E ardhmja e ndritshme, me Hashim Thaçin në opozitë dhe Dardaninë në UNESCO

Lajme

E ardhmja e ndritshme, me Hashim Thaçin në opozitë dhe Dardaninë në UNESCO

Nga: Mimozë Lakna Më: 10 nëntor 2015 Në ora: 10:38

Gjatë ditës së djeshme, Kosova mori një goditje të fortë si pasojë e mospranimit në UNESCO. Natyrisht, ky dështim shkon në llogari të Ministrisë së Punëve të jashtme dhe përfaqësuesve të saj, Ministrit Hashim Thaçi dhe zëvendësministrit Petrit Selimi.

Kështu vlerëson publicisti Arbër Gashi, i cili thekson se klasa politike në Kosovë nuk e njeh institucionin e përgjegjësisë dhe atë të dorëheqjes morale.

“Përgjegjësia kryesore për mos anëtarësimin e Kosovës në UNESCO bie kryekëput mbi institucionet e Kosovës dhe qeverinë e saj, përkatësisht Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe veçanërisht mbi drejtuesin e kësaj Ministrie, Hashim Thaçin. Meqenëse klasa politike e Kosovës ende nuk e njeh institucionin e përgjegjësisë, opinioni nuk pret ndonjë reflektim serioz nga drejtuesit politik. Kjo klasë politike nuk e njeh institucionin e dorëheqjes morale, sepse mendësia e saj është formuar në bazat e ideologjisë komuniste”, vlerëson ai.

Për rrjedhojë,sipas Gashit, kjo klasë politike, për çdo dështim të vetin fajtorët i gjen te opozita, te shoqëria civile ose te armiqtë e sajuar sipas nevojës.

“Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve qeveritare për demonizimin e çdo kundërshtari politik për hirë të mbajtjes së pushtetit me çdo kusht, koha po e sjellë vetvetiu ndryshimin e pashmangshëm në Kosovë. Urojmë që ky ndryshim i domosdoshëm të jetë reflektues, thellësisht shqiptar, demokratik dhe të nxjerrë në sfondin e identifikimit tonë në botë vlerat tona të kulturës burimore, kombëtare dhe shtetformuese. Le t’i prijë këtij ndryshimi shpresojmë pozitiv, Flamuri Kombëtar Shqiptar dhe Flamuri i Shtetit të Dardanisë Shqiptare. Me Dardaninë Shqiptare në UNESCO dhe Hashim Thaçin në opozitë. Kjo është e ardhmja e ndritshme e vendit tonë”, përfundon Gashi./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat