​MSA e njëjtë me të gjitha tjerat, veprimet e opozitës të papranueshme

Lajme

​MSA e njëjtë me të gjitha tjerat, veprimet e opozitës të papranueshme

Më: 3 nëntor 2015 Në ora: 17:05

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian Samuel Zbogar tha se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit për Kosovën është e njëjtë me të gjitha MSA-të tjera. Sipas tij, BE-ja e konsideron një hap tejet të rëndësishëm nënshkrimin e MSA-së me Kosovën.

Zbogar theksoi se kjo ka për qëllim që t’i ofrojë vendet e Ballkanit Perëndimor sa më afër Bashkimit Evropian. Derisa, veprimet e opozitës, i ka quajtur tejkalim të vijës që janë të papranueshme për ta.

Zbogar këto komente i bëri në Komisionin për Integrime Evropiane.

Vetëm një ditë pas miratimit të projektligjit në Kuvendin e Kosovës për ratifikimin e MSA-së, Zbogar tha se nënshkrimi i saj ka ngritur marrëdhëniet mes Kosovës dhe BE-së në një shkallë me të lartë.

Zbogar: MSA-ja e njëjtë me të gjitha tjerat

“Kjo MSA është e njëjtë me MSA-të tjera dhe qëllimi i kësaj MSA-je është e njëjtë sikurse me të gjitha MSA-të tjera dhe qëllimi i kësaj është që t’i ofroj vendet e Ballkanit Perëndimor më afër BE-së. Përpos që është një hap i rëndësishëm, edhe për BE-në nënshkrimi i MSA-së m e Kosovë konsiderohet si një hap shumë i rëndësishëm. Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe BE-së me rastin e nënshkrimit të MSA-së kanë kaluar në një shkallë me të lartë. Pra kjo strukturë e re do t’i ndihmoj që të ketë një dialog politik mes Kosovës dhe BE-së”, tha Zbogar.

Zbogar ka folur edhe për veprimet e opozitës e cila po e bllokon punën e Kuvendit, duke thënë se opozita e ka kaluar vijën me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Ai tha se ata janë fuqishëm kundër këtyre veprimeve dhe do ta thonë gjithmonë me zë këtë gjë.

Zbogar: Veprimet e opozitës tejkalim i vijës

“Në këtë rast, opozita e ka tejkaluar vijën në momentin kur gazi lotsjellës është hedhur në Kuvend. Së pari kanë bërë shkelje me hedhjen e vezëve dhe pastaj edhe të gazit lotsjellës dhe për këtë arsye ne nuk jemi duke fajësuar opozitën por duhet t’ua bëjmë të qartë se këto veprime nuk janë të pranueshme për ne. Askund në rajon dhe as në botë nuk pranohen veprime të tilla dhe Kosova nuk dallon prej vendeve tjera. Prandaj unë mendoj që kjo është arsyeja pse në mënyrë më publike jemi më kritikë ndaj opozitës sesa që kemi qenë më herët. Për arsye se në këtë pikë është dallimi në marrëdhënie me ne. Nëse njëra palë flet për demokracinë dhe sundimin e ligjit atëherë kjo nuk përshtatet me taktikat e përdorura. Nëse njëra palë thotë se nuk e pranoj ftesën e prokurorit për t’u marrë në pyetje, kjo nuk lidhet me sundimin e ligjit.Kjo është tejet e papranueshme dhe këtë e themi me shumë zë që nuk pranohen veprime të tilla.”, tha Zbogar.

Anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane, patën një sërë pyetjesh për përfaqësuesin e BE-së.

Kryetarja e Komisionit, Teuta Sahatqija tha se shpreson që ky dokument i rëndësisë s ë veçantë do të ketë ndikim pozitiv që të sjellë edhe opozitën brenda në Kuvend dhe të vazhdojë dialogu ashtu siç duhet të jetë, një dialog konstruktiv me zë të fuqishëm opozitar brenda Parlamentit të Kosovës.

Deputeti Ilir Deda i kërkoi përfaqësuesit të Bashkimit Evropian që të ketë një ndërmjetësim të Brukselit në krizën politike në të cilën gjendet Kosova, duke e krahasuar me ndërhyrjen e komisionarit Johanes Hahn për zgjidhjen e krizës në Maqedoni.

Deda: Duhet të ketë një dialog mes Qeverisë dhe opozitës

“Gjatë vitit të kaluar në kohën e krizës politike në Maqedoni, ishte pikërisht komisioneri Hahn që shkoi dhe ndërmjetësoi në një dialog politik ndërmjet katër partive politike atje. Pse, sepse dialogu politik ndërmjet Qeverisë dhe opozitës është vlerë demokratike dhe mendoj, edhe besoj thellë që sa më shumë duhet të ketë mesazh publik që është vlerë dialogu ndërmjet Qeverisë dhe opozitës për zgjidhjen e krizës politike në të cilën jemi. Kishte me qenë më pozitive për Kosovën nëse nuk do duhej të kishte ndërmjetësim të zyrtarëve nga Brukseli, por zgjidhjen e krizës ta gjenim ne vetë me dialog politik”, tha Deda.

Por, përfaqësuesi i BE-së Zbogar tha se nuk ka nevojë për ndërmjetësues, meqë nuk është situatë e njëjtë sikur ajo e Maqedonisë, kur komisioneri Johanes Hahn ndërmjetësoi gjetjen e një zgjidhjeje për krizën atje.

Zbogar: S’keni nevojë për ndërmjetësues

“Nuk kam ndonjë këshillë, por mendoj që nuk duhet të humbim kohë por duhet të përdoret koha që të zgjidhen të gjitha mjetet për zgjidhjen e kësaj situate. Nuk mendoj që keni nevojë për ndërmjetësues, sepse situata në Kosovë nuk është njëjtë sikurse ishte në Shkup para disa muajve. Por e kemi një situatë politike e cila duhet të zgjidhet dhe adresohet. Ne ju bëjmë ftesë palëve që të ulen dhe të bisedojnë”, theksoi ai.

Deputetja e LDK-së Vjosa Osmani shtroi çështjen e mundësisë që Kosova t’i drejtohet Komisionit të Venecias për të kërkuar interpretim rreth marrëveshjeve për Asociacionin dhe Demarkacionin.

Osmani: Kush po i frikësohet Komisionit të Venedikut

“Komisioni i Venedikut është i vetmi institucion të cilin e respekton edhe opozita edhe qeveria. Nëse zgjidhja është kaq e lehte pse nuk po e shfrytëzojnë këtë komision, kush po i frikësohet këtij komisioni. Nuk duhet t’i mbyllim sytë para realitetit se nuk ka besim në gjykatën kushtetuese. Te gjithë do ta respektonin një vendim për asociacionin nëse ai do të merrej në Komisionin e Venedikut”, tha ajo.

Por, Zhbogar ka kundërshtuar këtë, duke thënë se Kosova duh et t’i shfrytëzojë të gjitha institucionet që ka, e jo problemet e veta t’i nxjerrë tek Komisioni i Venedikut.

Zbogar: Problemet tuaja mos i nxirrni të Komisioni i Venedikut

“Duhet t’i përdorni së pari institucionet tuaja. Nuk ju rekomandoj që ta anashkaloni Gjykatën Kushtetuese duke u bazuar ne vendimet që ajo i ka nxjerrë. Gjykata Kushtetuese është institucioni më i lartë që e mbron kushtetutën e Kosovës. Rruga e duhur është t’i drejtoheni gjykatës kushtetuese. Ndërsa pastaj a duhet t’i drejtoheni Komisionit të Venedikut nuk kam mendim, këtë duhet ta diskutoni ju. Nuk duhet t’i nxirrni problemet e juaja tek Komisioni i Venedikut. Nuk duhet të kërkoni zëvendësim të gjykatës kushtetuese me Komisionin e Venedikut. Keni gjykatën funksionale e cila ka edhe gjykatës ndërkombëtarë të cilët e bëjnë të besueshme këtë gjykatë”, tha ai.

Mirëpo, me këtë deputetja Osmani nuk është pajtuar, duke thënë se Kosova është anëtarësuar në Komisionin e Venedikut jo për t’i transportuar problemet, por për t’i zgjidhur ato.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Integrime, ishte i ftuar edhe ministri i Integrimeve Evropiane Bekim Çollaku, i cili ka folur me shumë rreth procesit të liberalizimit të vizave.

Ai tha se liberalizmi i vizave është çështje krejtësisht teknike, e cila prej fillimit ka qenë e kushtëzuar me plotësimin e kritereve teknike.

Megjithatë, Çollaku shprehet i bindur se në fund të dhjetorit Kosova do ta marrë një rekomandim pozitiv për liberalizmin e vizave.

Çollaku: Në dhjetor presim raport pozitiv për liberalizim

“E them me bindje të plot para jush se ky raport do të jetë pozitiv dhe duhet patjetër të përmbajë rekomandimin pozitiv. Afati kohë kur ky mund të bëhet publik dh e kur Komisioni Evropian do ta bëjë publik rekomandimin për liberalizim të vizave është fundi i dhjetorit, rasti me i keq është fillimi i vitit të ardhshëm, që i bie muaji janar. Ne po bëjmë çmos që të jetë muaji dhjetor sepse edhe ashtu jemi të vonuar dhe pastaj përsëri e dimë se edhe pas marrje se këtij rekomandimi ka përsëri procedura tjera të brendshme të BE-së”, tha Çollaku.

Sa i përket kritereve shtesë që janë kërkuar, ministri Çollaku tha se këto nuk janë kritere shtesë, por janë rekomandime shtesë në kritere të caktuar, që sipas tij, kryesori ka qenë në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit.

Çollaku tha se ka pasur kërkesa eksplicite që për shkak të luftës se krimit ndërkufitar, Kosova përsëri ta rikthejë kontrollin në hyrje dhe në dalje në kalimin kufitar me Shqipërinë dhe ata janë të obliguar ta bëjnë sepse kjo është kërkesë eksplicite.

Edhe Çollaku ka folur për MSA-në, duke thënë se është një proces jetik për Kosovën, duke e futur vendin në binarët e integrimit. Ai tha se në janar të vitit 2016 presin që MSA-ja të hyjë në fuqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat