Ëndrra e përmbysur e Thaçit! Dita e dështimit erdhi!

Lajme

Ëndrra e përmbysur e Thaçit! Dita e dështimit erdhi!

Nga: Idriz Morina Më: 10 nëntor 2015 Në ora: 12:04

A ishte një ëndërr apo vetëm një rrugëtim, që mund të këput shpresat e Hashim Thaçit për lartësim politik apo ringritje të tij?
Thaçi përfundimisht duket shpresëkëputur edhe pse ende vetë ai nuk po e shfaq këtë.

Madje, në kundërshtim me gjithë ndodhinë, ai nuk ngurroi ta quante, humbjen e tij fitore. Në fakt shpallja e humbjeve fitore, është një psikologji serbe, që Thaçi me shokë e kishin përvetësuar gjatë luftës në Kosovë, mbase si i vetmi mjet për të arritur famë, në kohën, që pak kush llogariste tek ta në Kosovë. Këtë shpërfytyrim të këtij grupimi ka kohë që e kemi evidentuar, por kthimi në tabanin nacional, të vlerave shqiptare po mungon.
Po ashtu duket se njerëz që mund të ishin në mbrojtje të tij fillimisht hodhën gënjeshtra se ishin shtetet arabe, në krye me Arabinë Saudite, që e kishin bërë të pamundur hyrjen e Kosovës në UNESCO, thjesht për të larguar vëmendjen nga humbja katastrofale e diplomacisë së Thaçit.
Kjo humbje në UNESCO e bën të padiskutueshme marrëveshjet e fundit me Serbinë duhet të rishikohen, dhe Asociacioni të shpallet i vdekur! Jo më bisedime me Serbinë, pa i hequr të gjitha barrierat ndaj Kosovës, që nga OKB-ja deri tek futbolli!

Dosjet e kanë kthyer Kosovën në peng

Ka disa çështje tejet të rëndësishme që duhet shtruar për zgjidhje, së pari për vetë shqiptarët, pastaj edhe për politikën, por edhe për miqtë tanë.
Dështimi i anëtarësimit të Kosovës në UNESCO a ishte thjesht një dështim i diplomacisë së Kosovës apo ishte një dështim i një politike shqiptare, që prej vitesh nuk bënte asgjë tjetër, përpos që fshihte fatin e saj, duke luajtur rolin e të dëgjueshmit tek ndërkombëtarët?!
A ka ardhur fundi i një politike të këtillë ku servilizmi duhet të marrë fund, dhe të shpallet si antivlerë,
Por, për të ndodhur këto ndryshime është e vështirë të bëhen nga e njëjta klasë politike, nga e njëjta kreaturë politike, e cila nuk njeh model tjetër të sjelljes, jo për shkak se krejtësisht i mungon atdhedashuria, por për shkak të kaluarës së tyre, pra ata ishin dhe janë peng të dosjeve të tyre, që fatkeqësisht vetëm Serbia i posedon në masë të madhe, dhe mbi të gjitha mund ti diskreditojë në pikat kryesore mbështetëse të politikës së tyre.

U deshën shumë më pak vota se sa që llogaritej

Në sisteme votimi si Kosova duheshin mbi 130 vota, për të siguruar 2/3 e votave të nevojshme për anëtarësim, por meqë në UNESCO nuk merren në llogaritje votat e abstenimit, por vetëm ato për dhe kundër, ne mbetëm praktikisht tek mungesa e 3 votave, përkatësisht tek një oshilacion ndërmjet 2 dhe 4 votave, varësisht se nga mund të vinin ato, nga ato shtete që ishin deklaruar kundër apo nga abstenimet.
Por, kjo situatë duhet t’ia hap sytë shqiptarëve, që të shohin mirë se kush po i qeverisë, dhe si u bë që të përjetojnë një poshtërim kaq të lartë nga serbët?

Të pyesin vetën dhe të gjejnë zgjidhje se pse nuk do të duhej ta pranonin një qeverisje të këtillë, dhe nëse miqtë tanë, nuk deshën të shkonin më tej në mbështetjen, jo për ne, por për një qeveri të këtillë?
A duhet kërkuar edhe nga miqtë tanë që një klasë e tillë politike, nuk po na nderon as neve shqiptarëve, por as juve miq të nderuar, pasi edhe ju u bëtë pjesë e humbjes nga Rusia dhe Serbia?

A duhet kërkuar që të largohet sa më parë nga politika, kjo klasë politike e inkriminuar deri në fyt, me të gjitha llojet e krimeve? Pra, se as ju në momente të caktuara nuk arrini dot më shumë me ta?

111 Njohje e vetëm 92 vota, dhe njëra nga një shtet që nuk na ka njohur ende, është një katastrofë, një dështim total para së gjithash i Ministrisë së Jashtme, dhe i tërë diplomacisë, ku bën pjesë edhe Presidentja.

Me qeveritar, që edhe marrëveshjet e disfavorshme për vendin i pranojnë për shkak se nuk duan të dështojnë në politikë, por e çojnë vendin drejt dështimit, është më se e papranueshme. Pra, qeveritar që haptas deklarohen se kanë marrë vendime për shkak të karrierës, ambicieve për pushtet dhe kundër interesit të Kosovës, nuk mund të shtyjnë procese përpara, dhe se dita e dështimit ju erdhi!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat