Subjektet opozitare: Nuk ndalemi deri në tërheqjen e marrëveshjeve

Lajme

Subjektet opozitare: Nuk ndalemi deri në tërheqjen e marrëveshjeve

Më: 10 nëntor 2015 Në ora: 18:54

Tri partitë opozitare kanë dalë me një deklaratë të përbashkët pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që ta pezullojë përkohësisht marrëveshjen për Asociacionin e Komunave Serbe.

Partitë opozitare vlerësojnë se kjo është fitore e opozitës dhe qytetarëve që kanë nënshkruar peticionin kundër kësaj marrëveshje.

Por opozita pavarësisht kësaj deklaron se do të vazhdojë aktivitetin e tyre madje edhe më intensivisht.

Komunikata e plotë e partive opozitare

Fitorja e opozitës së bashkuar, në kauzën e saj për mbrojtjen e shtetit, është e pashmangshme. Drejtësia e kësaj kauze, në njërën anë, dhe vendosmëria jonë në anën tjetër, pashmangshëm do ta gjunjëzojnë koalicionin e dy marrëveshjeve me të cilat është rrezikuar Republika e Kosovës.

Kur u nënshkruan marrëveshjet e fundit me Serbinë, më 25 gusht, kryeministri, zv.kryeministri dhe të gjithë vartësit e tyre, deklaronin me vendosmëritë lartë se marrëveshjet do të zbatohen, se ato janë në përputhje me Kushtetutën dhe se nuk do të ketë kthim mbrapa. Ata nuk e morën seriozisht, seriozitetin e opozitës së bashkuar.

Sot, pas dy muajsh të rezistencës aktive të opozitës, pas mbi 205 mijë nënshkrimeve të qytetarëve, gjunjëzimi i pushtetit veç ka filluar. Presidentja i dërgoi në Gjykatë Kushtetuese marrëveshjet e 25 gushtit ndërkohë që demarkacioni me Malin e Zi, tashmë është i shpallur 'nul' dhe në formën aktuale, nuk do të ratifikohet nga askush.

Ne kemi njëmijë arsye që të mos i besojmë Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk ka kredibilitet dhe është e kapur, por vetë fakti që presidentja u detyrua t'i dërgojë marrëveshjet atje, është tërheqje e pushtetit karshi presionit qytetar dhe të opozitës.

Ne e kemi të qartë që kjo tërheqje ka për synim pamundësimin e fitores së plotë të opozitës, në kauzën e saj për tërheqjen e plotë të këtyre marrëveshjeve. Është pikërisht Gjykata Kushtetuese ajo që paligjshëm ia vazhdoi PDK-së qëndrimin në p ushtet dhe normalisht që nuk presim kurrfarë vendimi në mbrojtje të shtetit dhe Kushtetutës, nga një gjykatë e kapur. Pra, nuk do të ndalemi që të presim vendimet e saj. Përkundrazi, subjektet opozitare do të vazhdojnë aktivitetin e tyre në mënyrë edhe më intensive.

Nuk do të ketë funksionim normal të institucioneve shtetërore, pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat