëfyer rrugëtimin nga prizmi i një refugjati 22-vjeçar. Mikra Krasniqi tani jeton në Silver Spring, Maryland të SHBA-ve dhe është shkrimtar.

Në pjesën më të madhe të të Amerikës, refugjatët sirianë shihen si kërcënim dhe jo viktima. Në shkurtin e kaluar, kryetari i Shtëpisë së Komitetit Kombëtar të Sigurisë, Michael McCaul kishte thënë se pranimi i refugjatëve do të krijonte një rrjedhë të financuar të xhihadistëve drejt SHBA-së. Në qershor, Peter King kishte thirrur një seancë shqyrtimi mbi këtë çështje, ku kishte argumentuar se grupet terroriste mund të përdorin programet për refugjatë për të kryer sulme terroriste në Evropë dhe Amerikë. Kandidati për president nga republikanët Carly Fiorina ishte pajtuar me vërejtjet, se duhet qenë vigjilent se kujt po i lejohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këto argumente thelbësisht e përçudnojnë domethënien e të qenit refugjat. Ta braktisësh shtëpintë në kohë lufte nuk është zgjedhje apo mundësi politike . është instikt mbijetese, përpjekje e furishme për të mbrojtur veten dhe fëmijët nga dhuna, uria apo vdekja.

Ky është realiteti i vetëm që unë e njoh shumë mirë. 16 vite më parë, u detyrova ta lëshoj Kosovën pasi ushtria serbe ma dogji shtëpinë deri në temel. Kjo eksperiencë më mësoi se sa e dëshpërueshme mund të jetë jeta për një refugjat, dhe se sa me rëndësi është të trajtohen refugjatët me mirësi dhe mirësjellje.

Lufta e Kosovës filloi në vitin 1998, por luftime sporadike midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrisë Serbe kishin filluar shumë më herët. Në vitin 1990, Serbia u kishte marrë kosovarëve të gjitha të drejtat dhe kishte okupuar institucionet e tyre. Si kundërpërgjigje, UÇK-ja sulmoi stacionet policore të udhëhequra nga Serbia si dhe bazat ushtarake të tyre, duke marrë ndonjëherë kontroll mbi disa qytete.

Serbët ua kthyen me një sulm të gjerë mbi shqiptarët etnik të Kosovës. Për disa muaj, ata detyruan mbi 850,000 ta lënë vendin, ndërsa mijëra të tjerë ishin detyruar të zhvendosin brenda vendit. Radhë të pafundme të refugjatëve u krijuan në kufijt me shtetet fqinjë, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Ishte një ndër krizat më të mëdha me refugjatë në Evropë, që nga Lufta e II-të Botërore.

Atë kohë isha 22 vjeç, dhe jetoja në një qytezë të vogël të banuar nga shqiptarët në jugperëndim të kryeqytetit. Edhe pse unë dhe familja ime frikësoheshim se do të sulmoheshim nga serbët, ne qëndruam aty. Shpresuam se lufta do të përfundoj përpara se të arrij tek ne. Përveç asaj, nuk kishim as ku të shkonim.

Prisnim kot. Një pasdite në prillin e hershëm, dëgjova të shtëna armësh jashtë shtëpisë së prindërve. Dola me vrull nga dera dhe pashë disa burra pa uniformë, të maskuar dhe me kallshnikovë. Granatat dhe thikat qëndronin të varura në ijet e tyre. Më thirrën, më drejtuan pushkët prapa shpinë, dhe na çuan drejt sheshit të qytetit. Gjersa shokët dhe fqinjët e mi shikonin, ushtraët filluan të më godasin me fundin e pushkëve të tyre. Njëri ma vendosi tytën e pushkës në gjoks.

U bëra gati të vdes. Por një trazirë në turmën e njerëzve shpërqendroi ushtarin përpara se ai ta tërheq këmbëzën. U kthye nga ana tjetër, dhe në kaosin që pasoi, u përvodha prapa një muri me tulla. Në fund, disa fqinjë me gjetën, dhe u përkujdesen që të më dërgojnë tek familja ime.

Hipëm në një rimorkio me rreth 25 veta të tjerë, dhe lamë qytetin me vetëm pak rroba që kishim futur në qantat që mbanim në shpinë. Nuk kishim zgjidhje tjetër: atë pasdite, qindra ushtarë serbë kishin pushtuar qytetin tonë prej 1,000 banorësh. Dogjën shtëpitë dhe përzurën banorët duke i kërcënuar me armë. Mesazhi i tyre ishte i qartë: Ikni.

Në 10 orët e ardhshme, karvani jonë i makinave dhe kamionëve gjeti rrugën e vet nëpërmjet qyteteve dhe fshatrave të djegur. Paramilitarët serbë kishin ngritur pika kontrolli përgjatë rrugës, dhe plaçkisnin refugjatët, duke u marrë para të dorës, bizhuteri dhe çdo gjë tjetër që ata e konsideronin si të vlefshme për plaçkitje. Sulmonin drejtuesit e automjeteve, duke i gjuajtur me gurë dhe duke shtënë drejt tyre. Pashë se si nxorën një grua që bërtiste nga makina. Ende nuk e di se çfarë ndodhi me atë.

Kur arritëm në një pikë tjetër kontrolli, paka para kufirit me Shqipërinë, një grup i madh paramilitarësh serbë po na prisnin. Edhe pse ishte natë e errrët, dëgjuam se si afroheshin nga automjetet tona, dhe më pas urdhëruan drejtuesit t'i dorëzojnë letërnjoftimet e tyre, pasaportat, certifikatat e lindjes, dhe çdo gjë tjetër që na jepte legjitimitet si banorë të Kosovës.

Në Shqipëri, u mirëprotëm në një kamp prej 1,400 refugjatësh që drejtohej nga "Caritas"-i i Spanjës. Për 10 javë, bëmë gjum ne tendat e mbipopulluara, u ushqyem me ushqim të konservuar dhe iu nënshtruam temperaturave përvëluese. Mora insomni, dhe shpenzoja orë të tëra duke 'bredhur' i vetëm gjatë natës në një tokë të huaj. Dëgjoja njerëzit se si qanin gjatë natës.

Edhe pse më në fund ishim jashtë rrezikut, ndihesha i depresionuar, zemërthyer, i pashpresë. Pa çmendurinë e vazhdueshme të luftës, dhuna dhe traumat që kisha përjetuar më pushtuan. Më ndjeknin. Hahesha me veten të kuptoj se çfarë do të sjellë e nesërmja. Si një refugjat që isha, nuk kisha asgjë. Ku do të vendosesha? Çfarë do të bëja? Si do të jetoja? E ardhmja ime ishte tërësisht në duar e dikujt tjetër. Pasiguria e ushqente dëshpërimin tim.

Por kishte edhe momente lavdie. Një ditë, e mora kushëririn tim të vogël në spitalin e improvizuar brenda kampit.

Kreyministri i Spanjës Jose Maria kishte ardhur në vizitë. I shtrënguam duart dhe i shpreha mirënjohjen time. Me sy të përlotur shikoi fytyrën time të mavijosur dhe pastaj na përqafoi, mua dhe kushëririn. Atë ditë mësova se refugjatët kanë nevojë më shumë se vetëm për ushqim, siguri dhe strehim. Ata kanë nevojë për njerëz që i dëgjojnë historitë e tyre fatkeqe, njerëz që mund të ofrojnë jo vetëm mirësi, por edhe ndjeshmëri dhe pranim.

Në vitin 1999 unë dhe familja ime u kthyem në Kosovë. Punova për Shtetet e Bashkuara për disa vite, pastaj u zhvendosa atje përmes një vize studentore. Përfundova kolegjin, kam dy diploma universitare dhe kam nisur një familje.

Konflikti sirian është më i madh dhe më i ndërlikuar se kriza në Kosovë. Përafërsisht 9 milionë sirianë kanë lëshuar shtëpitë e tyre që nga viti 2011, kur filloi lufta. Nga 4 milionë refugjatë të regjistruar në Kombet e Bashkuara, 1.6 milionë prej tyre janë fëmijë nën moshën 11 vjeç; 708,000 prej tyre janë nën moshën 4 vjeç.

Ne kishim edhe përparësi të tjera. Kosovarët mirëpriteshin në Shqipëri - mijëra familje ofruan strehimin e refugjatëve në shtëpitë e tyre. Kemi kulturë dhe gjuhë të njëjtë. Në anën tjetër, sirianët përballen me kërcënime të ashpra zyrtare se do të arrestohen, dhe armiqësi të tjera në kufijt e vendeve të ndryshme.

Ende, gjersa shikoj raportimet, kronikat e lajmeve mbi refugjatët dhe ushëtimet e tyre dëshpëruese me varka drejt Evropës, prekem jo nga dallimet, por nga ngjashmëritë tona. Dëgjoj gra dhe burra që tregojnë për traumat amorfe dhe braktisjen e shtëpive të tyre. Shoh se si fëmijët buzëqeshin dhe luajnë pavarësisht se prapa tyre zhvillohet një luftë. Dhe shoh shkëndiza shprese mes dëshpërimit.

Humbja e shtëpisë është një barrë pothuajse e pambijetueshme. Evropianët dhe amerikanët duhet të bëjnë gjithçka që kanë në dorë, në mënyrë që refugjatët sirianë të ndjehen të sigurt dhe të mirëpritur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat