Kerry vjen me porosi të qarta për Kosovën

Lajme

Kerry vjen me porosi të qarta për Kosovën

Më: 2 dhjetor 2015 Në ora: 08:07

Vizita e Kerry, megjithëse jo e planifikuar në itinerarin fillestar, mund të jetë edhe një interesim për shqetësimin në ngritje nga aleatët e Kosovës për rrjedhat e muajve të fundit

Vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry në Prishtinë sot vlerësohet si një vazhdimësi e interesimit të administratës amerikane dhe mbështetje për shtetin e Kosovës, një vizitë e tretë kjo e kryediplomatëve amerikanë gjatë mandatit të presidentit Barack Obama. Zonja Hillary Clinton, ish sekretare e shtetit, e ka vizituar Kosovën dy herë gjatë mandatit të saj.

Vizita e Kerry, megjithëse jo e planifikuar në itinerarin fillestar, mund të jetë edhe një interesim mbi shqetësimin në ngritje nga aleatët e Kosovës për rrjedhat e muajve të fundit dhe ngërçin ligjdhënës që është përcjell edhe me dhunë brenda dhe jashtë odës më të madhe kosovare. Ndalimi i punës së Kuvendit, është thënë mëse njëherë se është një veprim i papranueshëm për çdo vend demokratik.

Ndër mesazhet kryesore që do të sjellë Kerry për spektrin politik të vendit do të jetë ai se ‘bisedimet janë një formë më e pranueshme e zgjidhjes së të gjitha mospajtimeve pozitë-opozitë’; se ‘vazhdimi i dialogut dhe krijimi i një atmosfere të fqinjësisë së mirë me Serbinë dhe të gjitha vendet në rajon’ janë një politikë pa alternativë që duhet të ndjek çdo qeveri; dhe se ‘zbatimi i shpejtë dhe i plotë i strategjisë kombëtare në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë,’ është një zotim që ka marrë Kosova si pjesëtare e koalicionit gjithpërfshirës kundër ekstremizimit.

Ndër mesazhet e kohëve të fundit që ka dhënë qeveria amerikane ishte edhe porosia që ‘populli i Kosovës pret që përfaqësuesit e zgjedhur të saj t’i kthehen menjëherë punës normale për të zgjidhur çështjet e rëndësishme politike, ekonomike, dhe sociale me të cilat përballet vendi.’

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat