Thaçi për EurActiv: Serbia me gjuhë luftënxitëse, bëri fushatë anti-evropiane

Lajme

Thaçi për EurActiv: Serbia me gjuhë luftënxitëse, bëri fushatë anti-evropiane

Më: 11 nëntor 2015 Në ora: 21:14

Zëvendëskryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës Hashim Thaçi, në një intervistë për portalin e lajmeve “EurActiv” me seli në Bruksel, ka akuzuar Serbinë se ka bërë fushatë anti-evropiane për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Thaçi ka thënë se Kosova, BE-ja dhe e gjithë bota janë tronditur me sjelljen e Serbisë. Sipas tij, nuk ishte çështje vetëm e anti-lobimit, por ishte fushatë anti-evropiane, që është në kundërshtim me të gjitha arritjet gjatë viteve të fundit në rajon.

“Kjo çështje ishte kundër frymës së dialogut dhe bashkëpunimit që po promovojmë në Bruksel përmes procesit të dialogut; ishte kundër frymës së normalizimit të marrëdhënieve dhe të ndërtimit të paqes dhe stabilitetit”, ka thënë Thaçi.

Ai ka shtuar se gjuha e përdorur nga Serbia, për fat të keq jo vetëm nga politikanët e Serbisë ishte një luftënxitëse dhe në kufi me racizmin. Sipas tij, kjo situatë është padyshim një goditje e madhe ndaj të gjitha përpjekjeve të aktorëve të Ballkanit Perëndimor që janë përpjekur shumë për forcimin e paqes dhe stabilitetit.

“Megjithatë, kur shikojmë votat e dhëna ne lehtësisht mund të themi se Kosova ka fituar më shumë se Serbia. Kosova ka siguruar mbështetjen e 92 shteteve anëtare të UNESCO-s me të drejtë vote, në mesin e tyre shume shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet bilateral”, ka theksuar Thaçi.

Ai ka thënë se votimi në UNESCO nuk ishte kundër Kosovës, ishte votë kundër asaj që përfaqëson Kosova, një votë kundër idesë së të drejtave dhe lirive të njeriut që mbizotërojnë mbi të gjitha paradigmat dhe ideologjitë e tjera.

Thaçi ka hedhur poshtë mundësinë që vendimi në UNESCO mund të ndikojë në të arriturat e Kosovës. Kjo gjendje, ka porositur Thaçi, “nuk do të na dekurajojë që të vazhdojmë me punën intensive për konsolidimin e shtetit të Kosovës brenda dhe jashtë”.

“Ne sapo kemi nënshkruar MSA-në me BE-në. Kjo është një njohje e arritjeve të Kosovës në reformat e të gjitha niveleve të shoqërisë,kështu është vlerësuar nga nj ë proces strikt dhe teknik, dhe jo i ndikuar nga politika. Ky është një sinjal për pjesën tjetër të botës, që të njohin arritjet e Kosovës dhe të njohin shtetin e Kosovës, si një realitet i ri dhe pozitiv”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se MSA-ja dhe vlerësimi pozitiv i përpjekjeve tona për liberalizimin e vizave janë arritje që asnjë gjë nuk mund t’i hedh poshtë.

Thaçi ka theksuar se Kosova është mirënjohëse për BE-në që ka gjetur një rrugë për të mundësuar nënshkrimin e MSA me Kosovën, kështu duke njohur arritjet e Kosovës në ndërtimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe transformimit të ekonomisë.

Thaçi në këtë intervistë ka folur edhe për sjelljen e opozitës kosovare në Parlamentin e Kosovës. Sipas tij, jo të gjitha mjetet politike janë shterur për të diskutuar lidhur me çështjet që ka ngritur opozita.

“Prandaj, ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje partive opozitare që të përdo rin të gjitha mjetet politike që kanë në dispozicion për të diskutuar për shqetësimet që kanë. Megjithatë, ne kemi parë disa ndryshime në strukturat përbërëse të partive opozitare dhe besojmë se kjo është një shenjë se mund të vazhdojmë të papenguar me jetën tonë politike”, është shprehur Thaçi për EurActiv.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat