Hoti: Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO i pandalshëm!

Lajme

Hoti: Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO i pandalshëm!

Më: 9 nëntor 2015 Në ora: 18:31

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO është i pandalshëm.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se, Republika e Serbisë i ka dëmtuar rëndë raportet ndëretnike në Kosovës, duke dëmtuar seriozisht marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

"Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO i pandalshëm!
Duke marrë parasysh gjithë kampanjën e egër dhe të paprecedent të Republikës së Serbisë kundër anëtarësimit të Republikës së Kosovës në UNESCO, mund të vihet re që në fillim se dëmi që ka shkaktuar shteti ynë fqinjë me këtë rast shtrihet në së paku në këto dy rrafshe:
E para, Republika e Serbisë i ka dëmtuar rëndë raportet ndëretnike në Kosovë dhe
E dyta, shteti ynë fqinj e ka dëmtuar seriozisht Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve Ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Por për të qenë kjo gjendje edhe më e rëndë është kujdesur Kisha Ortodokse Serbe, e cila, përkundër të drejtave dhe privilegjeve që gëzon në kuadër të Republikës së Kosovës, ajo, me kampanjën e saj mediale e publike ka ofruar shembuj të fuqishëm të urrejtjes ndëretnike, e jo vetëm dëme për shtetin e Republikës së Kosovës.

Pyetja përse shteti fqinj dhe Kisha Ortodokse Serbe e Republikës së Kosovës, ishin kundër mundësisë së qasjes ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj në arsim, shkencë e kulturë, mund të shpjegohet vetëm me mendësinë e të kaluarës johumane.
Në rrugëtimin drejt integrimeve euroatlantike, drejt integrimeve rajonale e fqinjësore, Republika e Kosovës do të ketë gjithnjë e më pak nevojë për Republikën e Serbisë, por kjo nuk mund të thuhet për Republikën e Serbisë në raport me Republikën e Kosovës dhe me shqiptarët në përgjithësi.
Në anën tjetër, edhe mazhoranca duhet të kuptojë më shumë nga puna ekipore për të arritur qëllime të larta shtetërore në arenën ndërkombëtare.

Ashtu sikurse që opozita duhet të mësohet për t’u ngritur jo rrallë herë mbi qëllimet e agjendave vetjake, kur është në pyetje interesi vital i shtetit të Republikës së Kosovës.
Pas ikjes së rastit të parë që Republika të pranohej në UNESCO, duhet të reflektojmë të gjithë, veçmas mazhoranca.

Rruga e Kosovës drejt pranimit të saj në UNESCO është e pandalshme, ashtu sikurse që ajo do të jetë gjithmonë e përkushtuar në kultivimin e vlerave etnike, kulturore, arsimore për të gjithë dhe pa dallime.
Shteti ynë i ri do të dijë t’i nderojë dhe t’i vlerësojë të gjithë shtetet dhe organizmat ndërkombëtarë që mbështetën Republikën e Kosovën për anëtarësimin e saj në UNESCO, rrjedhimisht në integrimin e saj drejt proceseve tjera euroatlantike, rajonale e fqinjësore", ka shkruar Hoti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat