Kush është vajza që mendohet se qëlloi Ramën me vezë (Foto)

Lajme

Kush është vajza që mendohet se qëlloi Ramën me vezë (Foto)

Më: 2 nëntor 2015 Në ora: 15:00

Klodi Hoxha është vajza që mendohet se ka qëlluar kryeministrin Rama me vezë. Ajo është aktiviste në organizatën “Për Universitetin”, që kundërshton ligjin e ri të arsimit.

Një ditë më parë ajo kishte bërë edhe një status, kundër këtij ligji. “Ç’do të ndodhë kur gjimnazistët të mos mund ta vazhdojnë arsimimin e tyre në institucionet e arsimit të lartë për shkak të tarifave të kripura? Atëherë nuk do të pijë më ujë fakti se ata janë gjimnazistë dhe nuk mund t’i bashkohen protestës sonë studentore. Askush nuk do që të punojë në call­center apo fasoneri. Të gjithë duan të arsimohen.

Ç’do të ndodhë kur universitetet e rretheve të falimentojnë? Nuk do të jetë më justifikim fakti se nuk mund t’i bashkohesh dot protestës në Tiranë për shkak të largësisë. Atëherë protestën do ta bëjmë në secilin qytet ku ka një universitet publik. Ç’do të ndodhë me pedagogët kur t’u hiqet edhe ajo pak liri akademike nga burokratët qeveritarë apo, më keq akoma, kur të fillojnë t’i shkurtojnë për shkak se nuk janë agjentë të mirë marketingu? Nuk mendoj se do të shqetësohen më për vendin e punës, por do t’i bashkohen edhe ata masivisht protestës.

Disa prej studentëve nuk do të jenë më bijtë dhe bijat e nëpunësve të frikësuar të administratës, por qytetarë që kërkojnë të drejtat e tyre themelore. Kur padrejtësia dhe pabarazia të dojë të ngulet dhunshëm në universitet, as indiferentët nuk do të jenë më indiferentë; as skeptikët më skeptikë”, shkruan ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat