Thaçi duhet të përgjigjet përse pranoi ti dhurohen 8 mijë hektarë tokë Malit të Zi!

Lajme

Thaçi duhet të përgjigjet përse pranoi ti dhurohen 8 mijë hektarë tokë Malit të Zi!

Më: 2 dhjetor 2015 Në ora: 12:35

Zëvendëskryeministri i Kosovës Hashim Thaçi duket tepër i brengosur me sigurinë në rajon. Natyrisht që për një shef diplomacie, thuajse prioritet janë zhvillimet në rajon. Dhe në këtë aspekt ai duket në krye të detyrës. Por, nuk duket aspak e besueshme se është në krye të detyrës, kur ai me turravrap ikën një natë para se NATO-ja ti bëjë ftesë zyrtare Malit të Zi, për anëtarësim në aleancë, ku është edhe Shqipëria anëtare.
Ne nuk e mbajmë mend që z.Thaçi të ketë shkuar me kaq urgjencë në Shqipëri, kur asaj iu bë ftesa për anëtarësim, as ministrin e jashtëm të asaj kohe të Kosovës.
Ky turravrap, kritikat dhe vënia në dyshim nga opozita dhe ekspertët e gjeografisë të kufijve të përcaktuar nga Komisioni Shtetëror, i kryesuar nga Murat Meha, e thellojnë edhe më shumë dyshimin, se ministri i Jashtëm i Kosovës, ka një hall dhe një zor, që po shpenzon gjithë ato energji si për të mbuluar të vërtetën.
Përpjekja për të hedhur dyshim, vihet re në tekstin e tij, në postimin e bërë nëpërmjet facebook-ut. E para ai zgjedh rrjetin social për komunikim në vend të komunikimit të drejtpërdrejtë me mediat për të komunikuar me publikun. Pra, duke anashkaluar komunikimin direkt me ‘main stream’-in medial, ai zgjedh refuzimin për llogaridhënie, shmangien e përballjes me pyetjet dhe problemet që e shqetësojnë këtë shoqëri. “Urime Malit të Zi për ftesën e bërë për anëtarësim në NATO. Ky është një zhvillim që forcon sigurinë e tërë Ballkanit, përfshi Kosovës. Kosova tashmë kufizohet me dy shtete të NATO-s ndërsa shumë shpejt edhe Kosova do të fillon rrugëtimin formal në integrimet Euro-Atlantike. Rrugë tjetër dhe opsion tjetër nuk kemi pos boshtit Uashington dhe Bruksel”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Është e vërtetë që nuk i bën aspak keq shqiptarëve hyrja e Malit të Zi në NATO, dhe pa mbështetjen e Shqipërisë kjo nuk do të ndodhte, po ashtu edhe vet shqiptarët në Mal të Zi e kanë mbështetur integrimin e tij.
E vetmja gjë që e kontestojnë me të drejtë shqiptarët, dhe për të cilën, numri 2 i Qeverisë, z.Thaçi, shprehet si ‘kufizim’ me Kosovën, është se ai nuk i shëroi brengat e shqiptarëve, pas dyshimeve të bazuara dhe të provueshme me baza shkencore, se shteti jonë humb rreth një për qind të territorit, apo sa tri komunat së bashku, Prishtina, Fushë Kosova dhe Obiliqi dhe bashkësia e Shkabajt, nga përcaktimi i Demarkacionit prek Komisionit Shtetëror. Pra, një territor që trondit esencën e shtetit dhe të sovranitetit.
Ai me këtë rast duhej ti thoshte dy fjalë, se Kosova i humbi apo nuk i humbi ato tetë mijë e 200 e 30 hektarë tokë! Ky ishte obligimi minimal politik dhe etik ndaj shqiptarëve dhe shtetasve të tij!
I. Morina

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat